Rama: Aleanca e majtë, minimumi 77 mandate. Islami është kthyer në një Laurë

Postuar në 11 Maj, 2013 02:44

 

“Aleanca për një Shqipëri Europiane del fituese pas 23 qershorit me të paktën 77 deputetë”: kështu ka deklaruar dje kreu i opozitës Edi Rama në emisionin Tonight të gazetares Ilva Tare. I pyetur për të larguarit dhe kandidatët e pavarur, Rama është shprehur: “S’ka më njerëz që vrapojnë pas berihajt, pas personazheve që kanë dalë në rrugën e kandidimit të pavarur vetëm për të bërë dëm, s’do bëjnë dëm”. Ndërkohë për moskandidimin e Agron Dukës, i cili ka shpallur kandidaturën me partinë Republikane në Durrës, Rama ka shpjeguar se:” unë kam mbrojtur mendimin se dy kunetër në dy forca aleate në të njëjtin front do ishin pak si shumë në të njëjtin qark, nga pikëpamja e ngarkesës politike, jo te personi”.

Rama është pyetur për vendimin e kandidimit në Vlorë dhe ai është përgjijur se: “Kam zgjedhur qytetin e pavarësisë për të dhënë një mesazh shumë të thjeshtë, pas 100 vjetësh kemi nevojë të bëhemi shumë serioz dhe të marrim përsipër të bëjmë shtet në këtë vend. Duke shkuar në Vlorë në fakt kam privilegjin të jem deputet i të gjithë trojeve shqiptare, pasi është vendi që nisi gjithçka në historinë e këtij shteti”.

Ndërsa vendimin e Arben Malaj për të kandiduar si i pavarur, Rama ka vlerësuar se: “Askush nuk është i domosdoshëm që të cënojë vazhdimisht axhendën e skuadrës”.

Për kandidimin e Koço Kokëdhimës, Rama ka thënë se: “ E kam ftuar si një bir i Bregut, një botues që ka kontribuar ndër vite për të majtën, që u ka mbijetuar presioneve të pashembullta të pushtetit, si një sipërmarrës që është shembull i rrënimit në rezistencën ndaj presionit të pushtetit, si një person që përmban një kulturë dhe dije të mjaftueshme”. Rama i ka cilësuar si turp akuzat e Kastriot Islamit dhe kryeministrit Berisha për lidhjen e tij me Koço Kokëdhimën. “Imagjinoni një person që PS ka kontribuar për të në 20 vite që përfundon në një Laurë, një turp. Bashkia aty është, shkoni dhe investigoni, mos e lini publikun në këtë lloj amullie. Kokëdhima nuk ka përfituar asgjë më shumë seç i ka takuar gjatë kohës që unë kam drejtuar bashkinë e Tiranës. sot jam shumë krenar për atë që kam bërë, teksa shoh se në ç’gjendje është katandisur Tirana.

Mund të investigoni, atje janë arkivat. Është një politikë e turpshme, një goxha burrë, Kryeministër i këtij vendi vazhdon e përbalt opozitën. Ku është Shqipëria vend i zhvilluar, ku kanë shkuar paratë e shqiptarëve. Sot ka 57% analfabetizëm funksional mes 15-vjeçarëve. E kuptoni çfarë rrënimi ka sjellë kjo lloj maskarade. Jam i vetëdijshëm dhe shumë i qartë për atë që ka ndodhur në këto 8 vite në vend. Duhet të hyjmë në rrugën e mirëqeverisjes, punësimit”, ka thënë Rama. I pyetur për rikthimin e Fatos Nanos dhe vendosjen e tij në krah të Malajt, kryesocialisti Rama e ka cilësuar si “rikthimi i Mumjes. Shqiptarët i janë mirënjohës Ismail Qemaili. Unë nuk e kam bërë kundërshtar Fatosin, ai ka vendosur të jetë kundërshtar i PS në çdo nevojë që ka pasur nevojë për mbështetje. S’kam arsye të shoh në gjithë rrugëtimin tim në krye të PS shkakun e sjelljes krejt të papranueshme të Fatos Nanos”.

I pyetur për vendimin që do të merret për KQZ-në, Rama ka deklaruar se janë të gatshmë për dialog për ti kthyer ligjshmërinë.

“Ne nuk kemi zgjedhur strategji të kompleksojmë një Kryeministër të papërgjegjshëm, një njeri që ka në dorë qeverinë në një proces zgjedhor. Kemi marrë përsipër të mbrojmë Kushtetutën dhe ligjin. KQZ është organizatë partie, nuk ekziston më , ta mbajnë ashtu, popullin e kanë përballë dhe le të guxojnë të përsërisin atë që bënë me Tiranën në 2011. Jemi të gatshëm për dialog për ta kthyer në ligjshmëri KQZ, nuk duan ta bëjnë, le ta mbajnë, por ta harrojnë se ne nuk do bëjmë mburojë nëse tentohet të shkelet mbi votat e sovranit”, ka thënë Rama.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.