Rama: Humbësit të ndalin projektin rrënues

Partia Socialiste ka zhvilluar sot për herë të parë pas fitores në zgjedhje mbledhjen e grupit parlamentar.
Në fjalën e tij, kreu i PS-së Edi Rama është shprehur se tashmë është përmbyllur kapitulli i fitores dhe nis kapitulli i mirëqeverisjes.
“Në 23 qershor shqiptarët na dhanë së bashku me aletatin tonë strategjik LSI mandat të rëndë sa një mal. Për tani duhet të mbyllim kapitullin e gëzueshëm dhe të hapim kapitullin e mirëqeverisjes në një vend ku realiteti s`ka asgjë të gëzueshme” tha Rama.
"I bëjmë thirrje humbësve që të ndalin projektin e tyre rrënues në Shqipëri. PD ka humbur të drejtën që të shpenzojë paratë e popullit duke tërhequr vendin zvarrë pas vetes", tha Rama.
Kreu i PS-së deklaroi se qeveria në ikje duhet të ndalojë shpenzimin e mëtejshëm të parave të popullit shqiptar.
"Ndal vendimeve mbi pasurinë kombëtare. Ne nuk do të bëjmë sehir duke parë se si e drejta vritet dhe sakatohet", tha Rama.
Duke folur për krijimin e Qeverisë së re, Rama theksoi se qeverisja do të realizohet me LSI-në dhe aleatët.
"Jemi ribashkuar me zotimin solemn për të mos përsëritur gabimet e të shkuarës. Kemi bërë një fushatë të ndarë dhe kemi fituar të bashkuar me një rezultat të thelle. Ne jemi dy parti, por një forcë e vetme qeverisës. Procesi i formimit të qeverisë nuk ka mbërritur ende tek emrat dhe ndarjet e ministrive", tha Rama.
Kreu socialist theksoi se kjo qeveri ka në dorë fatin e marrëdhënieve të Shqipërisë me botën për një gjeneratë dhe shprehu bindjen se skuadra e Rilindjes dhe se tani e tutje do të gjykohen për veprat që do të kryejnë.
Top Channel
Add new comment