PS: Shqipëria dixhitale e Berishës, një flluskë

Partia Socialiste, në vijim të publikimit të arsyeve se përse Sali Berisha nuk duhet të votohet më 23 qershor, ka thënë se Shqipëria dixhitale e Berishës ka qenë thjesht një flluskë. Milena Harito ka thënë se Berisha dështoi për pajisjen me kompjutera dhe internet në shkollat shqiptare.
“Sali Berisha premtoi në 2009 se qeveria do të siguronte internet me bandë të gjerë brenda vitit 2012 në të gjitha familjet, në fshatrat dhe qytetet e vendit, si dhe kompjuter për të gjithë të rinjtë në shkollat shqiptare, brenda qershorit të vitit 2013.
I ftoj të gjitha familjet, veçanërisht ato në fshat, si edhe studentët, që luftojnë çdo ditë për të mbijetuar, të na thonë nëse qeveria ka bërë diçka për ta në këtë drejtim.
Sali Berisha premtoi laboratorë kompjuterikë në çdo shkollë të vendit. Nxënësit, të cilët nuk kanë shpesh as kushtet minimale të mësimdhënies si ujë, drita dhe ambiente të përshtatshme, janë dëshmitarë të përditshëm të kësaj gënjeshtre”, ka thënë Harito.
Sipas saj, ministrat e Berishës dhe vetë kryeministri, janë përfshirë në afera të dyshimta për dhënien e licencave për fibrat optike dhe kanë krijuar monopol në këtë treg.
“Vetë ministritë e kësaj qeverie, janë paditur reciprokisht për abuzime në dhënien e licencave ekskluzive në tregun e fibrave optike, kanë hapur e kanë mbyllur tenderë, kanë paditur Komisionin e Prokurimeve Publike, duke e bërë qeverinë të ngjajë edhe më shumë qesharake në premtimet e saj.
Kryeministri ka ndërhyrë në këtë treg, nga njëra anë duke mbështetur krijimin e një situate monopol dhe nga ana tjetër duke detyruar Postën Shqiptare të harxhojë paratë e taksapaguesve, për të krijuar pika interneti të cilat do të duhej t’i krijonte tregu privat, nëse Sali Berisha do ta lejonte të merrte frymë i lirë”, tha Harito.
Ajo u shpreh se, sipas të dhënave ndërkombëtare, Shqipëria renditet e fundit jo vetëm në Europë, por edhe në rajon për internetin, ndërsa pohoi se shqiptarët vazhdojnë të kenë tarifat më të larta për telefoninë celulare.
“Faktet tregojnë që për shërbimin e internetit me bandë të gjerë, Shqipëria është jo vetëm e fundit nga vendet e BE, por edhe e fundit në rajon pas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kjo sipas të dhënave referencë të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve.
Me gjithë premtimet e Sali Berishës, Shqipëria mbetet e fundit në Europë dhe në rajon për numrin e kompjuterëve për familje.
Gjithashtu, Shqipëria ka tarifat më të larta në Europë dhe në rajon për telefoninë celulare. Shqiptarët janë të detyruar ende sot e kësaj ditë të mbajnë nga 2 celularë, ndryshe nga të gjithë vendet e Europës, për arsye se parimet e konkurrencës së lirë e të ndershme nuk zbatohen në këtë treg. Ndërkohë që kryeministri mashtrues e paraqit këtë dështim si arritje të tij personale”, deklaroi anëtarja e Kryesisë së PS-së./b.l
TEMA
Add new comment