Qeveria do të ndryshojë strukturën. LSI pritet të marrë 4 portofola

Postuar në 29 Qershor, 2013 09:13

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

PS - Socialistët pritet të mandatojnë si ministra Shkëlqim Canin, Mimi Kodhelin, Milena Hariton, Sajmir Tahirin dhe disa të tjerë 

LSI - Disa nga emrat më të përfolur për ministra nga radhët e LSI-së janë Lefter Koka, Nasip Naço dhe Shezai Rrokaj.

Aleatët - Në postin e ministrit të Drejtësisë pritet të jetë Spartak Ngjela. Poste ministrore presin dhe Dule, Gjinushi e Milo

Rregulli - Rama dhe Meta kanë bërë të qartë se asnjë ministër nuk do të mbajë mandatin e deputetit. Ende nuk dihet vendimi i Ramës për mandatin e tij

Negociatat   

PS do të mbajë Ministrinë e Brendshme, Shëndetësinë e fshatin

Fatjona Mejdini

Kabineti i ri qeverisës i Shqipërisë pritet të jetë i ndryshëm nga struktura aktuale e Këshillit të Ministrave. Burime pranë mazhorancës së re bëjnë të ditur se do të rikonceptohet i gjithë skeleti qeverisës duke mos shtuar ministri por duke rikonceptuar ndarjen e përgjegjësive jo thjesht në koalicion por sipas prioriteteve të mandatit. Edhe pse burime pranë LSI-së bëjnë të ditur se kjo forcë politike do të ketë katër portofola ministrore, nga ana e PS-së njerëz që po merren me negociatat, theksojnë se jo vetëm që nuk është vendosur, por nuk ka një ndarje paraprake portofolash. Partia e Ilir Metës duket se do të ketë një peshë të rëndësishme në kabinet, ku deri tani mësohet se do të ketë përgjegjësinë e transporteve dhe infrastrukturës, pushtetin lokal, ndërkohë që bëhet e ditur se ka kërkuar edhe arsimin, por që nuk është e vendosur përfundimisht. PS mësohet se do të mbajë dikasterin e Ministrisë së Brendshme, Shëndetësinë, dikasterin e zhvillimeve rurale dhe ndoshta edhe Arsimin.

Qeveria e re e së majtës në pushtet do të jetë një kabinet ku shumica e tij do t’i përkasë socialistëve, një pjesë LSI-së dhe shumë pak aleatëve të tjerë të këtyre dy forcave. Pavarësisht deklaratave të Edi Ramës dhe Ilir Metës se pushteti i ardhshëm nuk do të ndahet me përqindje, një raport normal do të vendoset në ndarjet e kabinetit të ri, sipas votave që vetë partitë kanë mbledhur. Në rastin e LSI-së duket se më shumë se një ndarje numerike do të jetë një ndarje e cila do të bazohet mbi nevojën e aksioneve që kjo forcë politike kërkon të ketë brenda kabinetit qeverisës. Por mundësia është e madhe që dhe aleatët, si Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo të jenë pjesë e kabinetit të ri. Por përpara se emrat e ministrave të vendosen, mazhoranca e re ka përpara sfidën e një ndarje të re të posteve ministrore, duke bërë një rikonceptim të tyre. Ajo që është e sigurt është krijimi i një ministrie që do të jetë e Zhvillimit Rural, por burimet bëjnë të ditur se dhe Ministria e Brendshme do të ndahet në dy pjesë, atë të Rendit dhe Pushtetit Vendor.

Struktura

Qeveria e re nuk do të jetë shumë e ngjashme me këtë aktualen për sa i përket strukturës që dikasteret do të kenë, po kështu dhe emërtimet e tyre. Gjatë fushatës elektorale, Rama bëri një premtim konkret për të ngritur një ministri të re në vend, atë të Zhvillimit Rural. Me siguri kjo ministri do të ezaurojë dhe atë të Bujqësisë. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm pritet të ndodhë në Ministrinë e Brendshme, e cila ka funksionuar si e tillë vetëm gjatë tetë viteve të qeverisjes së Berishës. Më parë socialistët e kishin ndarë këtë ministri në dy dikastere, atë të Rendit dhe të Pushtetit Vendor dhe mesa duket, kjo lloj ndarje do të aplikohet sërish. Nuk dihet ende nëse Rama do të ngrejë një ministri për çështjet e emigracionit, nisur dhe nga nevoja e madhe dhe kërkesat që ka për një dikaster të tillë.

