Rama dhe Berisha në Kosovë

Gazetarë dhe analistë të Kosovës gjatë këtij forumi në gazetën “DITA” analizojnë vizitën e parë të Kryeministrit Rama në Kosovë. Përse u larguan deputetët e LDK-së nga salla e Kuvendit kur mbante fjalimin e tij Edi Rama, roli i Rugovës në pavarësinë e Kosovës dhe pse ende ka nga ata që e glorifikojnë figurën e Sali Berishës. Si është përjetuar në Prishtinë mundja e Sali Berishës dhe fitorja e socialistëve. Pse shumë kosovarë ndihen të zhgënjyer nga populizmi i Sali Berishës dhe cilat janë pritshmëritë e kosovarëve për qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Lidhur me këto flasin për gazetën “DITA”, analisti Imer Mushkolaj, ish kryeredaktori i gazetës Zëri, Astrit Gashi,redaktori përgjegjes i të përditshmes Tribuna, Arben Ahmeti si dhe redaktori i politikës në gazetën Expres, Shpend Limoni.
***
Imer Mushkolaj: Ramës i duhet ende kohë për të fituar simpatinë e kosovarëve
Si e vlerësoni gjestin e Edi Ramës që në ditën e parë si kryeministër i Shqipërisë, vizitoi Kosovën?
Vizita e Ramës së pari në Kosovë nuk duhet të jetë çudi për askënd, e as kuriozitet. Thjesht, Rama bëri atë që do të duhej ta bënte çdo kryeministër normal i Shqipërisë.
Me ç’të drejtë përfaqësues të Kosovës bojkotojnë kryeministrin e vendit tonë, i cili nuk shpifi dhe nuk shau Rugovën? Ju duket se në një farë mënyre është shkaktuar një incident?
Lidhja Demokratike e Kosovës tash sa vjet pas vdekjes së liderit Ibrahim Rugova, përdor emrin dhe veprën e tij në fushata zgjedhore. Edhe “incidentin” në Kuvend LDK u përpoq ta krijojë në këtë frymë dhe, besoj, me instruksione nga PD. Rama bëri atë që do të duhej kur shkoi dhe u përul para varrit të Rugovës. Deklaratat e ndonjë zyrtari të LDK-së se Rama po e dashka Rugovën “vetëm të vdekur” janë tejet pa takt. Tekefundit, brenda vetë LDK-së ka jo pak njerëz që Rugovën e duan vetëm të tillë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal gjatë te vizioni i tij për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si i shikoni pikëpamjet e tij për mbledhje të përbashkëta të dy qeverive dhe për çështjen kombëtare?
Ideja është e mirë, por nuk duhet të mbetet vetëm ide. Nuk mjaftojnë vetëm diskutimet për çështje të ndryshme apo takime kortezie. Duhet kaluar në çështje dhe projekte konkrete. Ka aq shumë gjëra që mund t’i bëjnë bashkë Kosova dhe Shqipëria dhe ka ardhur koha që ato të jetësohen.
Si shikohet Berisha dhe Rama në Kosovë? A është i vërtetë fakti se kosovarët janë më shumë të lidhur me Berishën se sa me Ramën?
Kosovarët kanë simpati më të madhe për Berishën, por ia njohin meritat Ramës në bërjen e Tiranës kryeqytet. I mbetet Ramës që me punën dhe qasjen e tij jo ta fitojë simpatinë e kosovarëve, sepse për këtë nuk ka nevojë, por të fitojë respektin e tyre për punën që bën. Kosovarët nuk kanë nevojë që Rama të sillet si Berisha në raport me ta. Ata kanë nevojë për një kryeministër normal të Shqipërisë, me qasje racionale e jo paternaliste.
Përse në Kosovë nuk është analizuar ndonjëherë figura e Berishës gjatë viteve 1994-1995 kur dërgonte naftë për Millosheviçin duke thyer embargon dhe sulmonte e përndiqte anëtarët e UÇK-së, përfshi edhe Hashim Thaçin?
Në krijimin e “mitit” të Berishës në Kosovë ka ndikuar shumë propaganda e PD-së dhe LDK-së, si dhe e mediave rreth tyre gjatë gjithë viteve ’90, por edhe më pas. Po ashtu, diskursi folkloriko-patriotik i Berishës ka ndikuar shumë në simpatinë e kosovarëve për të. Pak gazetarë dhe opinionistë janë marrë me analizimin e figurës dhe kontributit të Berishës në raport me Kosovën dhe thuajse çdoherë janë parë nga të tjerët si dofarë heretikësh që po guxuakan të flasin ashtu për Berishën.
