Qeveria thirrje qytetarëve: Shmangni lëvizjet drejt Maqedonisë

Postuar në 10 Shtator, 2013 16:49

PRISHTINE- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ftoi sot qytetarët e Kosovës që momentalisht të shmangin lëvizjet drejt Maqedonisë, me përjashtim të rasteve urgjente.
Për shkak të bllokimit të kufirit që është bërë me automjete transportuese dhe autobusë në territorin e Maqedonisë para pikëkalimeve kufitare në Bllacë dhe Jazhincë të Maqedonisë, qytetarët e Kosovës momentalisht lejohen të kalojnë kufirin vetëm në këmbë. Aktualisht kufiri është i mbyllur për të gjitha automjetet, ndërsa kalimi i këmbësorëve bëhet pa pengesa nga të dyja anët e kufirit. Megjithatë, situata është e qetë dhe e qëndrueshme.
Sipas saj, masat e ndërmarra për bllokimin e importit të produkteve me origjinë nga Maqedonia mbesin në fuqi deri në vendimin e palës maqedonase për heqjen e të gjitha barrierave tregtare dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve ndaj Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe në rrugë institucionale të problemeve tregtare dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve me Republikën e Maqedonisë.”-përfundon njoftimi.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.