PS: Mos merrni me qira monumentet

Pavarësisht kundërshtimeve të forta e të vazhdueshme të opozitës dhe shoqërisë civile, Qeveria Berisha e bën fakt të kryer dhënien me qira të objekteve të trashëgimisë kulturore në vend, si kala apo vende me karakter historik.
Deputeti socialist Auron Tare e denoncoi këtë veprim duke e quajtur një rrënim që po i shkaktohet trashëgimisë së pazëvëdësueshme kulturore.
“Dje Qeveria e rrënimit, nëpërmjet ministrit të Kulturës, vendosi të nxjerrë në treg edhe monumentet e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.Kjo përpjekje e kahershme për dhënien me qira të pasurive shpirtërore të shqiptareve përkon tashmë me ikjen nga pushtetit të partisë familjare të Berishës.Pasi shiti çdo pasuri natyrore, pasi dha çdo kodër për fabrika çimentosh dhe gurore; pasi shiti çdo pyll për qymyr; pasi dha me koncesion çdo lum për hidrocentrale, sot Sali Berisha po shet edhe monumentet e kulturës kombëtare”, tha Tare.
Zoti Tare i dërgoi një mesazh paralajmërues të gjithë atyre që do të përfshihen apo kanë interesa biznesi me këtë objekte.
“Me gjithë përpjekjet e Shoqërisë civile dhe specialistëve të fushës për ta ndaluar këtë veprim jo logjik dhe shumë të dëmshëm për trashëgiminë kulturore, është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare vendimi i cili do ta rradhisë ministrin e Kulturës dhe vetë Kryeministrin në ikje, në rreshtin e atentatorëve ndaj trashëgimisë kulturore.Partia Socialiste ju bën thirje të gjithë atyre që të joshur nga këto orvatje të fundit të Qeverisë për të blerë një grusht votash edhe me Monumentet Kombëtare, se pas fitores së datës 23 qershor nuk do të njohim asnjë marrëveshje të lidhur në dëm të interesave të trashëgimisë kulturore”, tha Tare.
Pas 23 Qershorit ne do të bëjmë të mundur, premtoi Auron Tare, që të gjitha monumentet tona të kulturës, jo vetëm të mbrohen dhe të restaurohen, por edhe të vihen në shërbim të turizmit kulturor dhe në dobi të komuniteteve kudo që ato ndodhen.
TOP CHANNEL
Add new comment