***
Astrit Gashi: Ja pse është zbehur figura e Berishës në Kosovë
Si e vlerësoni gjestin e Edi Ramës që në ditën e parë si kryeministër i Shqipërisë, vizitoi Kosovën?
Një gjest shumë i mirë i cili në fakt vërteton premtimet e tij që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona do të jete intensiv, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur. Ka pasur kontakte ad-hoc dhe në baza interesash private. Kjo vizitë natyrisht që dërgon porosinë që Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë raporte të posaçme me njëra-tjetrën.
Me ç’të drejtë përfaqësues të Kosovës bojkotojnë kryeministrin e vendit tonë, i cili nuk shpifi dhe nuk shau Rugovën? Ju duket se në një farë mënyre është shkaktuar një incident ?
Bojkotimi ishte gabim. Ata që bojkotuan, në fakt po dërgojnë ujë në mullirin e gabuar – që është thellimi i hendeqeve politike, që nuk janë të shtyra as nga konceptet qeverisëse e as nga ato ideologjike por krejt personal. Gabimi tjetër është bërë dhe me identifikimin e qeverisjes së Shqipërisë me parti të caktuara në Kosovë – ndërkohë që do të duhej të dërgonin mesazhin e kundërt dhe atë të afrimit. Rama mund të ishte treguar me i kujdesshëm mund të mendoj secili dhe të ketë të drejtë ndoshta, por kjo nuk ishte arsyeja për veprimin e bërë pasi që ai vizitoi varrin e Rugovës ( kjo ishte në agjende dhe deputetët duhet ta dinin) dhe në fakt ai aty nuk po mbante një orë të historisë por një fjalim në Kuvend. LDK në tërësi nuk pati qëndrim, por individ të saj po. Përveç nxitjesh dhe interesash që mund të jenë bartur nga aleancat personale me opozitën në Shqipëri, mendoj se shumë më tepër bojkotimi është një fushatë politikë, pasi në nëntor do të ketë zgjedhje në Kosovë dhe me gjasë një grup i deputetëve të LDK-së që kanë performuar fare pak në Kuvend dhe që kanë qenë fare pak opozitarë- madje edhe shpesh flirtues e në shërbim të qeverisjes – patën dëshirë që këto gjëra t’i fshehin te votuesi i tyre duke u lidhur pas figurës së Ibrahim Rugovës. Reagimi ka qenë i pa pritur, i panevojshëm dhe i gabuar. Një incident krejtësisht për arsye private dhe i dëmshëm madje edhe për partinë ku ata ndodhen.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal gjatë te vizioni i tij për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si i shikoni pikëpamjet e tij për mbledhje të përbashkëta të dy qeverive dhe për çështjen kombëtare?
Mendoj se në vend të “historisë” secili në Kosovë përfshirë edhe deputetët të fokusohej te pjesa e fjalimit që i përket të sotmes dhe të ardhmes. Kryeministri i Shqipërisë për mendimin tim duke mos u drejtuar nga pozita e superiorit- siç bënte Berisha- ndoshta për herë të parë ofroi mundësinë e bashkëpunimit si dy pjesë krejtësisht të barabarta – ku secila ka çfarë t’i ofrojë tjetrës dhe së bashku të bëjnë një forcë rajonale. Pra ai vendosi një tonalitet të një bashkëpunimi praktik i cili do të na ofrojë më shumë dhe do të na forcojë më shumë si shtete. Bashkërisht. Kufinjtë nuk janë pengesë- sepse ata mund të bëhen vetëm virtual dhe të mbeten vetëm në hartë. Synimi ynë padyshim që do të jetë që të hyjmë në BE. Takimi i qeverive dhe detyrat e projektet që duhet të dalin nga këto takime janë një nismë e mirë. Mendoj se komunikimi ndërmjet shqiptarëve duhet të tejkaloj qeveritë, posaçërisht duke e pasur parasysh për kufizimet që ka qeveria jonë – në aspektin njerëzor dhe të ideve. Ajo pra nuk ka qenë efikase dhe nuk ka siguruar zhvillim të vendit. Jam skeptik se do të jetë e aftë që të prodhoj ide të përbashkëta. Për këtë arsye do të ketë nevojë- që fryma e bashkëpunimit nën misionin dhe frymën e përbashkët- ose në këtë rast të Qeverisë së Shqipërisë- të zbres edhe në nivelin e ekspertëve, shoqërisë civile, organizatave të biznesit dhe mediave dhe shoqërisë në tërësi. Besoj që kemi nevojë të njohim edhe më mirë njeri-tjetrin. Nga aty do të dalin idetë dhe projektet më të mira dhe më të realizueshmet. Nuk pres shumë nga involvimi i Qeverisë tonë.
