Rama: Do monitorojmë dhe hetojmë çdo veprim dhe tender të qeverisë këto dy muaj

Postuar në 28 Qershor, 2013 03:43

I ftuar në emisionin “Top Story”, kryesocialisti Edi Rama ka thënë se fitoren e 23 qershorit nuk e sheh si një triumf personal, por si një përgjegjësi të madhe për të ndryshuar një model qeverisje.

Nuk e përjetoj fitoren e zgjedhjeve si një triumf personal dhe jam shumë i sinqertë në këtë pikë.

Vota e popullit ka qenë e barabartë me një revolucion të heshtur. Për mua nuk është një votë për të ndryshuar një qeveri me një qeveri tjetër, por një votë për një ndryshim rrënjësor.

Kjo rrit përgjegjësinë, por dhe nevojën për të qenë të vetëdijshëm se shqiptarët na kanë vënë në krye të punëve atë ndryshim që besoj ua bëmë më të afërt duke u zgjuar një shpresë që dukej sikur nuk do të zgjohej më.

Dhe në këto kushte është e pamundur që të flitet për triumf vetjak, ose për mundjen e një kundërshtari. Këtu shqiptarët kanë mundur një model dhe sfida është ndërtimi i një modeli tjetër”, ka thënë Rama.

I pyetur për dorëheqjen e Berishës, Rama ka thënë se nuk ka asnjë koment.

Nuk kam asnjë koment për dorëheqjen e Berishës. Jam i kënaqur për Shqipërinë dhe për njerëzit që kanë një çlirim të brendshëm për një rrotacion normal dhe për zgjedhjet e lira dhe që me votën masive, bënë të pamundur manipulimin e zgjedhjeve.

Kur flas për zgjedhje të lira, flas për vendosjen e rezultatit nga vullneti i popullit. Kurse kur flas për procesin, mund të them se ka akoma shumë, kur njerëzit realisht u dhunuan psikologjikisht për të marrë pjesë në fushatën e partisë në pushtet”, tha ai.

Duke folur për qeverisjen e ardhshme, Rama ka thënë se çdo vendim do merret në konsultim me aleatët.

Çdo vendim qeverie, ndryshe nga qeveria e kaluar, nuk do të merren më duke u anoncuar nëpër media, por duke u konsultuar më parë me aleatët tanë.

Do të ulemi me kreun e LSI-së për të ndërtuar një plan pune dhe rrugët që do të përshkojmë për një sërë çështjesh, duke nisur nga qeverisja, deri tek parlamentarizmi”, tha Rama.

Për përdorimin e nxënësve dhe administratës në fushatë, Rama tha se do të ketë përgjegjësi për ata që e kanë bërë këtë gjë:

“Nuk do të tolerohet askush që ka përdorur nxënësit në mitingje, apo ata që kanë përdorur dhe detyruar administratën që të përfshihet në fushatën e partisë në pushtet. Administrata do të ndahet një herë e mirë nga politika”.

Lidhur me dy muajt e ardhshëm, deri kur Rama të marrë kryesimin e qeverisë, ai ka thënë se do të monitorohet çdo tender dhe veprim nga ana e ministrave aktualë:

Unë do bëj një apel në ditët në vijim, për të gjitha ata që e shohin këtë dy muajsh për të marrë atë që mund të merret. Çdo tender dhe çdo shpenzim që do bëhet këto dy muaj, është nën monitorim dhe do të hetohen. Siç sot p.sh, një ministër ka marrë përsipër të ribëjë praktikisht nga e para procedurën e një tenderi. Por, këto gjëra nuk do të kalojnë pa pasoja”.

Lidhur me sjelljen e qeverisë dhe të tij ndaj opozitës, Rama ka thënë se nuk do t’i lëshohet kurrë asaj me fyerje dhe sharrje, siç ka ndodhur ke paraardhësin e tij.

