Rama me fermerët e Devollit: Do t’i sigurojmë treg prodhimeve bujqësore

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me fermerët e Devollit dhe komunës Pojan të rrethit të Korçës, ka premtuar se të gjitha produktet bujqësore që prodhohen do të shiten. Ky premtim i kreut të PS-së, ka ardhur pasi shpesh banorët e këtyre zonave janë ankuar, se i kanë prodhimet bujqësore. Rama ka garantuar se gjatë qeverisjes socialiste do të sigurohet treg për çdo produkt vendas, me anë të lehtësirave, si heqjes së akcizës së naftës, heqjes së TVSH-së për makineritë bujqësore, si dhe pesëfishimit të financimit publik, sipas tij rilindja do të fillojë nga fshati, nga toka.
Në programin e PS, tha Rama, është parashikuar ndërtimi i sistemit të vaditjes dhe kullimit në të gjithë vendin, me një kosto financiare të përllogaritur në vlerën e 160 milionë dollarëve.
“Për ne rilindja fillon nga toka, nga puna me tokën dhe nga një politikë që të nxisë prodhimin e tokës sonë dhe për të krijuar kushte që falë prodhimit në fshat edhe qyteti të mund të ushqehet pa qenë i detyruar të shtrihet zvarg nëpër ato librat e borxheve nëpër dyqane dhe pa u dridhur kur shikon në një tezgë produkte që janë aq të shtrenjta sa nuk blihen dot”, deklaroi Rama.
Rama u shpreh se ai do jetë mbështetësi më i flaktë dhe më i vendosur i çdo shqiptari që jeton me tokën.
“Ne do t’i japim jetë një qeverie socialiste dhe unë personalisht si drejtues i asaj qeverie do të jem mbështetësi më i flaktë dhe mbështetësi më i vendosur i çdo shqiptari që jeton me tokën. Dhe ju jap fjalën që nuk do ketë prodhime që do kalben se nuk dalin dot në treg, por personalisht do jem pranë jush për të bërë çmos që çdo kilogram prodhim të dalë në treg për të siguruar të gjithë rrugët që e nxjerrin prodhimin në treg dhe për të siguruar që nga prodhimi ju të fitoni atë që ju takon dhe këta të rinjtë të fillojnë të kuptojnë se nga toka e gjyshërve mund të nxirret mirëqenia”, theksoi kreu i PS.
Për liderin e opozitës, fushata për zgjedhjet e 23 qershorit është një betejë e rëndësishme që kërkon impenjimin e të gjithëve.
“Kjo është një betejë shumë e madhe për të dalë nga kushtet e mbijetesës dhe prandaj këtë betejë do ta bëjmë çdo ditë. Puna kryesore është ajo që behët derë më derë, shtëpi më shtëpi, për të nxjerrë çdo votë nga shtëpia për një Rilindje Shqiptare”, nënvizoi Rama.
SHEKULLI
Add new comment