Si shikohet Berisha dhe Rama në Kosovë? A është i vërtet fakti se kosovarët janë më shumë të lidhur me Berishën se sa me Ramën?
Kosova është ngjyra- ngjyra në këtë drejtim. Pra nuk ka uniformitet në mendim sikur mund të mendojnë disa në Tiranë dhe në tërësi në Shqipëri dhe kjo është e mira. Unë njoh shumë që në fakt mendojnë të kundërtën, por edhe të atillë që kanë respekt për secilin që është kryeministër në Shqipëri. Nuk jam në gjendje të dëshmoj në aspektin statistikor, por mendoj që meqënëse ka qenë lideri i pare post-komunist në Shqipëri, Berisha gëzon një simpati më të madhe. Por po aq sa jam i vetëdijshëm se një simpati e tillë ndaj tij në vazhdimësi, posaçërisht në vitet e fundit, ka shkuar duke u zbehur si pasojë e qeverisjes së tij atje, dhe se këtë e mendojnë madje edhe shumë prej atyre që e adhurojnë. Megjithatë mendoj se me rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe me iniciativat e përbashkëta do të vijmë në situatë tjetër- në atë normalen kur secili që zhvillon së pari Shqipërinë dhe pastaj shton bashkëpunimin me Kosovën do të jetë jo vetëm i pranueshëm, por edhe i dashur nga ne. Pak do të kenë rëndësi emrat. Besoj që Berisha do të ketë vendin e tij në histori të përbashkët. E ardhmja megjithatë është e atyre që e ndërtojnë dhe nisma e ndërmarrë nuk duhet të ndalet sepse përtej emrave është në interesin e përbashkët zhvillimor. Prandaj dialogu i Qeverisë së Shqipërisë duhet të shtrihet përtej partive, tek shoqëria qe ka ide dhe kreativitet- aty ku është edhe baza e liberalizmit kosovarë dhe ku ka më së shumti simpatizues. Mendoj se edhe Tirana dhe Qeverisja aktuale duhet të shoh përtej një partie apo një individi në Kosovë, posaçërisht kur kemi parasysh që të dyja këto nuk paraqesin zhvillim dhe as nuk janë të njëjtës frymë.
Përse në Kosovë nuk është analizuar ndonjëherë figura e Berishës gjatë viteve 1994-1995 kur dërgonte naftë për Millosheviçin duke thyer embargon dhe sulmonte e përndiqte anëtarët e UÇK-së, përfshi edhe Hashim Thaçin?
Nuk është se nuk është analizuar dhe se këtu nuk është shkruar për këto çështje, përfshirë jo vetëm luftën çlirimtare, por edhe tendencat për përdorimin e rezistencës paqësore dhe të vet Rugovës për nevojat e brendshme të saj. Është shkruar madje edhe për shume gjëra që vijnë edhe më vonë, që kanë prodhuar ftohje ndaj qeverisjes së Berishës. Mendoj se raportet e reja nuk duhet të ndërtohen në premisat e të kaluarës, por në ato të së ardhmes, duke e lënë të kaluarën për të mos na penguar. Këtu duhet të jetë i bazuar aduti i Ramës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Shumë paragjykime duhet të hiqen edhe nga andej.
***
Arben Ahmeti: Largimi i deputetëve të LDK-së nuk ishte incident
Si e vlerësoni gjestin e Edi Ramës që në ditën e parë si kryeministër i Shqipërisë, vizitoi Kosovën ?
Nuk e vlerësoj shumë simbolikën e vizitës sa fjalimin që mbajti Rama në Kuvend. Fjalimi ishte larg patriotizmave që vazhdimisht kanë ngulfatur marrëdhëniet Kosovë- Shqipëri e që vazhdimisht kanë
ngulfatur mundësitë e bashkëpunimit në praktikë. Për më shumë mendoj se Rama ka tejkaluar stigmën që ka përcjellë kosovarët dhe shqiptarët në marrëdhëniet mes tyre. Ideja është që marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri do të lulëzojnë vetëm atëherë kur i pranojmë dallimet dhe të
përbashkëtat që i kemi dhe duke u vlerësuar si të barabartë bashkëpunojmë në nivel reciprociteti. Kjo ishte qasja që konstatova nga fjalimi.
Me ç’të drejtë përfaqësues të Kosovës bojkotojnë kryeministrin e vendit tonë, i cili nuk shpifi dhe nuk shau Rugovën? Ju duket se në një farë mënyre është shkaktuar një incident?
Nuk ishte incident. Nuk ishte e rastësishme. Ishte rezultat i inateve të mëhershme dhe besoj shumë e shtytur nga qarqe politike në Shqipëri. Mendoj se atë ditë për herë të parë u importua në Kosovë një e keqe e madhe e Shqipërisë e që është ndarja deri në pakuptim e kampeve politike. Përndryshe veprimi ishte krejtësisht elektoral por jo aq i rëndësishëm sa u mundua të paraqitet.
