Rama – Thaçi iniciojnë “Lidhjen e re të Prizrenit” në nëntor

Postuar në 07 Shtator, 2013 07:55

Nacionalizmat - Retorika e përdorur nga Berisha, nëntorin e kaluar, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, u konsiderua si e papranueshme nga fqinji grek dhe e rrezikshme në Beograd.

Procesi - Shqipëria dhe Kosova janë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, e para kërkon statusin e vendit kandidat, dhe e dyta duke përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ekonomia - Një nga sektorët më të rëndësishëm, ku pritet të zgjerohet bashkëpunimi mes dy vendeve, është ekonomia, bazuar kryesisht mbi tregtinë.

Arsimi - Sektori i arsimit shihet i nevojshëm të lidhet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nisur nga njehsimi i teksteve shkollore.

Bashkëpunimi

Mbledhje e përbashkët e dy qeverive në ditën e pavarësisë

Fatjona Mejdini

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, kur qeverinë shqiptare do ta drejtojë Edi Rama, duket se do të shkojë më larg sesa ishte parashikuar. Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dje, në selinë e Partisë Socialiste, për të zhvilluar një takim me Edi Ramën zbuloi planin për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, duke nisur nga muaji nëntor, që përkon dhe me 101-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Mbledhja e parë e nëntorit të këtij viti do të mbahet në Prizren. Pavarësisht kësaj retorike të fortë “bashkuese”, Rama bëri kujdes të theksojë se bashkimi i të dy vendeve do të bëhet në Europë. Rama konfirmoi gjithashtu se një pjesë e madhe e qeverisë shqiptare do t’i bashkohet për një vizitë zyrtare në Prishtinë, pak javë pasi qeveria e re të fillojë zyrtarisht punën. Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë dhe ai i Kosovës thanë se janë të vendosur për t’u dhënë dy vendeve një bashkëpunim që nuk e kanë pasur kurrë më parë. Ndërkaq, nuk dihet sesi ky bashkëpunim edhe qeveritar do të pritet në rajon, në kushtet kur shpesh, fqinjët e të dy vendeve janë “ankuar” për rritjen e nacionalizmit tek faktori shqiptar në rajon.

Rama

Kryeministri i ardhshëm, Rama, tha se mbledhjet e përbashkëta të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës do të nisin të mbahen në një muaj simbolik për shqiptarët, siç është nëntori, që përkon me pavarësinë. Edi Rama theksoi se këto mbledhje do t’i shërbejnë bashkëpunimit që kërkohet të zgjerohet në të dyja anët e kufirit. Ai zbuloi se një nga vizitat e para që do të zhvillojë si kryeministër do të jetë në Kosovë. “Ramë në një mendje me kryeministrin që, pas vizitës së menjëhershme që unë dhe një pjesë e konsiderueshme e ministrave do të bëjmë në Prishtinë, sapo të kemi kryer normalizimin e qeverisë, të fillojmë menjëherë përgatitjen e një takimi dypalësh mes të dy qeverive, një takim i përbashkët që ne do ta kthejmë në një institucion për t’i dhënë një shtytje të fortë bashkëpunimit mes nesh, në të gjitha ato fusha që bashkërisht kemi identifikuar”, theksoi Rama, në një konferencë për shtyp, që mbajti pas takimit me Thaçin. Por ai u kujdes të shtojë se bashkimi real mes dy vendeve do të jetë ai nën qiellin, apo ombrellën e Bashkimit Europian. “Jam i bindur që bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Thaçi personalisht do të sjellë hapa të tjerë në rrugën e një bashkëpunimi, që nuk fillon me këtë qeveri dhe sigurisht do të mbetet rruga e përbashkët drejt ëndrrës së bashkimit nën qiellin e Europës së bashkuar”, thekoi Rama.

Thaçi

Kryeministri i Kosovës, në fillim të fjalës së tij, theksoi se bashkëpunimi i tij me Ramën ka nisur herët dhe gjithmonë ka qenë i afërt dhe bashkëpunues. Në këtë kuadër, Thaçi theksoi se qeveritë e të dy vendeve i kanë të gjitha premisat pozitive për të rritur nivelin e bashkëpunimit mes tyre. Ai tregoi optimizëm në lidhje me mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, duke mos nguruar ta lidhë me simbolin e asaj që ndodhi në nëntorin e vitit 1912. “Jemi dakorduar për hapat e parë që do të ndërmarrim, e para me vizitën që do të bëjë Kryeministri Rama në Kosovë në ditët e ardhshme me një pjesë të kabinetit qeveritar. Gjithashtu jemi dakorduar që ne, gjatë muajit nëntor, të mbajmë edhe mbledhjen e parë të dy kabineteve qeveritare të Shqipërisë dhe të Kosovës në Prizren. Gjithashtu të angazhohemi edhe për festimin e 101-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”, theksoi Thaçi në fjalën e tij.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.