PS tërhiqet nga kërkesa për rivotim në Lezhë, Gjiknuri: Duhet të përfundojë procesi

Partia Socialiste ka vendosur të tërhiqet nga kërkesa e saj për rivotim në qarkun e Lezhës, pavarësisht parregullsive që janë vënë re në procesin e votimit më 23 qershor.
Në një konferencë për mediat, deputeti Damian Gjiknuri ka theksuar se kjo bëhet në të mirë të interesave të vendit dhe për t`i hapur rrugë certifikimit të zgjedhjeve.
” Zgjedhjet në qarkun e Lezhës janë të dështuara. Në Laç dhe në Mamurras qeveria dështoi në organizimin e zgjedhjeve të lira. Nga verifikimi i 6 qendrave të votimit rezultojnë se kanë votuar qindra qytetarë të cilët nuk kanë qënë në Shqipëri ditën e votimit dhe kjo është vërtetuar nga sistemi TIMS. Nga inspektimi grafik del qartë se janë mbi 200 nënshkrime të cilat janë hedhur nga e njëjta dorë. Do të mjaftonin vetëm këto dhe zgjedhjet duhet të përsëriten brenda 4 javëve në gjithë qarkun e Lezhës, por të vetëdijshëm për nevojën e vendit për përfundimin e shpejtë të procesit zgjedhor të tërhiqemi nga kjo kërkesë”,- u shpreh Gjiknuri.
Ai shtoi më tej se Sali Berisha po mundohet të justifikohet për humbjen e thellë të zgjedhjeve duke akuzuar opozitën për manipulime.
“Kundërshtari politik po mundohet të ndërtojë alibinë e vjedhjes së zgjedhjeve dhe kjo alibi vetëm sa dëmton imazhin e Shqipërisë. Në asnjë vend tjetër, përveç Lezhës, nuk është vënë në dyshim rezultati i zgjedhjeve. Jemi të gatshëm edhe për hetim parlamentar të zgjedhjeve, ajo që na u privua ne në katër vitet e shkuara” tha ai.
Gjithashtu, Gjiknuri u shpreh se të gjitha parregullsitë e vërejtura nga PS-ja do të kallëzohen dhe do të ndëshkohen ata që kanë shkelur ligjin.
“PS-ja do të kallëzojë paligjshmëritë në Laç e Mamurras dhe paligjshmëritë e KQZ-së pas zgjedhjeve. Sigurojmë shqiptarët se me largimin e Sali Berishës mbyllet kapitulli i zgjedhjeve jo transparente dhe me probleme” përfundoi ai.
SHQIP
Add new comment