Rama, fjalim në OKB

Fjalën e parë të mbajtur përpara Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama e ka nisur pikërisht me sfidën dhe angazhimin që i ka vënë vetes për të drejtuar Shqipërinë në një moment tejet të rëndësishëm: rrugëtimi drejt bashkimit me Europën.
Duke nënvizuar se Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por me një histori të gjatë dhe një potencial të madh, Edi Rama deklaroi se:
“Në të vërtetë, njerëzit në mbarë botën mund të mos dinë aq shumë lidhur me Shqipërinë, por ajo çka besojnë se dinë nuk është e mirë. Industria e filmit nuk është treguar kaq e mirë me ne. Wag The Dog? Taken 1? Taken 2? Pas tyre, edhe unë vetë pata pak frikë që gjendesha në Shqipëri! Shpresoj që një ditë, Liam Neeson, Dustin Hoffman dhe Robert de Niro të mund të na vizitojnë, të shohin se ç’vend i bukur është, të ndjejnë po atë potencial që unë ndjej. Por unë nuk jam naiv. Problemet tona nuk janë të gjitha krijesë e Hollivudit. Disa janë reale e sjellin dëme. Korrupsioni është ai që i shenjon vendet ashtu siç tehu i lë vragë një fytyre të bukur. Ai i ndalon investuesit e ligjshëm të investojnë, mban peng përparimin, nuk i lë njerëzit të besojnë se dikur do të ketë drejtësi. Korrupsioni mund e duhet të mposhtet, nëse duam të ndërtojmë ekonominë e shtetin ligjor për të cilin kemi nevojë, të përftojmë investimet që na duhen, ta tërheqim turizmin që meriton peizazhi, trashëgimia dhe populli ynë i ngrohtë e mikpritës”, deklaroi Rama.
Përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së, theksoi Rama, nuk janë të vetmet. I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i vendosur për ta kryer këtë rrugëtim dhe kjo është më e mundshme tani që janë kapërcyer konfliktet e vjetra.
“Dua të ndaj me ju bindjen se marrëveshja e shënuar midis Kosovës dhe Serbisë i dha fill një periudhe të re në rajonin e Evropës Juglindore. Dialogu mes tyre, një akt kuraje e maturie treguar nga Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin mjaft të vlerësuar të Bashkimit Evropian, vendos përballe sfidave secilin vend të rajonit që të mobilizohet në përpjekje për forma të reja e novatore bashkëveprimi dhe bashkëpunimi. Jo gjithçka është e lehtë apo e përkryer. Ka disa nga ata që aty-këtu mendojnë me të kaluarën në kokë. Sidoqoftë, e vërteta mbizotëruese është se kryeministrat Thaçi e Daçiç iu kanë dalë për zot përgjegjësive të tyre drejtuese për t’i çuar vendet e veta drejt së ardhmes që meritojnë. Më shumë se gjithçka, në një botë të ndërlidhur e të ndërvarur si kurrë ndonjëherë, ku hapësira e marrëdhëniet rikrijohen në vazhdimësi, është thelbësore të jetojmë kohën e re, pa zgjatur atë të vjetrën, atë të konflikteve, të nacionalizmit. Në këtë kuptim, Shqipëria është e përkushtuar për paqe e begati në rajon”, nënvizoi Rama.
Nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Edi Rama si kryeministër bëri edhe kërkesën e parë publike drejtuar të gjitha shteteve: Njihni Kosovën.
“Atyre që janë mosbesues iu them: Populli i Kosovës, ashtu si të gjithë popujt që tashmë gëzojnë republika të pavarura e të njohura plotësisht pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, meriton njohje të sovraniteti të tij, veçanërisht se ka dëshmuar më shumë se çdo popull i rajonit përkushtimin e padiskutueshëm ndaj të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave, dialogut dhe paqes. Pa këtë përkushtim do ishte shumë e vështirë që rajoni ynë të përparonte drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, deklaroi Rama.
Ashtu siç ai deklaroi, se nuk kishte dashur të fliste për konflikte në këtë fjalim, kjo u bë e pashmangshme, shtoi Rama, nga zhvillimet e fundit në Siri, ku armët kimike vranë qytetarë të pafajshëm, krim që ai deklaroi se duhet ndëshkuar.
“Përdorimi së fundi i armëve kimike në shkallë të gjerë është një krim i neveritshëm, krim kundër njerëzimit, që nuk mundet e nuk duhet assesi të mbetet i pandëshkuar. Sërish, edhe pse tabloja është e mjegullt, një shkëndijë shprese ka lindur. Këshilli i Sigurimit më në fund miratoi dje një rezolutë për largimin dhe shkatërrimin e armëve kimike në Siri, të cilën ne e mirëpresim. Tashmë, ajo duhet të ndiqet nga një zbatim i shpejtë dhe i plotë”, vlerësoi Rama.
