Rama lëshon mesazhin e rënies së kufijve mes shqiptarëve, përmend çështjen çame

Kreu i qeverisë lëshon para Parlamentit të Kosovës mesazhin e bashkimit
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Integrimi europian - “Duhet t’i japim një shtysë të re bashkëpunimit rajonal përmes gërshetimit të objektivave të Europës Juglindore 2020 me projektet e axhendës Europa 2020”, theksoi Rama.
Turizmi - Rama tha se nuk duhet humbur kohë në njehsimin e paketës turistike të hapësirës shqiptare. “Kjo, mendoj se është një nga punët më të bukura për t’u bërë”, tha Rama.
Traktati i Miqësisë - “Kjo e vendos edhe Kosovën bashkë me Shqipërinë në qendrën e trekëndëshit të partneritetit strategjik të Shqipërisë me Turqinë, Greqinë dhe Italinë”, tha Rama.
Akademia e Shkencave - “Sot, në hapësirën e tyre të rrënimit të vazhdueshëm qëndrojnë shkenca dhe gjuha. Akademia e rrënuar e Shkencave në Shqipëri është shëmbëlltyra më bërtitëse e gjendjes alarmante ku ndodhemi”
Herion Mesi
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij para ligjvënësve kosovarë ka lëshuar me forcë mesazhin e bashkimit mes shqiptarëve dhe integrimit të të gjithë bashkatdhetarëve kudo ku janë. Që nga rënia e kufijve, bashkimi i doganave, unifikimi i arsimit, kulturës, sportit, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë dhe çështja çame që është ngritur me fuqi nga Prishtina, i kanë dhënë vizitës së parë zyrtare të Ramës si Kryeministër, një ton që tregojnë sesi do të jetë qeverisja e kreut të mazhorancës së re shqiptare. “Me sytë e të sotmes, kufirin mes dy shteteve tona nuk e shoh si sfidën për t’u kapërcyer, por si pjesë të një tërësie referencash botërore dhe historike me një hapësirë lirie dhe demokracie të qëndrueshme dhe kjo hapësirë nuk mund assesi të jetohet e ndarë për shkak të një vije të padukshme. Kufiri është e djeshmja, e ardhmja s’ka kufi. Që e djeshmja të mos na kushtëzojë të ardhmen, ka vetëm një gjë për të bërë me vijën e padukshme, të mos e shohim. Le të projektojmë bashkërisht të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës, përmes projektesh që nuk ndalen as te kufiri mes tyre, por as te kufijtë me fqinjët gjithashtu”, u shpreh Rama.
Bashkëpunimi rajonal
Sipas Kryeministrit shqiptar, të dyja vendet duhet t’i japin shtysë bashkëpunimit rajonal. “Nëse Bashkimi Europian i ka sytë nga ne, nga rajoni, veçanërisht për arsye që lidhen me konfliktet e së shkuarës, ne sot në këtë kohë të re bashkërisht me shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas, sigurisht edhe grekë e kroatë që së fundmi janë bërë edhe anëtar të BE, duhet t’ia drejtojmë sytë atij bashkimi në vijimësi për projekte që lidhen me zhvillimin drejt së ardhmes”, u shpreh Rama.
Doganat
Kryeministri Rama kërkoi bashkëpunimin doganor mes dy vendeve. “Ne do t’i japim fund patatofobisë nga ana jonë, e cila ka shkaktuar në kufi luftëra doganore sa të dëmshme aq edhe qesharake mes nesh. Janë plot raste e mallra të kësaj ane që kanë ngecur pa kaluar dot në atë anë. Prandaj, ne jemi të gatshëm që të realizojmë bashkimin doganor. Le të ngremë një grup pune të përbashkët për këtë çështje. Një përmasë lirie dhe konkurrence për biznesin shqiptar në krejt hapësirën shqiptare është një përmasë që, padyshim, na mungon”, theksoi Rama.
Gazsjellësi
Ndërkaq, ai ka njohur dhe vlerësuar punën e bërë nga ish-kryeministri Berisha për projektin e gazsjellësit TAP. “S’do të isha i drejtë po të mos e përmendja këtu, fillimisht, punën e mirë të paraardhësit tim, Kryeministrit Berisha, si pjesë e lobit të qeverive mbështetëse të projektit TAP. Ndërkohë që, dua t’ju siguroj se ne do të shkojmë ende më tutje duke bërë çdo përpjekje, që kjo linjë strategjike gazi, që do të kalojë edhe nëpër Shqipëri për t’u ngjitur lart në Mal të Zi, Kroaci e më tej, të ketë me patjetër edhe një degëzim në Kosovë”, tha ai.
