Rama dhe Meta: Aleanca jonë do të marrë 77-80 deputetë

Dy krerët e së majtës, së bashku në thirrjen për zgjedhësit
Në ditën përmbyllëse të fushatës zgjedhore, dy krerët kryesorë të koalicionit të majtë, Edi Rama i Partisë Socialiste dhe Ilir Meta i Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp për të theksuar se pretendonin të merrnin 77 deri në 80 mandate. Duke treguar të bashkuar dhe forcën e aleancës së re ata i bënë thirrje Kryeministrit Berisha të mos prekte zgjedhjet dhe të zhvillonte njëherë të vetme zgjedhje të lira dhe të ndershme në karrierën e tij. Ata theksuan se do të ishin të bashkuar dhe pas zgjedhjeve dhe se pushtetin nuk do ta ndanin me përqindje, por mbi bazën e prioriteteve që kishte vendi për zhvillim.
Rama
Kreu i PS-së, Edi Rama, foli dje për fitore të ndershme dhe për mbrojtjen që Aleanca për Shqipërinë Europiane duhet t’i jepte aleatëve të saj. “Ne nuk ka rëndësi vetëm të fitojmë, por edhe të fitojmë me ndershmëri, dinjitet dhe autoritet të plotë. Aleatët tanë dhe subjektet e tjera që janë opozitare që nuk janë koalicionin tonë kanë të gjithë të drejtën të mbrohen prej nesh
dhe ne do ta respektojmë deri në fund këtë drejtë, sepse ne jemi Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe së bashku me partnerin tonë strategjik, LSI, ne si Partia Socialiste, përfaqësojmë opozitën në komisione dhe grupe numërimit dhe kemi barrën të garantojmë votën e çdo zgjedhësi shqiptar”, deklaroi Rama, duke shtruar se rezultati që pritej për këtë aleancë ishte 77 deri në 80 mandate. “Ditën e diel ky rezultat duhet të jetë në kuti dhe me procesin të garantuar prej gjithë përfaqësuesve të dy partive tona, ky rezultat duhet të dalë i paprekur nga kutia dhe i tillë duhet të dalë”, bëri thirrje Rama.
Meta
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi se është shumë e rëndësishme që Berisha të kuptojë se zgjedhjet duhet t’i lejë të bëhen të lira dhe të ndershme. “Edhe një votë e vetme është mjaft e rëndësishme për standardin e këtyre zgjedhjeve dhe shpresoj që këtë ta kuptojë Kryeministri aktual, zoti Berisha, i cili duhet të pranojë më në fund zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri, të mos bëhet më një pengesë për to, të frenojë të gjitha strukturat e policisë dhe të shtetit që janë nën trysninë e drejtuesve të qeverisë dhe të Partisë Demokratike, që t’i shërbejnë standardit”, theksoi Meta, duke shtuar gjithashtu se ai ishte i bindur për fitoren e 80 mandateve në zgjedhje.
SHQIP
Add new comment