Qeveria e re, biznesi taksë të sheshtë, progresivitet te të ardhurat personale

Postuar në 12 Korrik, 2013 08:05

Rastet e abuzimeve

Porto Palermo - Deputeti socialist, Beqja, theksoi se aktualisht është thënë një koncesion i pakërkuar nga qeveria aktuale për ngritjen e një porti jahtesh në Porto Palermo
Porti i Vlorës - Deputeti i PS-së, Braçe, deklaroi se aktualisht në Ministrinë e Transporteve po bëhet një tender për Portin e Vlorës dhe një firmë e afërt me Berishën është futur papritur në garë
Shitja e tokave - Beqja theksoi se aktualisht në Ministrinë e Financave po kryhet një ankand për të shitur tokë publike. Sipas tij, kjo nismë e tillë në këtë moment ishte thjesht e paimagjinueshme
Peshkimi në Lezhë - Deputeti socialist theksoi se këto ditë në mënyrë abuzive një peshkarexhë italiane po peshkonte në brigjet e Shëngjinit duke mos respektuar asnjë normë për ruajtjen e specieve
Beqja dhe Haxhinasto folën për kundërshtimin në shëndetësi. Jo më mungesa barnash në spitale

Borxhi - Palët theksuan dje, se ende nuk e kanë vendosur se cili do të jetë limiti për borxhin publik. Ata theksuan se ai do të jetë më i ulët se aktualisht, por ende nuk është përllogaritur shifra
FMN - Haxhinasto theksoi se qeveria e re e së majtës që do të krijohet në shtator, e ka shumë të rëndësishme komunikimin intensiv me FMN-në, por ende nuk ka një vendim për rikthimin e saj
Fatjona Mejdini

Dy koordinatorët e programit të qeverisë së re të majtë, Ilir Beqja nga Partia Socialiste dhe Edmond Haxhinasto nga Lëvizja Socialiste për Integrim, shpjeguan dje një pjesë të programit të qeverisë së ardhshme për sa u përket dy elementeve kyçe, taksimit dhe shëndetësisë. Të ftuar në “Top Story” të Sokol Ballës dhe gazetarëve në panel, ata theksuan se për momentin taksimi progresiv do të nisë për të ardhurat personale, pavarësisht se aty nuk është vendosur ende limiti për taksimin mbi dhe nën 10 për qind. Sipas tyre, biznesi në vend do të vijojë të mbetet me taksën e sheshtë dhe si fillim do t’i hiqen dy taksa të rëndësishme, ajo e kohës dhe e ryshfetit, duke parë më pas sesi mund të bëhet taksimi progresiv. Nga ana tjetër, ata folën për kundërshtitë e tyre në lidhje me formën e financimit të sistemit shëndetësor në vend, por dhe për zotimin se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, në spitalet shqiptare nuk do të mungojë asnjë ilaç.
Taksat

Ilir Beqja nga PS-ja dhe Edmond Haxhinasto nga LSI-ja, theksuan dje se të dyja partitë binin dakord për progresivitetin që do të kenë taksat në vend. Por, sipas Beqes, në fillim do të ketë një taksim progresiv vetëm për sa u përket të ardhurave personale, duke e lënë biznesin për momentin me taksën aktuale të sheshtë. Përfaqësuesi i PS-së theksoi se për biznesin fillimisht do të hiqen dy taksa të rëndësishme, që janë taksa e kohës dhe ajo e ryshfetit dhe më pas do të shikohet mundësia e taksimit progresiv duke e njohur më nga afër situatën. Por edhe për sa i përket taksimit mbi të ardhurat personale ende nuk janë vendosur se cilat do të jenë kategoritë që do të taksohen mbi apo nën vlerën 10 për qind. “Do të ketë një taksim progresiv vetëm mbi të ardhurat personale, do të biem dakord nëse ky taksim do të jetë nën apo mbi 10%. Nga ana tjetër, për biznesin si fillim do të heqim dy taksa të rëndësishme, që janë ajo e kohës dhe e ryshfetit. Shkalla tatimore më e lartë do të jenë në harmoni me raportin tatim-fitimi plus dividenti”, sqaroi Beqja.
Shëndetësia

Sektori i shëndetësisë u konsiderua dje si reforma më e madhe që do të ndërmerret nga qeveria e re. Por pavarësisht faktit se palët bien dakord për rëndësinë e kësaj reforme dhe faktin që ajo duhet të mbulojë një pjesë sa më të madhe të territorit, palët kanë divergjenca në lidhje me modelin e financimit. Përfaqësuesi i LSI-së, Edmond Haxhinasto, theksoi dje se partia që ai drejton kërkon që të ruhet skema aktuale e sigurimeve shëndetësore, por me rritjen e kontributit, në mënyrë që shërbimet e realizuara të jenë më të mira për qytetarët. Nga ana tjetër, PS-ja ka theksuar qartë në programin e saj se kontributi për shërbimin shëndetësor do të jetë pjesë e taksës së përgjithshme që paguan çdo qytetar i Shqipërisë, duke mos e quajtur atë taksë për shërbimin shëndetësor. Por, pavarësisht pikës së pazgjidhur për formën e financimit, palët theksuan dje në “Top Channel”, se kanë rënë dakord për çështje të rëndësishme, siç janë pajisja e spitaleve me barna brenda 100 ditëve të para të qeverisë. “Në spitalet shqiptare, brenda 100 ditëve nuk do të mungojë asnjë ilaç, ky është një zotim i marrë tashmë nga grupet e punës”, theksoi Beqja. Nga ana tjetër, ata kanë vendosur se një vëmendje e madhe do të vendoset te procesi i diagnostifikimit dhe kontrollet e shpeshta mjekësore me kosto të ulët.
Takimi

Dy grupet e caktuara për hartimin e një programi të përbashkët pune u mblodhën dje për të diskutuar më shumë se katër orë pa ndërprerje në lidhje me dokumentin që do të shërbejë si udhëheqës i qeverisë në vitin e saj të parë të drejtimit. Të drejtuar nga Ilir Beqja i PS-së dhe Edmond Haxhinasto i LSI-së, dy grupet diskutuan dje për çështje të rëndësishme, si taksimi dhe shëndetësia, të cilat janë elemente bazë që kërkojnë masa emergjente për t’u marrë. Në ditët e ardhshme takimet mes palëve do të jenë tepër intensive, si rezultat i faktit se do të jetë dhe java e fundit e përpunimit të dokumentit për të cilin ka nisur puna prej tri javësh tashmë.

Konstatimi
Jaka: Ministrat e Berishës harbutë, shkëputën lidhjet me biznesin
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, deklaroi dje, se qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha e kishte humbur lidhjen e saj me biznesin. Sipas Jakës, vitet e fundit, disa ministra të rëndësishëm të qeverisë Berisha kishin ndërtuar pashallëqe, ishin bërë harbutë dhe prepotentë duke shkëputur të gjitha ligjet e tyre me biznesin. “Pavarësisht vullnetit të shprehur nga Kryeministri Berisha për bashkëpunim me biznesin, ministrat e qeverisë kishin krijuar pashallëqet e tyre, duke u bërë harbutë dhe prepotentë në marrëdhëniet me biznesin, duke i shkëputur plotësisht lidhjet me ta”, theksoi Jaka. Ai shtoi se uronte që marrëdhëniet e qeverisë së re me biznesin të ishin të afërta dhe bashkëpunuese, ashtu siç ishte premtuar nga Edi Rama gjatë fushatës elektorale.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.