PS: Niveli dhe provokimet e Ministrisë së Jashtme ndaj Ramës, banale

Partia Socialiste ka reaguar pas akuzave të Ministrisë së Jashtme në drejtim të Edi Ramës, se ka dhunuar djalin e Neritan Cekës. Sipas PS-së, akuzat e ministrisë ndaj Ramës janë qesharake. Me anë të një deklaratë, PS bën me dije se Egin Ceka ka derdhur një lumë fyerjesh në drejtim të Ramës, ndërkohë që më pas ai është larguar nga evenimenti.
Sipas PS-së, akuzat për dhunë nuk janë gjë tjetër veçse shpifje. Sipas PS-së, kjo ngjarje tregon edhe një herë tjetër se selitë diplomatike janë kthyer në një vend ku ka një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish.
“Partia Socialiste shpreh keqardhje për nivelin banal ku ka rënë Ministria e Jashtme dhe trupi diplomatik shqiptar. Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit djali i Neritan Cekës,që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike.
Ndërkohë sot, Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një “diplomati” që s’është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit”, thuhet në reagimin e PS-së./b.l
TEMA
Add new comment