Rajerson: Korrupsioni është një rrezik për pavarësinë e Shqipërisë

Në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, Zëri i Amerikës ka vendosur të intervistojë ish- ambasadorët e SHBA në Tiranë. Ata kanë pyetur fillimisht Uilliam Rajerson, ambasadorin e parë pas rënies së komunizmit, që shërbeu në Tiranë nga viti 1991 deri në vitin 1994. Ai tha se do jetë në Shqipëri për këtë 100 vjetor për të parë se si shkojnë gjërat.
I pyetur se si i komenton mesazhet që dha Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton gjatë vizitës në Tiranë dhe se a do i kapërcejnë shqiptarët problemin e zgjedhjeve të lira dhe korrupsionit, ai tha: “Varet nga vetë shqiptarët nëse do ta bëjnë këtë. Kjo duhet filluar nga dikush. Kjo nuk duhet bërë pse tha Sekretarja Klinton. Ai dikush duhet të thotë i pari se nuk do e paguaj këtë gjë. Sekretarja Klinton ka të drejtë, korrupsioni është një rrezik për pavarësinë e Shqipërisë”.
Rajerson komentoi edhe faktin se pse politikanët shqiptarë duan t’ia lënë në dorë zgjidhjen të huajve.
“Gjithnjë ekziston një prirje e tillë. Kjo ka të bëjë me njëfarë shmangie përgjegjësie nga shqiptarët,” tha Rajerson.
I pyetur nëse Shqipëria ka bërë mjaftueshëm këto 22 vite, ai tha: “Ka bërë shumë, por do të shpresoja të kishte bërë më shumë. P.sh greva e urisë nxori në pah një problem sa i takon përballjes me të kaluarën. Shumë njerëz në Shqipëri nuk duan të përballen me të kaluarën”.
Mapo
Add new comment