Qeveria, 1262 ha në Karavasta për kompensimin e pronarëve

Qeveria ndryshon fondin e kompensimit. “Panorama” zbardh cmimet për dhënien me qira.
Qeveria ka miratuar së fundmi procedurat e dhënies me qira të tokës shtetërore. Njëkohësisht me këtë ka kaluar nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë një seri pasurish të tjera. Lidhur me ish-pronarët, edhe pse ka vijuar kompensimin në para për një kontingjent të caktuar, ka parë si mënyrë kompensimi me tokë në bregdet dhe kryesisht në zonën e Lushnjës, në pjesën e Karavastasë së Re.
PROCEDURAT
Procesi i qiradhënies së një toke bujqësore menaxhohet nga një bord, pjesë e të cilit janë pesë përfaqësues të pushtetit vendor, por edhe atij qendror. Në vendimin e qeverisë përcaktohet se ky bord merr në shqyrtim gjithë kërkesat që paraqiten për të marrë me qira një tokë bujqësore që është pronë shtetërore. Në kushtet kur numri i kërkesave mund të jetë më shumë se një, dhënia me qira kalon përmes procedurës së ankandit, i cili është lajmëruar më herët për zhvillim përmes mediave. Të gjithë të interesuarit paraqesin, bashkë me kërkesën, një sërë dokumentesh që lidhen specifikisht me sipërfaqen e tokës që synohet të merret me qira. Të gjitha subjektet paraqesin ofertat e tyre dhe kriteret e vlerësimit të tyre përcaktohen nga ministri i Bujqësisë në një udhëzim specifik. Në vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet edhe vlera minimale për hektar në vit për tokat, ku si kriter vlerësimi shërben niveli i bonitetit të tokës, e cila ndahet në shtatë kategori të para, që kanë çmime nga më i shtrenjti tek më i liri dhe tre të dyta, që kanë një nivel çmimi. I njëjti vendim përcakton edhe afatet e dhënies me qira të tokës bujqësore shtetërore. Kështu, afati më i shkurtër i qiradhënies është 10 vjet për ata që e marrin këtë tokë me orientim kultivimi të bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative. Jepet me afat 30-vjeçar për ata që e orientojnë këtë tonë në kultivimin e vreshtave pemëtore ndërtim serash. Afati më i gjatë i marrjes me qira të një toke është për një periudhë 99 vjet për rastet kur kultivimi ka si orientim ullishtat.
PANORAMA
Add new comment