Si shikohet Berisha dhe Rama në Kosovë? A është i vërtet fakti se kosovarët janë më shumë të lidhur me Berishën se sa me Ramën?
Berisha, Rama, Majko dhe të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë nuk shihen ne Kosovë si lider partish, por si lider të një vendi për të cilin kosovarët kanë ndjenja të veçanta. Kam ndjenjën se në të njëjtën
formë shihen edhe liderët kosovarë në Shqipëri. Marrë shembull: në Kosovë ekziston ideja që Berisha e anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat dhe ndërtoi autostradën. Si rrjedhojë kosovarët mendojnë se shqiptarët nuk kanë pse të ankohen për keqqeverisjen e Berishës. Njëjtë në Shqipëri, ekziston përshtypja se Hashim Thaçi e bëri Kosovën shtet dhe ndërtoi autostradën. Si rrjedhojë miqtë e mi në Shqipëri mendojnë se ne nuk kemi arsye që të ankohemi për keqqeverisjen.
***
Shpend Limoni: Kosova nuk ia ka pa hajrin populizmit të Berishës
Si e vlerësoni gjestin e Edi Ramës që në ditën e parë si kryeministër i Shqipërisë, vizitoi Kosovën?
Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Kosovë ka qenë e pritshme. Por fakti që ai vjen për një vizitë simbolike në Kosovë nuk do të thotë shumë, pasi pothuajse të gjitha vizitat e zyrtarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në vendet respektive, kanë gjithmonë me karakter të tillë – pra karakter simbolik. Pavarësisht se është vizita e parë, është dashur që Kryeministri i Shqipërisë të paktën të nënshkruaj një marrëveshje konkrete me autoritetet e Kosovës, për të treguar se qasja e tij është e ndryshme.
Me ç’të drejtë përfaqësues të Kosovës bojkotojnë kryeministrin e vendit tonë, i cili nuk shpifi dhe nuk shau Rugovën? Ju duket se në një farë mënyre është shkaktuar një incident?
Rama ka bërë gabim që në fjalimin e tij nuk e ka përmendur rolin e Ibrahim Rugovës për pavarësimin e vendit. Këtë e kanë e bërë edhe burrështetas botëror siç është Presidenti Clinton, Kryeministri Blair dhe të tjerë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal gjatë te vizioni i tij për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si i shikoni pikëpamjet e tij për mbledhje të përbashkëta të dy qeverive dhe për çështjen kombëtare ?
Shfaqja e gatishmërisë për bashkëpunim me Kosovën nuk mjafton. Të dyja palët tashmë jo vetëm që është dashur të identifikojnë fushat ku duhet bashkëpunim, por edhe do duhej të kishin bërë hapa konkretë në të gjitha, fushat: ekonomi, arsim, energjetikë, kulturë, sport, turizëm etj…
Si shikohet Berisha dhe Rama në Kosovë ? A është i vërtet fakti se kosovarët janë më shumë të lidhur me Berishën se sa me Ramën?
Është e vërtetë se kosovarët kanë një qëndrim më të ftohtë ndaj socialistëve. Vlen të ritheksohet se kosovarët e kishin parë me dyshim takimin Nano-Millosheviç në Kretë më 1998, pavarësisht se në atë takim sigurisht që nuk ishte shitur Kosova nga askush. Në anën tjetër raporti i kosovarëve si tërësi me Berishën është më i ngrohtë për shkak të natyrës së Sali Berishës. Por dihet se Kosova nuk ia ka pa shumë hajrin as populizmit të Berishës.
Përse në Kosovë nuk është analizuar ndonjëherë figura e Berishës gjatë viteve 1994-1995 kur dërgonte naftë për Millosheviçin duke thyer embargon dhe sulmonte e përndiqte anëtarët e UÇK-së, përfshi edhe Hashim Thaçin?
Ekzaltimi i kosovarëve me Berishën është shndërruar në mit. Të gjitha të bëmat e Berishës në raport me Kosovën tashmë dihen. Dihet që edhe Presidenti Rugova gjatë viteve 90′të i kishte ftohur marrëdhëniet me të. Por pas përfundimit të Luftës së Kosovës më 1999 pothuajse pati një konsensus nga të gjitha palët për një farë pajtimi. Përgjithësisht afrimi i shqiptarëve më shumë duket një çështje gjeopolitike që kërkohet nga aleatët e shqiptarëve, se sa pjellë e mendjes së strategjistëve shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë.
DITA
Add new comment