PS mbyll fushatën në Elbasan, Rama: Tunelet s’e fshehin dot varfërinë. Blushi: Saliu prej një muaji më lutet të futem në PD

Partia Socialiste ka zhvilluar mbrëmjen e së dielës mitingun përmbyllës elektoral në qarkun e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij Ben Blushi, i pari i listës së socialistëve për këtë qark, i është përgjigjur deklaratave që kryeministri Berisha bëri gjatë inaugurimit të tunelit të Kërrabës. “Saliu ka një muaj që më lutet të shkoj me PD-në, por pas 23 qershorit, Saliu do të shkojë pas diellit”, tha Blushi. Kryesocialisti Edi Rama gjatë fjalës së tij ka vlerësuar pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të qytetarëve të Elbasanit në shesh.
“Ne që jemi në këtë tribun të jemi në lartësinë e kësaj mbështetjeje të jashtëzakonshme, që është një mbështetje për ëndrrën e rilindjes që po vjen”, tha Rama.
Më pas kreu i opozitës i është referuar edhe tunelit Tiranë – Elbasan që kryeministri Sali Berisha ka përuruar paraditen e sotme.
“Saliu u shfaq sot në një tunel duke pasur shpresën se do tërheqë popullin në atë tunel. E vërteta është se rruga bëhet me paratë e popullit dhe varfëria luftohet me politika, papunësia luftohet me politika, arsimi e shëndetësia luftohet me politika. Saliu ka shpenzuar aq shumë para për të shtruar këto rrugë që kanë mbetur rrugëve dhe për të hapur këtë tunel sa do kishin mjaftuar siç thoshte Sami Frashëri, për t’i shtruar të gjitha rrugët me flori. Dhe arsyeja pse shqiptarët do e ndëshkojnë Saliun, është pikërisht se paratë e tyre i humbën rrugëve ndërkohë që shqiptarët sot kanë më pak para për të blerë ushqimin e tyre, më pak para për të arsimuar bijtë e tyre”, tha ai.
Rama ftoi shqiptarët të votojnë numrin 29 në 23 Qershor me qëllim, daljen nga tunelet ku e ka futur qeveria demokrate.
SHQIP
Add new comment