Rama dhe Berisha ndezin motorët e fushatës

-Edhe pse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, të dyja partitë kryesore kanë ndezur motorët e tyre elektoralë me prezantimin e kandidatëve në të 12 qarqet. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka çelur mbrëmjen e djeshme fushatën elektorale në qarkun e Fierit, ku prezantoi skuadrën e tij të deputetëve për garën e 23 qershorit. Ndërsa, Partia Demokratike prezantoi mbrëmje prezantimin e kandidatëve të saj për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit në Qarkun e Korçës. Kur duket i pamundur një debat televiziv i dy liderëve , kryetari i PD-së dhe i PS-së kanë zgjedhur që të sfidojnë njëri-tjetrin në mitingje.
Rama në Fier
Kreu socialist i bëri thirrje qytetarëve të këtij qarku që të votojnë alternativën e majtë për të shpëtuar nga varfëria ekstreme si pasojë e keqqeverisjes së vendit gjatë këtyre 8 viteve të drejtuara nga e djathta. Duke komentuar hapjen e fushatës elektorale të kundërshtarit të tij politik në këtë qark, lideri i opozitës akuzoi kryeministrin Berisha për ushtrimin e presionit ndaj administratës dhe nxënësve për të mbushur me forcë sheshet. “Saliu erdhi para ca ditësh dhe e mbushi sheshin me robër, ne sot erdhëm këtu dhe sheshi është mbushur me qytetarë, me të cilët më 23 qershor do të çlirojmë dhe robërit e qeverisë. Që të mos ketë më, mësues, mjekë, nëpunës shteti që merren zvarrë për qokat e pushtetit. Mos ketë rrogëtarë që tremben nga ky pushtet”. Partia Socialiste garantoi qytetarët e Fierit se pas ardhjes së saj në pushtet, do të ndëshkohen të gjithë ata që drejtues të PD-së që nxjerrin me dhunë punonjësit në mitingje. “Do më lejoni që në këtë tribunë t’u them 2 fjalë njerëzve të zakonshëm demokratë, jo atyre drejtorëve që pas 23 qershorit i pret gjyqi i publikut. Gjithë drejtorët demokratë që bëjnë presion mbi nëpunësit me votë do të përfundojnë në gjyq, për të dhënë llogari për presionet e tyre. Pas 23 qershorit shteti do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e gjithë shqiptarëve. Unë e di fare mirë se çfarë do i thotë Fieri, Saliut më 23 qershor. Në fjalën e tij, kreu socialist foli dhe për ekonominë dhe për sektorët strategjikë të vendit. Kryetari i PS-së u shpreh se shqiptarët do të çlirojnë pasuritë e naftës dhe burimet natyrore nga kthetrat e uzurpatorëve."Nuk e di se çfarë u tha Saliu fermerëve, por e di shumë mirë se fermerët më 23 qershor do të shkojnë të votojnë për të ulur koston e prodhimit, për të pasur naftë pa akcizë dhe për të pasur shërbime njëlloj si në qytet dhe për të pasur më në fund certifikatën e tokës së tyre”, deklaroi me tej Rama
Berisha në Korçë
Edhe në Korçë, kryeministri Berisha akuzoi sërish kryesocialistin Rama për bllokimin e Statusit të vendit kandidat në BE. Kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në qytetin e Korçës, ka sulmuar kreun e opozitës Edi Rama dhe atë të LSI-së Ilir Meta, për thurjen e një skenari, siç e cilësoi ai, me qëllim rrëzimin e qeverisë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për mundësinë e një debati televiziv me kryesocialistin Rama, shefi i qeverisë tha se ka qenë i hapur kurdoherë por sipas tij, është lideri i opozitës si që nuk ka pranuar. “Ke parë që më kërkon zoti Meta debat, të bëjnë tek a çift dhe ta vendosin. E kam ftuar dy herë Ramën, jo thoshte. Mbante hundën në qiell, por rezultati i në tokë. Tani del aleati i tij dhe do debat. Ti zgjidhin problemet me njëri-tjetrin. Kam respekt për kundërshtarët por një gjë ti them zotit Meta. Nuk mundet një ditë të flasë si qeveri një herë si opozitë. Kanë probleme të adaptimit të brendshëm, por do adaptohen”, u shpreh Berisha. Sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kreu i PD-së Berisha theksoi se kundërshtari i tij politik nuk po paraqet anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të mos njoh rezultatin e zgjedhjeve nëse i humb ato. Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi si akt moral vendimin për të përfshirë në listat e PD-së tre deputetët e PS-së, të cilët nuk ishin në listat e hartuara nga Rama. Duke komentuar edhe lënien jashtë listave të një numri eksponentësh të PD-së, Berisha tha se "nuk kanë mbetur jashtë listës se unë mendoj se ata nuk kanë qenë bashkëpunëtorë luajalë. Luajaliteti është një nga virtytet dhe ata kanë qenë luajalë". Duke iu referuar deklaratës së kundërshtarit të tij, i cili e ka krahasuar Korçën me Parisin, kryeminisitri i kërkoi Ramës të jepte përgjigje pse i mbylli dyert e BE-së. “Ne nuk kemi bërë gjë tjetër, por kokulur kemi mbështetur vlerat perëndimore që ju besoni, por krahu tjetër ka alternativë të vetme akuza, mohime mashtrime, bllokime, kjo është. A po shpik unë gjë? Pyesni veten si ka mundësi që ky njeri vjen i thotë Korçës je Parisi ynë, por Korça vërtet të ngjason me Parisin, unë ju them se unë kam miqësi në Francë me familje franceze dhe korçare dhe ka ngjashmëri po ku janë ngjashmëritë, jo vetëm në velenxa, por në aspiratat perëndimore. Atëherë, zotëri si ka mundësi që ti e quan Korçën Paris dhe i mbyll asaj dyert e Statusit kandidat në BE”, tha Berisha.
Fushata në Gjirokastër
Partia Socialiste prezantoi kandidatët e saj për deputetë në Qarkun e Gjirokastrës. Lista në këtë qark kryesohet nga deputeti aktual i PS-së, Arben Ahmetaj. Në fjalën e mbajtur para mbështetësve socialistë në rrethin jugor, Rama kërkoi votën për t’i dhënë fund, sipas tij, shtetit të angazhuar për pushtetin dhe abuzimeve me gjithë administratën zgjedhore.
Prezantimi i Ramës në Vlorë
Përmes rrjetit social, kreu socialist njofton se të shtunën pasdite do të bëjë në Vlorë prezantimin e tij si deputet. "Si asnjëherë në rrugën e jetës sime politike, ndjehem i emocionuar si të isha përpara provimit më të vështirë të maturës. Kam shumë gjëra për të thënë për Vlorën dhe më duket sikur nuk do di t’i them. Sot Vlora është një sfidë e madhe. Një projekt i mbetur në mes që mund të përfundojë mirë, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Po mund të përfundojë edhe keq, në dëm të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Varet nga drejtimi që do të marrë Vlora dhe vetë Shqipëria në 23 qershor. Por për këto dua të flasim të shtunën", shkruan Rama.
Erjon Braçe
Edhe pse tashmë nuk do të jetë më deputet i Beratit, Erjon Brace, që në këto zgjedhje garon në qarkun e Fierit bëri thirrje që populli të votojë PS-në, me qëllim që të pengojë Berishën të vjedhë pasuritë e këtij qarku. Sipas Braçes, 23 Qershorit do të jetë dita kur, Fieri do ndahet njëherë e mirë nga e shkuara për të shkuar drejt një së ardhmeje europiane. Kandidati tjetër i radhës dhe më i vjetri në këtë qark, Gramoz Ruçi prezantoi më pas, emër për emër kandidatët për deputetë në këtë qark.
Eurodeputeti i majtë gjerman, Knut Fleckenstein
“Shqetësimi ynë më i madh, e jo veç në grupin socialdemokrat, por dhe ne grupin e djathtë, PPE, është se çfarë do të bëhet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe se a do të bëhen vërtet zgjedhje të lira e të ndershme në qershor në Shqipëri. Kjo është një prej dëshmive që duhet të japë vendi, qeveria, për të treguar se është me të vërtetë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kemi pak frikë pasi lufta për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk na bën të besojmë se gjithçka po shkon mirë me këto zgjedhje”.
Kandidatët e PS për qarkun Fier
1-Gramoz Ruçi
2-Erjon Braçe
3-Eglantina Gjermeni
4-Ilirjan Celibashi
5-Armando Subashi
6-Arben Çuko
7-Pirro Lutaj
8-Majlinda Bufi
9-Ervin Koçi
10-Anduel Xhindi
11-Bujar Çela
12-Xhevit Bushi
13-Artur Çobani
14-Adelina Rista
15-Antoneta Dhima
16-Lindita Buxheli
SHEKULLI
Add new comment