Ne do të ndryshojmë mënyrën e sjelljes ndjas opozitës në mënyrë radikale. Qeverisja e djeshme më shumë merrej me luftën kundër opozitës, se sa në luftën kundër varfërisë dhe problemeve të tjera. Ajo ushqente luftën kundër opozitës, për t’i ndarë njerëzit.  Ne do t’i japim jetë një parlamentarizimi europian. Unë nuk besoj se do të më dëgjoni ndonjëherë duke iu sulur opozitës me sharje dhe fyerje, apo se do të përdor ndonjëherë luftën me opozitën për t’iu shmangur përgjegjësive. Ne duhet të ndryshojmë qasjen ndaj politikës dhe për politikën. Parlamenti për shumë vite ka qenë në një arenë e mbushur me situata turpëruese për Shqipërinë”, tha ai, duke nënvizuar faktin se PD do të mbetet për një kohë të gjatë në opozitë, nëse nuk e lexon në kohë votën e 23 qershorit:

Unë kam barrën për të ndryshuar qeverisjen, mos më kërkoni të ndryshojë edhe Partinë Demokratike. Ajo ka një rrugë të gjatë tani në opozitën. Problemi ynë tani është qeverisja dhe jo opozita. Ne do të përpiqemi ta përfshijmë atë dhe shpresojmë që të kemi mirëkuptim edhe nga opozita. Por, është e sigurtë që sa më shumë PD të vonojë leximin e votës së 23 qershorit, aq më shumë ajo do të qendrojë në opozitë”.

Ndërsa duke folur për akuzat se LSI ka qenë pjesa më e korruptuar e qeverisë së kaluar, Rama ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, pasi përgjegjësinë më të madhe e mban kryeministri dhe partia më e madhe.

Shqipërinë në katër vitet e fundit nuk e ka qeverisur Ilir Meta, por dikush tjetër dhe përgjegjësitë nuk janë mbi një parti me katër deputetë sa kishte LSI, por janë mbi partinë më të madhe dhe kryeministrin. E dyta, unë nuk besoj se sektorët vuajnë nga korrupsioni sepse i kap dikush dhe i çon në shtëpi, por se nuk ka strategji. Kjo nuk është çështje personash, por sistemi. Po nuk ndryshoi modeli, nuk ka rëndësi se si qyhet kryeministri”, u shpreh Rama.

Për ndarjen e pushtetit, Rama tha se ajo nuk do të bëhet në bazë përqindjesh, por kapaciteteve.

“Boshti strategjik i fitores sonë është PS-LSI dhe ne nuk do të vëmë peshoren për të bërë ndarjen e posteve dhe përqindjeve, por do të vëmë peshoren për të ndarë kapacitetet dhe asaj që ofrojnë të gjithë njerëzit tanë, për t’i vendosur në pozicionet e duhura. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë një ndarje, sepse jemi do parti. Por, gjithçka do e bëjmë në mënyrë të konsultuar dhe nuk do ndahemi si në sinore dhe t’i trajtojmë ministrat si ushtarë. Duhet të ndryshojmë model”, tha ai.

Lidhur me ristrukturimin e administratës, Rama tha:

Të jeni të bindur që nuk ka paqe pa drejtësi. Me këtë dua të them që sigurisht që do të ndërtojmë një sistem ku nesër, cilido qoftë në pushtet e ne të parët, të mos jetë në gjendje të shpërdorojë liritë dhe të drejtat e njeriut, duke shpërdoruar detyrën shtetërore për të marrë njerëzit e kthyer në kope mitingjesh elektorale. Nga ana tjetër, në qoftë se do të ketë një shembull që “shiko kur gjërat mbarojnë nuk të mbron kush”, të mbron vetëm zgjedhja jote ndaj ligjit. Nëse kjo nuk bëhet, nesër, ata tanët do të bëjnë të njëjtën gjë. Fakti që nëse abuzon me idenë që e je i mbrojtur, siç kanë abuzuar një sërë drejtuesish të Policisë së Shtetit, që janë përgjegjës për situatën që doli jashtë kontrollit me pasojë vdekjen e njerëzve në Laç, atëherë historia përsëritet shumë thjesht. Kështu që ne, pa asnjë dyshim dhe e përsëris, e për këtë jam i bundur, do të bëjmë çmos të japim në radhë të parë njerëzve lirinë për të marrë frymë pavarësisht në janë me ne apo kundër nesh, kudo qofshin, mësues, nëpunës, mjekë, biznesmenë, etj. Nga ana tjetër, kjo s’mund të bëhet me fjalime, por duhet shoqëruar me akte dhe absolutisht konkrete e nuk mund të harrohen ata që i thanë njerëzit o në zyrën elektorale të PD, o në rrugë. Kjo nuk mund të harrohet pasi ky sistem po ndërtohet mbi bazën e kësaj fryme. Mund të kesh një detyrë partiake, por kur ke një detyrë shtetërore të paguan shteti dhe kur merr këtë detyrë e në të mund të bësh ligjin, bindjet politke nuk mund të tolerohen”, tha Rama. /b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.