Qeveria heq ushqimin falas për punonjësit e policisë dhe gardës

Postuar në 22 Gusht, 2013 03:49

Këshilli i Ministrave ka vendosur heqjen e vaktit të ushqimit falas për të gjithë efektivët e thjeshtë të Policisë së Shtetit.

Sipas vendimit të ri, ky vakt do t’u ofrohet vetëm punonjësve të strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, si Forcat Speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ata do të trajtohen me një vakt dreke, kur shërbimi i punës është 8 orë, dhe me tri vakte, kur janë të angazhuar në veprime operacionale që zgjasin më shumë se koha normale e punës. Gjithashtu, vendimi i djeshëm u heq të drejtën përfituesve të marrin kompensimin e vaktit, në rast se në strukturat ku ata punojnë nuk ekziston infrastruktura e nevojshme për t’u ushqyer.

Deri më tani, punonjësit e policisë, që përfitonin të drejtën e trajtimit me ushqim për një vakt, “drekë”, në strukturat, që nuk kishin infrastrukturën e duhur për ushqim të gatuar, kompensoheshin në lekë, sipas vlerës së racionit bazë ushqimor për vaktin e drekës.

Ndërkohë që, vendimi i ri nuk përmban asnjë pikë në lidhje me këtë çështje, duke mos parashikuar në këtë mënyrë përfitimin e kompensimit.

Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave duket se ka penalizuar edhe disa kategori të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë. Kështu, deri më tani trajtoheshin me një vakt ushqim, efektivët që shërbejnë në strukturat operuese të Gardës së Republikës, ndërsa me ndryshimet e djeshme do të trajtohen me vakt ushqimor falas vetëm njësitë speciale, grupeve të gatshme të të cilave, për natyrë të veçantë pune, shërbimi u zgjat më shumë se koha normale e punës.

Gjithashtu, deri më tani njësia e ndërhyrjes së shpejtë, grupet e gatshme, të cilave, për natyrë të veçantë pune, shërbimi u zgjat më shumë se koha normale e punës, trajtoheshin me tri vakte ushqimi falas.
Ndërkohë që, vendimi i djeshëm nuk e parashikon më trajtimin e këtyre grupeve me vakte ushqimore. Ndryshim nuk ka pësuar vetëm trajtimi me tri vakte, i gjithë efektivit të Gardës së Republikës, për rastet e kalimit në gatishmëri. Ndryshimet për punonjësit e Gardës do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2014.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.