Psikologia e viziton ne burg: Andon Mehillaj, jo i semure mendor.

Postuar në 17 Shkurt, 2014 03:15

Zbulohen fakte të reja për çështjen e vrasjeve me pagesë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ditën e djeshme është përpiluar ekspertiza e parë psikologjike e të dyshuarit si sekser i bandës së vrasjeve me pagesë. Duke iu referuar gjithmonë të njëjtave burime, në pjesën e parë të kësaj ekspertize citohet se gjendja mendore e Andon Mëhillajt është stabël dhe nuk shfaq shenja të një gjendjeje depresive. Pas kontaktit të parë të 38-vjeçarit me psikologen, kjo e fundit ka dalë në përfundimin se Mëhillaj shfaq shenja vetëm të një ngarkese psikologjike, si rrjedhojë e stresit që po përjeton.

Ekspertiza
Prej mëngjesit të 14 shkurtit, Andon Mëhillaj ndodhet në qelitë e paraburgimit nën masën e sigurisë së arrestit me burg. Nga ana e avokatit mbrojtës të tij, Lazër Sokolaj, është pretenduar se Mëhillaj është i tronditur dhe është në fazat e para të problemeve me shëndetin mendor. Por sipas psikologes, e cila ka arritur të bisedojë për 30 minuta me Mëhillajn, gjendja e tij shëndetësore nuk është aq e agravuar dhe e rëndë, siç e ka parashtruar avokati i mbrojtjes.

Psikologia është dërguar në qelinë ku ndodhet Mëhillaj dhe ka zhvilluar me të një bisedë të përgjithshme, duke u fokusuar më tepër tek jeta e 31-vjeçarit dhe familja. Ajo ka konstatuar se Mëhillaj është i stresuar nga kjo situatë në të cilën është përfshirë, duke shfaqur gjithmonë shqetësim për familjen e tij. Sipas konstatimit të psikologes, Andon Mëhillaj ka shfaqur simptomat e një njeriu të trembur dhe të frikësuar, duke qenë gjatë gjithë kohës në ankthin e asaj se çka do ta presë dhe si do të arrijë të dalë nga kjo gjendje.

Burime të grupit hetimor sqarojnë se në raportin psikologjik thuhet se Mëhillaj është mjaft i stresuar, por jo deri në atë pikë sa të ketë shenjat e para të prekjes së shëndetit mendor. Psikologia mohon që Mëhillaj të jetë në fazën e parë të depresionit dhe sipas saj nuk është e nevojshme që i dyshuari të kurohet me medikamente antidepresive. “Frika e qëndrimit në burg dhe e statusit si i dyshuar e trembin Andon Mëhillajn, duke stimuluar stresin tek ai. Por Mëhillaj nuk ka ngarkesë të agravuar psikologjike dhe shëndeti i tij mendor është ende në ekuilibër më ndërgjegjen. Andon Mëhillaj nuk ka nevojë për medikamente antidepresive, të cilat mund t’i stimulonin në gjendje të rënduar psikologjike dhe mendore”, – vijon raporti i psikologes. Deri më tani, ndaj Mëhillajt rëndojnë 7 akuza nga organi i akuzës, mes të cilave financimi i terrorizmit, akte terroriste, armëmbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, si dhe e lëndëve plasëse, si dhe akuza e vrasjes së peshkatarit Sokol Veizi dhe biznesmenit Agron Çela.

Fakte të reja
Burime nga grupi hetimor kanë zbuluar të dhëna të reja për sa i përket rrugës që ka ndjekur telefoni celular që u përdor nga Julian Sinanaj në atentatin ndaj prefektit Besnik Dervishi. Sipas burimeve të organit të akuzës, ka qenë i penduari Ndriçim Gjokona, ai që ka blerë aparatin celular në tregun e zi duke ia dorëzuar më pas Sinanajt. Siç bëhet me dije nga këto burime, Gjokona dyshohet si personi që furnizonte njeriun bombë me lëndë eksplozive dhe aparate celularë të nevojshëm për shpërthimet e telekomanduara. Sipas burimeve të grupit hetimor, celulari i është blerë një djali 19-vjeçar me inicialet A.SH., i cili mendohet se e ka pasur në përdorim aparatin celulat deri më datë 5 dhjetor të vitit të kaluar. Në datën 6 dhjetor, tek 19-vjeçari është paraqitur i penduari Gjokona, i cili ka blerë celularin dhe më pas ia ka dorëzuar Julian Sinanajt për të vazhduar më tej me planin e tij. Njeriu-bombë ka arritur që ta montojë duke e lidhur me detonatorin e lëndës plasëse, e cila ishte vendosur poshtë automjetit të prefektit Dervishi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.