Qeveria në ikje “bastis” pronat publike

Parku i Ministrisë së Brendshme jepet për pallat. Nisin ndërtimet
Qeveria vazhdon të transferojë në seri pronat publike te privatët në ditët e saj të fundit në detyrë. “Top Channel” ka mësuar se listës së gjatë të pasurive publike, që u janë kaluar privatëve, i është shtuar edhe një tjetër objekt, ai i parkut të automjeteve në Ministrinë e Brendshme. Bëhet fjalë për një sipërfaqe 550 metër katrorë, e cila është dhënë me qira për 20 vjet për ambiente shërbimi. Vendimi është marrë muajin e kaluar, ndërkaq në zonë privatët kanë nisur të ndërtojnë. Në pjesën fundore të parkut ka përfunduar së ndërtuari një objekt, ndërkohë që vijohet me ritme të shpejta ndërtimi i një tjetri. Punonjës të këtij parku deklaruan, në kushtet e anonimatit, se brenda në park janë prerë disa pemë, ndërkohë gjatë gjithë natës një ekskavator ka kryer gërmime. Zyrtarisht Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë asnjë informacion për transferimin e kësaj prone dhe as emrin e subjektit që e ka marrë atë, edhe pse në rrugë informale mësohet se ai është i afërm i zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme. Ditët e fundit, qeveria ka bërë transferimin edhe të një sërë pronash të tjera publike në duart e privative. Pak ditë më parë u bë publike dhënie me qira afatgjatë e konviktit të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, si dhe shitja e kabinave të plazhit në Divjake. Këto vendime janë kontestuar me forcë nga Partia Socialiste, e cila premton se ndër vendimet e para të qeverisë së re do të jenë pikërisht anulimi i këtyre vendimeve. Në mbledhjen e javës së shkuar, qeveria “Berisha” mori vendime për dhënien e 12 koncesioneve. Sipas vendimeve më shumë se 10 koncesionarë në fushën energjetike u dhanë. Qeveria gjithashtu miratoi dhe dy parqe eolike për prodhimin e energjisë me erë dhe dhjetë hidrocentrale, me koncesione, të cilat u akordohen për zhvillim të mëtejshëm kompanive. Kryeministri Berisha sqaroi se procedura e koncesionit është një proces shumë i gjatë, i cili fillon me studimin fillestar të burimit, ndonjëherë edhe me vëzhgimin e tij më shumë se një vit, me studimin e gjeologjisë, pronës e shumë aspekteve të tjera, duke lënë kështu të nënkuptohet se nuk janë vendime që po stisen ditët e fundit. Koncesionet u dhanë dhe për portet e Durrësit dhe të Shëngjinit. Të gjitha këto vendime të marra në mbyllje të mandatit qeverisës u kontestuan nga përfaqësuesit e PS-së. Partia që pritet të drejtojë qeverinë për këto katër vitet e ardhshme, PS, ka deklaruar se do të rishikojë të gjitha koncesionet e dhëna ndër vite nga “Berisha”, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë dhe anulimin e tyre, pavarësisht kostos financiare që ato mund të kenë.
Situata
Vendimi është marrë muajin e kaluar, ndërkaq në zonë privatët kanë nisur të ndërtojnë. Në pjesën fundore të parkut ka përfunduar së ndërtuari një objekt, ndërkohë që vijohet me ritme të shpejta ndërtimi i një tjetri
SHQIP
Add new comment