Qeveria garanton buxhetin deri më 2015, 1 mld USD kredi e papërdorur

Çdo qeveri që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, trashëgon një burim të garantuar për financimin e deficitit buxhetor. Pasi qeveria aktuale ka të nënshkruara më shumë se 860 milionë euro kredi, të cilat nuk janë disbursuar. Të dhënat janë marrë nga Ministria e Financave dhe tregojnë se me këtë shumë financimi i deficitit buxhetor është i garantuar deri në fillim të vitit 2016. Por mbi të gjitha, ky borxh ende i pakonsumuar përveçse garanton financimin e nevojave të ekonomisë në periudhë afatmesme, është i admirueshëm për kohën e gjatë të shlyerjes dhe interesat e favorshme dhe të kontrollueshme.
Konsumohet borxhi
Që të arrihet të mbahet një nivel borxhi 63 për qind deri në vitin 2016, qeveritë në tre vitet në vijim nuk kanë nevojë të negociojnë më kredi të reja. Ministria e Financave konsideron se është e mjaftueshme të disbursohen dhe të futen në punë mbi 1 miliard dollarët tashmë të nënshkruar nga qeveria, por ende të papërdorur. Gjatë dy viteve të fundit ministri i Financave, Ridvan Bode shfrytëzoi çdo mundësi me donatorët për të firmosur kredi me interesa të favorshme për projektet kryesisht në infrastrukturë. Ekspertët e borxhit në Ministrinë e Financave thanë se opsioni i financimit të huaj është mbajtur në konsiderate si alternativa më e mirë e mundshme dhe për vitet që vijojnë. Kjo, sipas ekspertëve, jo vetëm për arsye se treguesit e kostos dhe të riskut janë më të mira dhe të menaxhueshme, por edhe sepse kreditë e nënshkruara dhe të padisbursuara përbëjnë një shumë të konsiderueshme, e cila është e mjaftueshme për të plotësuar nivelin e deficitit buxhetor për tre vitet 2013-2015. Por ekspertët e Bodes vënë në dukje se duhet të menaxhohet me kujdes zbatimi në afat i kredive ekzistuese dhe të mënjanohet nënshkrimi i kredive të reja, të cilat disbursohen në këtë periudhë afatmesme.
Gjendja
Që kur Shqipëria doli nga klasifikimi si vend me të ardhura të ulëta në vend me të ardhura mesatare, mundësitë për të marrë hua me interesa 2-3 për qind dhe me afat shlyerjeje 20-25 vjet nuk janë më. Tani vendi krediton nevojat për financim me kushte tregtare. Stoku i borxhit të jashtëm i kontraktuar me terma jokoncesionalë vazhdon të rritet në raport me borxhin me interesa koncesionale. Për herë të parë, për 2012 borxhi koncesional është vetëm 1% më i ulët se borxhi tregtar, duke sinjalizuar për trendin e financimit të huaj me terma tregtarë gjithmonë e më tepër. Përgjatë 2012-ës si dhe në vitin 2011 u vu re gjithashtu dominimi i kredive të nënshkruara me interes fiks. Pjesa e financimit të huaj me interesa fikse raportohet në 73.6%, edhe pse evidentohet një tendencë rënieje përgjatë periudhës 2010- shtator 2012. Borxhi me interesa të ndryshueshëm është në masën 26.4%, duke njohur një rritje modeste gjatë kësaj periudhe. Për sa i përket borxhit të jashtëm, stoku i tij në fund të 2012-ës është në nivelin 2.6 miliardë euro, nga i cili 2.2 miliardë është borxh shtetëror dhe 283 milionë euro është borxhi i garantuar. Kreditë që kanë patur ecuri pozitive gjatë implementimit janë në sektorin e energjisë, infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizime dhe shëndetësi.
860
Milionë euro arriti stoku i kredive të nënshkruara dhe të padisbursuara deri në fund të vitit me bankat dhe qeveri të huaja.
73
Për qind të kredive të huaja, të nënshkruara tashmë, janë me interesa fikse, dhe rreth 26 për qind e tyre janë me interesa të ndryshueshëm sipas euroborit
MAPO
Add new comment