PS zyrtarizon koalicionin me partitë e vogla, mungon Gjinushi e Milo

Partia Socialiste ka formalizuar sot marrëveshjen parazgjedhore me partitë e vogla të majta. Partitë të cilat kanë pranuar ftesën e socialistëve për koalicion kanë nëshkruar mesditën e sotme në ambientet e selisë rozë marrëveshjen.
Disa javë më parë LSI pranoi ftesën e PS për koalicion parazgjedhor, ndërkohë që nuk dihet ende nëse Aleanca Kuq e zi apo PBDNJ do të bashkëpunojnë me PS në marrëveshjen parazgjedhore, ndërsa FRD deri më tani ka dalë me qëndrimin se do të garojë e vetme më 23 qershor.
Në përfundim të takimit me kryesocialistin Rama, kreu i Partisë PSV 91 Petro Koçi bëri publike faktin se marrëveshja përmban detyrime të partisë për të respektuar besnikërinë e votës dhe detyrimet pas rezultatit zgjedhor, ndërsa shtoi se kushti kryesor është rotacioni politik.
“Ky dokument nuk përmban kërkesa specifike të partive në raport me PS, por është baza për regjistrimin e këtij koalicioni në KQZ. Marrëveshja është ajo që kemi miratuar më parë, kushti kryesor është rotacioni politik, të tjera lidhen me vendime specifike por s’kanë lidhje mbi parimet e ndërtimit të koalicionit”, – tha Koçi.
Ndërkohë, në mbledhjen e sotme kanë munguar dy nga aleatët kryesorë të Ramës, Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi, të cilat janë shprehur të pakënaqur nga koalicioni i PS me LSI.
SHQIP
Add new comment