Rama: Berisha po e çon vendin drejt humnerës

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë një takimi elektoral në Maliq akuzoi Kryeministrin Sali Berisha se po e çon vendin drejt humnerës.
"Rritja e rrogave që thotë Kryeministri është më e ulët se rritja e cmimeve dhe kjo është një prej hileve të mëdha të kësaj kohe të vështirë. Shqiptarët janë vënë në rreshtat e gjatë të borxheve, të ushqimeve që i marrin me listë", tha Rama.
Kreu i PS-së theksoi se gjendja ekonomike e shqiptarëve është tejet e rëndë dhe se me ardhjen në pushtet do të ulen taksat për 95 për qind të shqiptarëve me qëllim përmirësimin e jetës së tyre.
"Kryeministri shpif kur flet për premtimet tona për heqjen e TVSH-së. Ne nuk kemi thënë asnjë moment se do të heqim TVSH-në për mishin, por kemi thënë që do të heqim taksën për bukën, qumështin, vajin, miellin dhe vezën, pesë produktet bazë që qytetarët mund të mbajnë frymën gjallë. Nuk mund të paguajnë më shqiptarët për ushqimet bazë. Kjo nuk ndodh as në vendet më të zhvilluara, por ndodh vetëm në këtë Shqipërinë e rrënuar nga Berisha", tha Rama.
Rama: Rilindja do nisë nga çlirimi i mësuesve
Kryesocialisti Edi Rama, ka deklaruar sot se më 23 qershor do të marrë fund dhunimi politik i buxhetorëve për të marrë pjesë në mitingjet e pushtetit. Duke iu referuar denoncimit të dy mësueseve nga Roskoveci, të cilat ishin detyruar që të dilnin në mitingun e Berishës, Rama ka shkruar në Twitter:
“Faleminderit dy mësueseve nga Roskoveci! Denoncuan drejtorin që i kërkon me zor në mitingun e Saliut! Ky soj fanatikësh do ndëshkohet publikisht. Kurrë më sheshe të mbushur me robër të pushtetit! Kurrë më mësues e nxënës të marrë zvarrë në mitingje! Kurrë më një Kryeministër që dhunon shkollën!Në 23 qershor do marrë fund robërimi i nëpunësve të shtetit dhe Rilindja do nisë nga çlirimi i mësuesve e i shkollave prej dhunës politike”.
Top Channel
Add new comment