PS-LSI, dy skenarët për të ndryshuar KQZ

Mazhoranca e re që pritet të konstituohet në datën 9 shtator në Parlament, një nga prioritetet e saj afatshkurtra do të ketë padyshim edhe trajtimin e çështjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësues të PS-së, në rang politik dhe teknik i kanë mëshuar fort ditët e fundit idesë që KQZ-ja aktuale nuk mund të funksionojë më gjatë, pasi ajo ka nevojë për ndryshim. Dhe për këtë socialistët janë në dilemë për të zgjedhur mes dy rrugëve, atë të ndryshimit të përbërjes aktuale të këtij institucioni me anëtarë të rinj dhe natyrshëm me një mazhorancë të re të majtë, apo atë të ndryshimit të formulës së kompozimit të këtij institucioni. Një fakt të tillë e bën të ditur edhe përfaqësuesi socialist në këtë institucion, Genci Gjonçaj, i cili duke mos mohuar edhe një ndërhyrje në çështjen e përcaktimit të formulës së zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, beson se çështja më e rëndë qëndron tek integriteti moral dhe profesional i këtyre anëtarëve. Sipas tij, Kuvendi i ri që pritet të nisë punë në javën e dytë të shtatorit, do ta marrë në konsideratë çështjen e KQZ-së për të përcaktuar mënyrën e ndërhyrjes, por ai thekson se historiku i KQZ-ve në Shqipëri ka treguar se ato vuajnë më shumë nga integriteti moral i anëtarëve që nuk i shërbejnë ligjit, por partive. “Kjo është një çështje, që besoj se do të rikonsiderohet me krijimin e Kuvendit të ri. Por unë nuk mendoj se është problem formula e kompozimit të KQZ-së. Ajo që unë them se është problem ka të bëjë me staturën morale e profesionale të gjithkujt i cili ulet në karriget e anëtarit të KQZ”, – tha Gjonçaj. Sipas tij, një njeri që ka përgatitjen e duhur profesionale dhe ka një moral të pastër, nuk mund të bëjë kapërcime të ligjit, siç sipas tij,ka ndodhur shpesh në KQZ. “Një njeri profesionist dhe i zoti nuk mund të lejojë tejkalime apo shkelje të ligjit. Prandaj, më tepër sesa strukturore çështja e KQZ-së ka të bëjë me individët që ulen në tryezën e KQZ-së”, – tha më tej Gjonçaj. Por, gjithsesi në të dyja rastet, pra si në atë të rikompozimit apo edhe në rastin e ndryshimit të formulës së zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, opozita e re do të jetë përballë vështirësive respektive. Në rastin e parë, nëse mazhoranca e re do të shkarkojë anëtarët aktualë të KQZ-së për të zgjedhur një të re, do të kishim të bënim së pari me një shkelje kushtetuese pasi do ndërpriteshin mandatet. Gjithashtu, në rast se do të ndodhte kjo, atëherë të majtët do të vinin tek i njëjti standard për të cilin kritikoi të djathtën disa muaj më parë kur ajo shkarkoi anëtarin e LSI-së, Ilirian Muho. Megjithatë, duhet theksuar se për të realizuar këtë ndryshim në këtë mënyrë, mazhoranca e re i ka votat në parlament. Alternativë e dytë, ajo e ndryshimit të formulës kërkon padyshim ndryshim në Kodin Zgjedhor, i cili kërkon 84 vota, çka realisht mazhoranca e re nuk i ka. Ndaj nëse do të vendosë që t’i shkojë kësaj rruge, ajo së pari do duhet të marrë një votë djathtas për të bërë 84 vota. Ndërkohë që një veprim i tillë do të mbartte në vetvete jo vetëm problemin moral, pra atë të “blerjes” së votave, por edhe politik, pasi siç dihet tashmë në Shqipëri është bërë traditë që Kodi Zgjedhor ndryshohet vetëm me konsensusin e të dyja palëve. Ndryshimi i KQZ-së aktuale bëhet i domosdoshëm dhe imediat për të majtën, për të realizuar më me lehtësi dhe zëvendësimin e deputetëve që do të zgjidhen ministra dhe që do të lënë mandatin e të zgjedhurit të popullit.
Mapo
Add new comment