Qeveria shton dozën e importit të plehrave edhe me 4 mijë tonë

Qeveria në një nga mbledhjet e fundit të saj ka shtuar dozën e importit të plehrave. Edhe 4 mijë tonë të tjerë janë lejuar tëimportohen gjatë një viti nga kompania “Everest IE”, me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave dje. Një javë më parë u lejua importi i 2600 tonëve të tjerë për qëllime riciklimi nga Italia dhe Greqia. Mbetjet janë në formën e polietilenit dhe do të sillen në Shqipëri nga shtetet e Maqedonisë, Kosovës dhe vendet e BE-së. Sipas vendimit të qeverisë, transporti do të bëhet në rrugë tokësore dhe detare, duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve. Ndërsa për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, “Everest IE”, sh.p.k dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit dokumentin e lëvizjes ndërkufitare të mbetjeve Gjithashtu, çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me raport-analizë të kryer për aspektin e radioaktivitetit. Periudha e lejimit të importit të mbetjeve të polietilenit nga “Everest IE”, sh.p.k është njëvjeçare dhe fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Për të siguruar mbrojtjen e mjedisit e të shëndetit publik, merren masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të polietilenit nga “Everest IE”, sh.p.k pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ministria e Mjedisit komunikon, me shkrim, me shtetet eksportuese dhe ato transitore, për autorizimet përkatëse që lejojnë kalimin e kësaj sasie të mbetjeve të polietilenit, në përmbushje të kërkesave të konventës së Bazelit në të cilën Republika e Shqipërisë është palë. Çështja e importit të plehrave ka marrë një rëndësi të veçantë këtë vit. Importi ose jo i tyre do të vendoset në një referendum të posaçëm, i cili do të mbahet më 22 dhjetor. Kërkesa për këtë referendum është një nismë e një grupi përfaqësuesish ambientalistë dhe të shoqërisë civile, sipas të cilëve, vendi nuk ka strukturat për të kontrolluar hyrjen nga jashtë të mbetjeve e për pasojë mund të rrezikojë futjen edhe të lëndëve të rrezikshme. Pas një beteje të gjatë të nisur që në vitin 2011, çështja e importimit apo jo të mbetjeve do të jetë një zgjedhje e qytetarëve shqiptarë, të cilët do të duhet të shprehen me votë dhjetorin e ardhshëm. Pas vendimit të marrë në 8 mars nga Gjykata Kushtetuese, e cila konsideroi të vlefshme kërkesën për referendum, presidenti Bujar Nishani caktoi datën e mbajtjes së tij. Është hera e tretë që në Shqipëri do të organizohet një referendum. Më parë ishte në mbajtur në vitin 1994 për kushtetutën e vendit dhe në 1997-ën, kur u votua për zgjedhjen ose jo të monarkisë si formë të regjimit në Shqipëri. Por për herë të parë ky referendum vjen si një kërkesë e shoqërisë dhe jo e politikës. Zanafilla e debatit për importin e plehrave nis që kur u bë publike nisma e qeverisë për hartimin e një ligji të plotë për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. Ambientalistët kundërshtuan me forcë dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimi, duke argumentuar se Shqipëria nuk ka mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi sipas tyre mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme. Por sipas qeverisë, ligji ishte hartuar në përputhje me standardet europiane dhe janë vetëm 25 lloje mbetjesh që lejohet të hyjnë për qëllime riciklimi. Çështja e referendumit u zvarrit për një kohë të gjatë, fillimisht për shkak të përcaktimeve ligjore e më pas për shkak të koincidencës me zgjedhjet e qershorit, duke qenë se një referendum nuk do të mund të zhvillohet 6 muaj para skadimit të afatit të parlamentit dhe tre muaj pas mbledhjes së parlamentit të ri.
MAPO
Add new comment