Rama: Legalizimi do të bëhet pa pagesë

Kreu i PS-së sfidon Berishën dhe për etiketimet ndaj veriorëve: “Nëse i kam quajtur shpellarë, largohem nga Shqipëria”
Fatjona Mejdini
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se procesi i legalizimit për zonat informale do të bëhej me zero pagesë, duke kaluar kështu një hap përpara mazhorancës aktuale në kuadër të lehtësive për të përmbyllur këtë proces. Këtë premtim të shoqëruar me faktin se ai do e ndiqte personalisht si Kryeministër këtë proces, Rama e bëri dje gjatë një takimi me banorë nga të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës të titulluar, “Tirana e të gjithëve”. Në aktivitetin ku morën pjesë dhe kandidatët e PS-së në Tiranë, Rama sfidoi publikisht Berishën, duke e ftuar të nxirrte me audio ose video momentin kur ai pretendonte se kreu i socialistëve i kishte quajtur veriorët ‘shpellarë’. Sipas Ramës, në rast se kjo vërtetohej atëherë ai jo vetëm do të largohej nga politika, por edhe nga Shqipëria. Ai theksoi se me fitoren e të majtës në 23 qershor Tirana ashtu si i gjithë vendi do të merrte një hov të ri zhvillimi.
Legalizimi
Përfundimi i procesit të legalizimit duket se ka zënë një vend të rëndësishëm në fushatën e Partisë Socialiste. Këtë e përforcoi dje kreu i PS-së, Edi Rama, i cili deklaroi dje përpara banorëve të Tiranës se ky proces për zonat informale do të kryhej pa pagesë. Sipas tij, qytetarët që kanë shtëpitë për t’i legalizuar nuk duhet të besojnë më Kryeministrin Berisha, pasi ai vendosi për procesin sekserë, të cilët vodhën qytetarët dhe këtë gjë kishte për ta bërë përsëri. “Familjet nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për legalizimin, nuk është premtim elektoral. Të gjitha shpenzimet e procesit të legalizimit do t’i bëjë shteti. Mos i besoni teorisë së Saliut se do t’ju vëmë nga një zyrë legalizimi në çdo lagje. Kjo është me u vënë nga një hajdut në çdo lagje. Për lagjet informale legalizimi do të jetë falas”, theksoi Rama, duke dhënë kështu një premtim të rëndësishëm në lidhje me këtë proces. Nga ana tjetër, ai zbuloi dje se nisur nga rëndësia e veçantë që kishte ky proces për ekonominë dhe zhvillimin në vend, ai do e ndiqte në mënyrë personale. “Procesin e legalizimit, duke e parë si një proces që lidhet me daljen tonë nga kriza ekonomike dhe me zhvillimin e ekonomisë tonë kombëtare, do ta drejtoj vetë personalisht”, premtoi Rama në lidhje me këtë çështje sensitive për një pjesë të madhe të familjeve në Tiranë. Ai po kështu përsëriti dhe premtimin se ky proces do të përfundonte brenda mandatit të parë të së majtës në pushtet.
Etiketimet
Rama gjeti rastin të përgënjeshtronte përsëri Kryeministrin Berisha për sa u përket pretendimeve të tij se kreu i socialistëve kishte fyer veriorët. Kreu i PS-së theksoi se Berisha gënjen dhe se ai nuk kishte përdorur asnjëherë ndonjë etiketim për veriorët dhe i respektonte ata ashtu si dhe pjesën tjetër të Shqipërisë. “Saliu gënjen për shprehjen shpellarë. Largohem nga Shqipëria dhe ju kërkoj ndjesë të gjithë shqiptarëve dhe ju zotohem se nuk kthehem në Shqipëri. Nëse kjo provë nuk ekziston, më lind e drejta t’ju them se të gjithë tropojanëve dhe të ardhurve nga veriu se ky burrë kërkon t’ju mbajë peng në shpellën e mendësisë së tij, duke shfrytëzuar traditat, vlerat dhe besnikërinë tuaj”, sfidoi kryesocialisti Kryeministrin Berisha. Ai i ftoi të gjithë banorët e Tiranës pa dallim të mbështesnin në zgjedhjeve PS-në, pasi kryeqyteti ashtu si i gjithë vendi do të pësonte transformime të rëndësishme. “Ne nuk jemi engjëj, as magjistarë. Jemi njerëz si të gjithë ju. Nuk jemi të pagabueshëm, unë vetë nuk jam i pagabueshëm, s’kam asnjë shkop magjik. Ne kemi një virtyt, ne mësojmë nga gabimet e së shkuarës. Me votën për ne, shqiptarët do ta vendosin qeverinë në krahun e tyre”, premtoi Rama.
Premtimet e PS-së për legalizimin:
- Përfundim i procesit pa pagesë për lagjet informale
- Drejtimi i procesit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Kryeministri
- Përfundim i të gjithë procesit brenda mandatit të parë qeverisës
- Urbanizim të zonave informale pas përfundimit të legalizimit
Fushata e PD-së në kryeqytet, Basha: Do ju sjellim në dorë tapitë
ALUIZNI, Bozho: Në Tiranë, 5 mijë pronarë kanë marrë tapitë, do japim edhe për 28 mijë të tjerë
Pas ezaurimit të premtimeve për punësim masiv, në këto ditët e mbetura të fushatës elektorale, mazhoranca duket se ka vendosur të luajë me kartën e legalizimeve të banesave. Edhe pse e mohojnë, si kryetari i Bashkisë më të madhe në vend, Lulzim Basha ashtu dhe drejtori i ALUIZNI-t për kryeqytetin Kreshnik Bozho garantuan dje se procesi i legalizimeve do të vazhdojë. Nga ana e tij, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, u ka premtuar banorëve të Bregut të Lumit në Tiranë se banesat e tyre do të legalizohen konform të gjitha rregullave. Gjatë një takimi të zhvilluar paraditen e djeshme me banorë të kësaj zone, Basha tha se në 11 vitet e kaluara për ta u premtuan projekte, por asnjë premtim nuk është mbajtur. “Çdo tapi legalizimi për ata që kanë aplikuar për legalizim do t’ju sillet juve këtu në vend që të shkoni ju te zyrat”, premtoi Lulzim Basha. Ndërkohë, drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën, Kreshnik Bozho, në një intervistë për mediat, tha dje se kanë mbetur fare pak dosje në proces dhe se rritja e volumit të punës nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. Sipas tij, janë 5 mijë pronarë që kanë ndërtuar objekte pa leje në Tiranë, të cilët tashmë disponojnë lejen e legalizimit, ndërsa në pritje janë 25 mijë dosje të tjera të kualifikuara, për të marrë lejen e legalizimit e më pas për t’u drejtuar në hipotekë. Sipas përllogaritjeve të kreut të ALUIZNI-t, në total në kryeqytet janë 28 mijë dosje, që i janë nënshtruar procesit për legalizim. Afro 25 mijë prej tyre janë kualifikuar dhe 3 mijë të tjera presin kualifikimin e më pas të marrin leje legalizimi.
SHQIP
Add new comment