PS, Tahiri: PD-ja po nxjerr me dhunë administratën në miting

Postuar në 22 Mars, 2013 09:52

 

-Mitingashësit që pritet të grumbullohen sot në mitingun e organizuar nga PD-ja në përkujtim të 21 vjetorit të fitores së së parë të 22 marsit të PD-së, po detyrohen me dhunë që të marrin pjesë në këtë miting. Është ky denoncimi i kryesocialistit të Tiranës, Saimir Tahiri denoncoi mbrëmjen e djeshme dhunën e pushtetit ndaj punonjësve të administratës, të cilët sipas tij, po detyrohen që të marrin pjesë në mitingun e sotëm. “22 Marsi, dita e demokracisë, është paradë dhune tanimë. Shëmtaraqët e pushtetit po detyrojnë njerëzit të marrin pjesë në mitingun e nesërm (sotëm) të Saliut”- u shpreh Tahiri. Sipas kreut të PS-së së Tiranës, bëhet fjalë për detyrimin e arsimtarëve, nxënësve të shkollave, mjekë, punonjës të administratës të qyteteve të ndryshme, të cilët po detyrohen me zor që të jenë pjesë e këtij manifesti force që PDja organizon paraditen e sotme. “Kam marrë mesazhe në inbox dhe, në telefon, nga qindra qytetarë, mësues, mjekë, infermierë, studentë, nxënës, specialistë të administratës në qendër dhe pushtetin vendor. Të gjithë më thonë të njëjtën gjë: Po detyrohen të marrin pjesë në mitingun e nesërm (sotëm) të Saliut”- theksoi Tahiri, duke shtuar se këtyre njerëzve po u bëhet presion duke i kërcënuar me shkarkime nga puna. “Njerëz të skllavëruar nga rroga e shtetit, nga varfëria, nga tmerri për të kapërcyer muajin pa shumë borxhe, nga skamja, nga urdhri i shefit që të lë pa punë po nuk more pjesë në mitingun e partisë. Lista pafund që bëjnë apelin e atyre që vijnë, hipin në autobus, hyjnë në sallë, bërtasin më shumë”- u shpreh pasditen e djeshme Saimir Tahiri. Për deputetin e PS-së, kjo praktikë do të mbarojë me ardhjen e socialistëve në pushtet, ku sipas tij, askush nuk do jetë i detyruar të bëhet mitingash me zor. Ndërkohë, që kërcënon duke thënë se: “Dhe në u çmendtë ndonjë administrator publik në ethe partizane, do shkarkohet me ceremoni shembullore. Që të mësojë ai dhe, kushdo tjetër, se ne do fitojmë për të ndërtuar shpirtin e demokracisë në çdo komunitet, me lirinë për të besuar në cilëndo parti dhe, se i vetmi standart për të mbajtur punën, është merita dhe profesionalizmi”- deklaroi dje kreu i PS-së për Tiranën Saimir Tahiri.   

   SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.