Fundin e fjalimit prej 16 minutash në OKB, Edi Rama ia kushtoi sërish angazhimit për të rilindur Shqipërinë, duke deklaruar se kjo kërkon lidership, gjë të cilën ai tha se mbetet plotësisht i vendosur ta japë.
“Por kam besim, por edhe përulësinë e mjaftueshme për të ditur se nuk mund ta bëj këtë i vetëm. Kam shumë për të mësuar dhe OKB-ja është një prej atyre ndërtesave ku gjithnjë gjen njerëz, individë, qeveri që mund të të mësojnë me anë të përvojës, të të drejtojnë nëpërmjet shembullit. Ne kemi nevojë për mbështetje; kemi nevojë që të kemi krah nesh partnerë e miq që kanë vullnetin të jenë pjesë e rrugëtimit tonë drejt ndryshimit. Rilindja nënkupton një Shqipëri të re. Ndërtimi i kësaj Rilindjeje është sfida me të cilën përballem. Do të duhet kohë. Do të duhet këmbëngulje. Do të duhet mirëkuptim e mbështetje prej miqsh e partnerësh. Do të duhet, gjithashtu, udhëheqje, për të cilën jam i përkushtuar. Por e di dhe e besoj, mund të bëhet”, e mbylli Rama fjalimin e tij.
Më herët gjatë qëndrimit në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme, kryeministri Rama drejtoi Forumin e Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias.
Duke folur për perspektivën evropiane të Shqipërisë, Rama shprehu besimin e tij se, Evropa nuk është një destinacion para nesh, por brenda nesh, duke e konsideruar një proces që varet së pari nga politikëbërësit.
Rama për VOA: Betejë korrupsionit
“Administrata? S’kemi në plan spastrimin, por shtetndërtimin”
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës në Nju Jork, ku ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit, që është ndër prioritetet e tij, kërkon një angazhim gjithëpërfshirës.
“Duhet të nisë beteja kundër korrupsionit. Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të lëmë mënjanë ndikimet partiake”, ka thënë Rama.
I pyetur në lidhje me ligjin për nënpunësin civil, për të cilin mazhoranca e re po has kundërshtimin e opozitës, Rama ka theksuar se shumica nuk ka asnjë plan për spastrime në administratë. Kreu i PS ka sqaruar se ligji në fjalë ka vetëm nevojë për disa ndryshime, në mënyrë që të bëhet sa më i zbatueshëm.
“Për nënpunësin civil ka vetëm një domosdoshmëri për të ndryshuar ligjin që është i pazbatueshëm. Ajo që kërkojmë ne sugjerohet nga partnerët tanë që kanë bashkëpunuar me ne për të hartuar ligjin në fjalë”, ka thënë Rama.
“Akuzat për spastrime janë të gjitha shembuj të shprehjes ‘kush shpif ndaj teje e bën duke u nisur nga çka është në gjendje të bëjë vetë’. Ne nuk kemi plane spastrimi, por shtetndërtimi. Për ligjin ne i jemi drejtuar opozitës”, ka nënvizuar kreu i qeverisë.
Ndryshimi i situatës në Shqipëri dhe afrimi i vendit me familjen evropiane ka qenë një tjetër pikë e prekur gjatë intervistës për VOA.
“Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni, pandëshkueshmëria e ato sjellje që e kanë mbajtur vendin larg BE-së. Ne nuk jemi këtu për të përsëritur gabimet e së shkuarës, por për të çuar përpara mandatin që kemi marrë”, ka thënë Rama.
Më tej kryeministri ka theksuar se qeveria e tij do të mbajë premtimin për shlyerjen e borxheve të biznesit, duke nënvizuar se kjo do të bëhet përmes një skeme të posaçme.
“Ne kemi premtuar se do të ndalim ecurinë e mëtejshme në rrugën e rrënimit të biznesit dhe se do t’i shlyejmë sipërmarrjes ato borxhe të akumuluara për punë të papaguara. Për ne ekonomia nuk është 2 por 1 dhe këto borxhe i kanë sjellë probleme me bankave dhe tregut. Kjo duhet bërë një orë e më parë me një skemë të qartë financimi që ne po e ndërtojmë”, ka pohuar Rama.
Në fund të intervistës nuk kanë munguar pyetjet për heqjen e fotos së presidentit të Republikës nga institucionet dhe vendosjen e asaj të Ismail Qemalit.
“Portreti i Ismail Qemalit është një figurë unifikuese e që i jep fund një historie qesharake fotosh që hiqen e vihen. Vendosja e fotos është pritur mjaft mirë nga shumica e shqiptarëve”, ka thënë Rama.
Top Channel
Add new comment