Qeveria ‘Rama’, asnjë ministër i Nanos, tre të ‘Berishës’

Postuar në 01 Gusht, 2013 07:59

Qeveria e re ndahet vetëm mes PS dhe LSI, ka 6 gra dhe 90% e anëtarëve janë ministra për herë të parë. Tre prej ministrave të LSI, anëtarë edhe në kabinetin “Berisha”. Rama: Me Ngjelën nuk ramë dakord për pozicionin, bashkëpunimi me Dulen vazhdon

Edi Rama prezantoi ministrat e kabinetit të tij: një qeveri e re në moshë dhe eksperiencë, e ndarë vetëm mes PS-së dhe LSI. Sikurse pritej, LSI-ja e Ilir Metës mori 5 portofola ministrorë, ndërsa risia qëndron tek përfshirja e 6 grave në kabinet. Kryeministri i ardhshëm nuk i respektoi marrëveshjet me aleatët e tjerë, duke lënë jashtë kabinetit Vangjel Dulen e PBDNJ, avokatin Spartak Ngjela apo partinë surprizë të këtyre zgjedhjeve, që pas 23 qershorit drejtohet nga deputeti Mark Frroku. I pyetur për lënien jashtë të aleatëve, Rama tha se PS dhe LSI marrin përsipër përgjegjësinë e plotë të mandatit plebishitar të 23 qershorit. “Me aleatët më të mëdhenj apo më të vegjël jemi në një proces diskutimi dhe ju siguroj se do të ndajmë përgjegjësi, por nuk do të ndajmë parcela”, – shtoi ai. Rama u ndal më gjatë tek emri i Ngjelës, me të cilin kishte edhe një marrëveshje paraprake për t’i besuar Ministrinë e Drejtësisë. “Me keqardhje them se nuk kemi rënë dakord për pozicionin. I është propozuar, e ka refuzuar në të drejtën dhe lartësinë e reputacionit të tij”, – tha kryetari i PS. Rama premtoi se ministrat e tij do të shërbejnë “me nder dhe me duar të pastra”, ndërsa shtoi se ata do të jenë ballë për ballë me publikun, të zhveshur nga çdolloj imuniteti.

Ministrat “surprizë”

Kryebashkiaku Niko Peleshi ishte emri më i paparashikuar në listën “Rama”, i cili me marrjen e detyrës si zv.kryeministër do të hapë një garë të re zgjedhore për Bashkinë e Korçës. Një tjetër emër që nuk kishte qarkulluar në media ishte ai i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, që së bashku me Mimi Kodhelin, Lindita Nikollin, Eglantina Gjermenin, Milena Hariton dhe Klajda Gjoshën e LSI përmbushin premtimin e Ramës për qeveri me numrin më të madh të grave në historinë e Shqipërisë. Por qeveria e re mbart edhe mjaft pikëpyetje, e njëra prej tyre qëndron tek Ministria e Drejtësisë, të cilën Rama ia privoi Ngjelës, duke ia dhënë LSI-së. Ajo do të drejtohet nga Nasip Naço, ministër edhe në qeverinë e djathtë të Berishës, sikurse edhe Edmond Haxhinasto dhe Edmond Panariti. Kryeministri i ardhshëm u pyet dje për kriteret mbi të cilat kishte zgjedhur ministrat e rinj, për shkak edhe të disa mospërputhjeve mes profilit profesional dhe ministrive që ata do të drejtojnë. Por Rama u përgjigj se qeveria e tij është politike dhe jo teknike, e për ilustrim mori si shembull profesionin e tij si piktor. “Ministrat, pavarësisht se lënë mandatin e deputetit, janë njerëz që marrin përsipër drejtimin politik të institucionit. Po të nisemi me këtë pretendimin tuaj, atëherë as nuk ka pasur dhe ndoshta s’do ketë më piktor në krye të qeverisë së Shqipërisë. Por kjo nuk do të thotë që unë nuk do të jem kryeministri më i suksesshëm në historinë e qeverisjes në Shqipëri”,- tha ai.

Reagimi për opozitën

Kryeministri i ardhshëm u pyet nga gazetarët edhe mbi akuzat e kryeministrit në detyrë apo kërkesën e kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Basha, për të bërë transparencë për zgjedhjet. Rama u përgjigj se nuk e lexonte Berishën, e megjithatë dha një opinion mbi kundërshtarët politikë. “Ka një akuzë të përditshme për premtime të pambajtura nga qeveria që nuk e ka marrë akoma detyrën. Kjo tregon që ata nuk kanë marrë akoma veten, ndërkohë që ne nuk kemi marrë akoma detyrën”,- tha ai, duke shtuar se nuk do të tërhiqet nga asnjë prej premtimeve elektorale. Duke iu përgjigjur Bashës, Rama shtoi më tej se opozitës së nesërme nuk do t’i privohet asgjë që nuk u është dhënë atyre. Ai u ndal më tej tek premtimi për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se ajo është një luftë për modernizimin e shtetit. Rama nuk tha dje nëse ai vetë do ta linte mandatin e deputetit, ndërsa prezantoi kabinetin e tij, 90 % me ministra rishtarë.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.