Emrat

Ndarja e pozicioneve ministrore mes forcave të koalicionit gjithmonë shoqërohet me emrat e ministrave. Në selitë e partive, ashtu siç dhe pritej, kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë. Vetë socialistët pritet të mbajnë ministri të rëndësishme siç është ajo e Financave, ku emri më i lakuar është ai i deputetit të Dibrës, Shkëlqim Cani. Po kështu pritet që në ekzekutiv të kalojnë dhe dy gra të spikatura për çështje të menaxhimit, Mimi Kodheli dhe Milena Harito. Nga ana tjetër, ministrat e parë që po përfliten në radhët e LSI-së janë Lefter Koka për të qenë në Ministrinë e Transporteve dhe Nasip Naço për të drejtuar Ministrin e Jashtme. Nga ana tjetër, emri i Shezai Rrokajt për të qenë ministri i ri i Arsimit duket se po diskutohet gjerësisht. Por diskutimet për emrat e ministrave të rinj prekin dhe aleatët e tjerë të së majtës. Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka qenë i pari që përpara fushate ka theksuar se Edi Rama i kishte premtuar se ai do të ishte ministri i ri i Drejtësisë. Por duket se Rama detyrime ka dhe për sa u përket dy aleatëve tradicionalë të tij, siç është Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo. Në qeveri pritet të përfaqësohet me ministri dhe Vangjel Dule i cili u bashkua në koalicionin e majtë me Partinë e tij Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Dule pritet të jetë vetë në rolin e ministrit dhe pritet që ministria që do të drejtojë të ketë të bëjë me çështje të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut. Rama ka deklaruar që herët se ministrat e rinj të kabinetit të tij nuk do ta kenë mandatin e deputetit.

 

Aleatët

 

LSI mbledh kryesinë, kryetari merr mandat për bisedimet

 

Meta: Kryeministri do

të jetë edhe deputet

 

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi dje kryesinë e saj, për të mandatuar kryetarin Ilir Meta për formimin e kabinetit të ri qeveritar dhe për të diskutuar në lidhje me formën e tij në kuadër të kërkesave të LSI-së. Në një konferencë për shtyp pas këtij takimi, Meta theksoi se ende nuk po diskutohej për një ndarje ministrish dhe se numri i tyre nuk përbën asnjë problem për LSI-në. Sipas tij, ajo që ka rëndësi në këtë moment lidhet me nevojën e një programi afatgjatë dhe të mirëdetajuar. Në A1 Televizion, Meta theksoi se kjo qeveri e re do të ketë një formë të veçantë organizimi. “Do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që perceptohet, si një qeveri me disa nënqeveri”, theksoi ai. Meta foli për strukturën e re, duke theksuar se ajo do të kërkojë një angazhim të madh të njerëzve që do të zgjidhen si ministra, por dhe atyre që do të jenë deputetë. “Besoj se qeveria do të ketë punë jashtëzakonisht të mëdha, do të ketë një barrë të rëndë të cilat kërkojnë që ata që do të jenë ministra, të jenë 24 orë të angazhuar për të bërë detyrën e ministrit. Ndërkohë që Parlamenti do të ketë shumë angazhime, shumë detyrime, që do të thotë se edhe deputetët që do të jenë në Parlament, kanë një punë shumë të madhe për të bërë. Njëkohësisht krijohet edhe një raport i ri midis Parlamentit dhe qeverisë, që do të jetë një raport edhe bashkëpunimi, edhe transparence”, theksoi Meta. Nga ana tjetër, ai zbuloi se e kishte këshilluar kreun e opozitës, Edi Rama, që të mos e japë dorëheqjen nga mandati i deputetit në kuadër të pozicionit të Kryeministrit, pasi kjo personalisht i dukej pa sens. “Ai ka qenë i prirur për këtë gjë. Por, unë mendoj se nuk është diçka që bën sens, po të kemi parasysh se do të jetë jo vetëm Kryeministër, por normalisht edhe kryetar i mazhorancës parlamentare, që ka njëkohësisht përgjegjësi për vendimet e grupit parlamentar. Në këtë rast, sipas mendimit tim, kjo nuk ka sens”, tregoi Meta. Ai theksoi se në krye të Parlamentit do t’i japë rolin e merituar opozitës së vendit. “Të gjitha liritë dhe hapësirat që i krijohen opozitës në një vend europian. Respektin maksimal për të thënë fjalën e saj, për të afirmuar idetë e saj, propozimet e saj. Absolutisht një respektim rigoroz i rregullores, por mbi të gjitha, transmetimi i një fryme bashkëpunimi dhe respekti ndaj opozitës”, premtoi Meta.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.