Qeveria e re, programi i 300 ditëve të para nuk bëhet publik

Kryeministri i ri që pritet të mandatohet për të qeverisur vendin në shtator, e ka nisur këtë detyrë me mosmbajtje të fjalës së dhënë publikisht. Kjo të paktën ka ndodhur sa i përket publikimit të programit të 300 ditëve të para, për hartimin e të cilit dy partitë e mëdha ngarkuan respektivisht Ilir Beqen dhe Edmond Haxhinaston. Megjithëse është bërë e ditur se ky program ka përfunduar dhe iu është dorëzuar dy liderëve të dy partive kryesore të këtij koalicioni, ai nuk është bërë publik ashtu sikundër premtoi vetë Rama gjatë mbledhjes së parë të grupit të ri parlamentar socialist që u mbajt në fillim të korrikut. Gjatë asaj mbledhjeje Rama u shpreh se brenda trejavëshit të parë të muajit korrik programi do të bëhej publik, çka në fakt kur kanë kaluar më shumë se 20 ditë prej skadimit të këtij afati ai nuk është bërë publik. Gjithsesi, dy protagonistët e këtij programi emergjence kanë bërë të ditur disa nga prioritetet që janë përfshirë në të si masat emergjente për stabilizimin e financave publike, rritjen e të ardhurave tatimore dhe doganore dhe uljen e informalitetit, duke detyruar të gjitha subjektet të shlyejnë detyrimet e tyre me shtetin. Vetë Beqja disa ditë më parë do të bënte të ditur se në programin e 300 ditëve do të përfshihen masat e menjëhershme që do të realizohen brenda 100 ditëve, me përpjekjen për të rikthyer stabilitetin dhe normalitetin në disa sektorë, siç është administrimi i financave publike, territori, rendi publik, problemet e energjisë etj.
Mapo
Add new comment