Maqedonia
Ndërsa hodhi piketat e një “bashkimi” mes Kosovës dhe Shqipërisë, Rama në fjalën e tij kritikoi Maqedoninë që sipas tij, nuk respekton të drejtat e shqiptarëve dhe ku nuk po zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Rama tha se është detyra jonë të mos u kthejmë shpinën shqiptarëve kudo që janë e sado që janë. “Si promotorë thellësisht të angazhuar të paqes dhe stabilitetit në rajon, ne jemi thellësisht të ndjeshëm për integritetin e ekzistencën dhe thellësisht të interesuar për mbarëvajtjen e Maqedonisë, e cila, e ka bazën në ekuilibrin dhe marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Por, është shqetësues rasti i shqiptarëve në Maqedoni. Në mënyrë të veçantë, për shkak të rasteve të moszbatimit të marrëveshjeve të bëra me ndërmjetësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, apo të mosfunksionimit të mekanizmave të dala nga këto marrëveshje”, nënvizoi Rama.
Çështja Çame
Ndër të tjera, në fjalën e tij, Rama, preku edhe çështjen çame, e cila sipas tij, duhet të zgjidhet sipas konventave ndërkombëtare dhe në kuadër të fqinjësisë së mirë.
“Padyshim, sipas frymës së Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Synimi ynë, që besoj gjen dhe mbështetjen tuaj, është që kjo çështje, të trajtohet në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Duke i dhënë rëndësinë dhe seriozitetin që i takon, pa e lënë të bëhet përçapja e përçartja e nacionalistëve profesionistë”, tha Kryeministri.
Presheva
Ndër të tjera, Rama tha se duhet ta kthejmë Luginën e Preshevës në një shembull të progresit. Duke iu referuar të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Rama u kërkoi autoriteteve serbe respektimin e të drejtave të tyre. “Përse të mos bëhen të drejtat e pacenuara dhe mirëqenia në Luginën e Preshevës dhe në Veriun e Kosovës lajtmotivi i epokës së re për rajonin që u hap me firmosjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, këtë vit. Besoj, se dhe në Serbi, njësoj siç është gjendur edhe në Kosovë, duhet të gjendet deri në fund forca për ta materializuar potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj epoke të re, duke krijuar në radhë të parë besim reciprok”, tha dje Kryeministri Rama.
Për Zogun e Berishën
“Shqipëria ka pasur dikur, përpara luftës, në kohën e një mbreti që për hir të së vërtetës nuk bëri veç punë të këqija për vendin tonë, por prej të cilit, ne në Shqipëri në qeverisjen e tërë këtyre viteve, nuk arritëm të mësojmë asgjë më të mirë sesa shembullin e forcës brutale ndaj kundërshtarëve të vet. Le të më mirëkuptojnë këtu admiruesit e vet, që nuk po e përmend këtu emrin e tij, sepse nuk shkon të përmendet emri i vrasësit në shtëpinë e të vrarit”, ironizoi dje në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, Kryeministri Edi Rama.
PD, Bylykbashi:
Rama po shkel ligjin e prokurimeve
Opozita shqiptare ka vijuar edhe dje akuzat e saj ndaj Kryeministrit të dekretuar, Edi Rama. Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, akuzoi kryeministrin e ri se i paguan me miliona euro zyrave konsulente dhe këtë, sipas tij, e bën me prokurim të drejtpërdrejtë, klientelist. “Me një fjali të fshehur mes rreshtash të mjegullt të programit të tij, Edi Rama i thotë shkarazi shqiptarëve se, ‘do të ftojë një kompani të huaj, të njohur në tregun ndërkombëtar, për ta ndihmuar në lidhje me tatimet dhe doganat. Zoti Rama u tha shqiptarëve publikisht se ka gjetur që tani kompaninë. Kjo është kompania – ‘Crown Agents’. Madje kjo kompani e deklaron që tani në faqen e saj të internetit, se ka zyrë në Shqipëri. Por, më e keqja është se këtë shpenzim klientelist, z. Rama do ta bëjë me prokurim të drejtpërdrejt, jo me tender të hapur ndërkombëtar. Kjo është shkelje flagrante e ligjit të prokurimeve”, tha Bylykbashi.
Vetëvendosja - Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje dhe një takim të veçantë me liderin e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
SHQIP
Add new comment