PS: Miliona $ dëme me naftën bruto

Postuar në 26 Mars, 2013 07:54

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj ka denoncuar në një deklaratë për shtyp abuzimet korruptive që sipas tij shteti shqiptar bën me konçesionet e naftës. 

Gjatë fjalës së tij, Ahmetaj ka nënvizuar se, për shkak të këtyre aferave, vendit i shkaktohen dëme financiare kolosale që arrijnë mbi 100 milionë dollarë. 

“Borxhi në dëm të interesave të shqiptarëve është 150 milionë dollarë. Shteti eksporton naftë bruto duke bërë që vendi të humbasë miliona dollarë. Shqipëria prodhon 1 milion ton naftë në vit, ajo eksportohet bruto, kur nevoja e tregut të brendshëm është 650 mijë ton në vit. Nevojat e vendit mund të 
plotësoheshin me naftën vendase”, ka deklaruar Ahmetaj. 

Një tjetër pikë ku Ahmetaj është ndalur ka qenë menaxhimi, sipas tij, korruptiv dhe politik i kompanisë “Albpetrol”, që gjithashtu po i shkakton vendit humbje të mëdha ekonomike. 

“Menaxhimi politik dhe korruptiv i “Albpetrol” shkakton dëme marramendëse. Në “Albpetrol” vidhen 45 milionë dollarë në vit. Këtij abuzimi i shtohet kontrabanda e naftës”, ka nënvizuar Ahmetaj. 

Në emër të Partisë Socialiste, Ahmetaj ka premtuar se, me ardhjen e PS në pushtet sektori i naftës dhe interesat e tij do t’u kthehen qytetarëve shqiptarë. 

“Pas 89 ditësh ne i premtojmë shqiptarëve kontribut më të madh dhe më serioz nga sektori i naftës, rilindjen e tij dhe të ekonomisë në favor të punësimit të tyre dhe ekonomisë së vendit”, ka shtuar Ahmetaj.

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.