PS, të hënën dorëzohet ankimi në KQZ për Lezhën

Ditën e hënë Partia Socialiste pritet të ankimojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor, rezultatin e disa zonave zgjedhore të qarkut të Lezhës. Në ankimin e Partisë Socialiste kërkohet të goditet vendimi i KQZ-së që shpalli rezultatin e qarkut të Lezhës, duke mos marrë për bazë tabelat e KZAZ-ve, por duke iu referuar tabelave elektronike të databazës së saj elektronike, rezultat që i hoqi PS-së një mandat në këtë qark. Nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Koli Bele, theksoi dje për TV “Klan” se për këto 10 qendra “do të kërkohet pavlefshmëria e tyre, por duke mos përjashtuar dhe rivotimin për afro 10 qendra votimi. KQZ, pasi konstatoi parregullsi në procesverbalet e disa qendrave të votimin në qarkun e Lezhës, vendosi të përdorë të dhënat e tabelave të saj elektronike për të shpallur rezultatin përfundimtar me to”. Nga ky vendim PS-së iu hoq mandati i Arben Ndokës, që i kaloi kandidatit të PD-së, Vasil Bicaj, ndërkohë në Lezhë mbeti i pandryshuar mandati i LSI.
Panorama
Add new comment