Rama-Ivanov: Të respektohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Integrimi juaj, rëndësi për ne

Kryeministri i vendit, Edi Rama priti sot në një takim presidentin e Maqedonisë, George Ivanov, i cili ndodhet në Shqipëri prej dy ditësh, në kuadër të samitit të presidentëve të rajonit që u mbajt në Durrës.
Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Rama shprehu shqetësimin për mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, ndërsa theksoi se integriteti i Maqedonisë për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm.
“Ne mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordësuara lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni. Nga ana e tij, zoti president shprehu shqetësim që të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh jo thjesht si një detyrim i shtetit ndaj pakicave, por edhe si shprehje e një pakti të thjeshtë, pasi ne nuk mund t’i kërkojmë të tjerëve atë që ne nuk mund ta plotësojmë vetë. Unë shpresoj që si fqinj dhe si miq do të çojmë përpara një proces bashkëpunimi, ku implementimi i marrëveshjeve për të harmonizuar bashkëjetesën do të jetë i patjetërsueshëm”, u shpreh Rama.
Gjithashtu, kryeministri shqiptar theksoi se me presidentin maqedonas shkëmbeu edhe pikëpamjet lidhur me rrugën e përbashkët të të dyja vendeve në Bashkimin Europian, i cili është objektiv i përbashkët i vendeve të rajonit.
Nga ana e tij, Ivanov tha se në takimin me Ramën është diskutuar për ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta me Shqipërinë, ndërsa theksoi se ‘e ardhmja europiane na detyron të punojmë për plotësimin e kërkesave nga BE’.
SHQIP
Add new comment