PS: Taksa e sheshtë ka shtuar papunësinë dhe korrupsionin, Berishës i ka mbetur ora tek koha e komunizmit

Për Partinë Socialiste, kryeministrit Sali Berisha i ka mbetur ora tek koha e komunizmit, kur shërbente si Sekretar i Partisë së Punës dhe doktor i Mehmet Shehut e Enver Hoxhës. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot, anëtarja e grupit të punës për programin në PS, Milena Harito ka theksuar se Berisha përpiqet më kot të justifikojë taksën e sheshtë sepse sot realiteti i qartë për çdo shqiptar.
“I gjori Kryeministër, edhe sot, njësoj si dje, flet vetëm për të shkuarën. Flet për kohën e komunizmit nga vjen edhe vetë, se për të ardhmen e di fare mirë se nuk ka më çfarë të thotë. Më kot përpiqet të justifikojë taksën e sheshtë, realiteti është i qartë për çdo shqiptar. Jo vetëm që sot një infermier paguan më shumë taksa se Kryeministri doktor, por edhe çdo polic paguan më shumë se Ministri i Brendshëm. Edhe çdo mësues paguan më shumë se Ministri i Arsimit. Zoti Kryeministër nuk e kupton se 10% i rrogës së mësuesit, policit apo infermierit është jetik për të çuar muajin deri në fund, kurse 10% i rrogës së Sali Berishës, ndoshta as që i hyn në sy Kryeministrit tonë”, ka thënë ajo.
Harito ka theksuar se taksa e sheshtë ka shtuar papunësinë, korrupsionin dhe informalitetin. “Mjafton t’i referohemi raportit të Transparencës Ndërkombëtare për të kuptuar se sot Shqipëria është e zhytur më keq se kurrë në korrupsion. Taksa e sheshtë ka ulur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Sot çdo familje në Shqipëri blen shumë më pak se përpara 4 vjetësh, ndërkohë që listat e borxheve në dyqanet e lagjeve llogariten 200 milionë dollarë.
Taksa e sheshtë ka larguar nga vendi thuajse të gjithë investitorët e huaj dhe vetëm krahasuar me vitin e fundit, falë taksës së sheshtë, korporatat e mëdha kanë humbur 280 milionë dollarë. Taksa e sheshtë ka rrënuar biznesin e vogël, i cili krahasuar me një vit më parë rezulton të ketë humbur 285 milionë dollarë. Kjo është gjendja e ekonomisë shqiptare. Papunësi, rënie e fuqisë blerëse, largim i investitorëve të huaj, humbje për biznesin e vogël, humbje edhe për korporatat e mëdha. Dhe sigurisht shumë korrupsion dhe informalitet. Këtë gjendje ne do ta ndryshojmë, duke filluar nga 23 qershori. Duke vendosur taksimin e ndershëm, duke luftuar korrupsionin dhe kriminalizimin e ekonomisë, duke vendosur shtetin ligjor, drejtësinë dhe sigurinë për investitorët e huaj dhe ata vendas, dhe sigurisht duke çliruar të gjithë energjinë që prodhon konkurrenca e ndershme”, ka thënë ajo.
SHQIP
Add new comment