PS shpall platformën për legalizimet, ja objektet që do të prishen

Postuar në 03 Gusht, 2013 10:09

Partia Socialiste ka shpallur dje platformën e legalizimeve të objekteve pa leje bashkë me zonat dhe objektet që nuk do të përfitojnë nga ky proces. Artan Lame, ekspert i çështjeve të urbanistikës në PS, tha dje se qeveria e re do të mbajë premtimin për legalizim falas, por jo të gjithë përfitojnë.

Legalizimet sipas PS

Lame tha se qeveria e re që do krijohet në shtator nuk do legalizojë asgjë të kundraligjshme, si dhe do vazhdojë aksionin për prishjen e nderimeve pa leje. “Ne do legalizojmë falas shtëpitë në zonat informale, programi do bëhet brenda 100 viteve, por nuk do legalizojmë asgjë të kundraligjshme në vijën bregdetare dhe rrugë kombëtare, në parqe, zona të trashëgimisë kulturore, zona turistike etj”, – tha Lame. Ai theksoi ndërkaq se po mbledh informacion për falsifikimet që po bëhen me legalizimet e ndërtimeve pa leje në Dajt, Pogradec, Krujë, në bregdetin Orikum- Vlorë, në zonën historike të Lezhës ku vazhdohet të merren denoncimet nga qytetarët. Në shtator, siç dhe vijoi ai, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama do të bëjë publike paketën e emergjencës kombëtare për territorin. Duket se procesi do të jetë i vështirë për objektet e palegalizuara që kanë aktivitete fitimprurëse. “Ne nuk do të legalizojmë asgjë në vijën bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllim fitimi kudo qoftë”, – tha Lame.

Situata aktuale

Prej gati dy muajsh procesi i legalizimeve në mbarë vendin thuajse është pezulluar realisht. Jo se administrata nuk është në punë, as për shkaqe të tjera që lidhen me procesin. Ngrirja e formalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje në fakt ka për motiv premtimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, se lejet e legalizimeve do të jepen falas. Në të gjitha agjencitë e ALUIZNI-t në Tiranë dhe në rrethe nuk ka asnjë person të interesuar pranë sporteleve. Punonjësit e agjencive e shpjegojnë këtë stepje me premtimin që qeveria e re ka bërë për informalizim falas. Në pritje të marrjes në mënyrë zyrtare të detyrës, kryeministri i ardhshëm ia ka nisur punës. Bashkitë që drejtohen nga socialistët, sidomos ajo e Vlorës, ka nisur shembjen e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare. Aktualisht, për të legalizuar një banesë, përveç çmimit ligjor ka edhe dy tarifa. Sipas ligjit aktual, tarifa e legalizimit për të gjitha sipërfaqet e palegalizuara deri në 300 metër katror, pagesa bëhet 70 për qind me letra me vlerë dhe 30 për qind me para në dorë. Ndërsa për sipërfaqet mbi 300 metra katror duhet likuiduar 50 për qind me letër me vlerë dhe 50 për qind me para në dorë. Ndërsa për sipërfaqe mbi 500 metër katror pagesa të bëhet sipas çmimit të tregut, me para në dorë. Ndërsa tarifat janë pagesa të tjera. Personat që përfitojnë nga legalizimi i objekteve informale do të shlyejnë brenda 10 ditësh nga dalja e emrit në gazetë, dy tarifa 60 dhe 40 mijë lekë, që mundësojnë marrjen e hipotekës.

Do të penalizohen dhe prishen objektet e ngritura në:

- Zona të mbrojtura bregdetare, Liqenore dhe lumore,

- Zona të mbrojtura mjedisore, parqe kombëtare, etj.

- Zona Arkeologjike dhe të trashëgimisë Kulturore

- Zona përgjatë rrugëve kombëtare kryesore dhe nyje rrugore.

- Zona Turistike, plazhe.

- Zona përreth impianteve të infrastrukturës (Depo dhe tubacione ujësjellësish, diga, kolektorë, impiante pastrimi, etj).

- Zonat e Qendrave të qyteteve dhe hapësira publike të tyre (Parqe, lulishte, rrugë, oborre shkollash e kopshtesh, etj).

- Të tjera që do të identifikohen.
Do të prishen objektet

- Në zonat e Parkut Kombëtar të Dajtit,

- Parkut Kombëtar të Butrintit,

- Liqenit të Pogradecit,

- Kalasë së Krujës,

- Vlorë-Orikum,

- Zona historike e Lezhës,

- Kepi i Rodonit

- Në një mori zonash të tjera të rëndësishme për publikun, nga të cilat vazhdojmë të marrim denoncimet e qytetarëve të përgjegjshëm.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.