PS kërkesë KQZ-së : Të shtyhet rinumëerimi i votave për Shkodrën

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj deklaroi sot se PS ka depozituar një ankimim në Kolegj, ku kërkon shpalljen të pavlefshëm të vendimmarrjeve të KQZ-së për rinumërim në qarkun Lezhë dhe Shkodër. ”Kjo kërkesë e jona pritet të shqyrtohet sot në ora 14:00 nga Kolegji dhe nuk e kuptoj nxitimin për të vepruar. Nëse Kolegji e pranon kërkesën tonë gjithë veprimtaria e KQZ-së për ndryshimin e tabelave të zonave zgjedhore ose rinumërimin e votave në këto dy qarqe do jetë ‘nul’ juridikisht dhe kjo është një arsye që ju duhet ta administroni procesin me gjakftohtësi. Ju duhet ta shtyni vendimin lidhur me Shkodrën deri sa të shprehet Kolegji Zgjedhor”, – iu drejtua juristi Gjonçaj kryetares së KQZ-së, Lefterje Lleshi. Partia Socialiste kërkoi sot që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtyjë procedurën e rinumërimit të votave për qarkun e Shkodrës, deri sa Kolegji Zgjedhor të shprehet për kërkesën ankimore të PS-së, lidhur me vendimmarrjen e KQZ-së për këtë qark. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli të dielën në mbrëmje rinumërimin e të gjitha kutive të votimit për qarkun Lezhë, ndërkohë, sot KQZ pritet të nisë rinumërimin e 417 kutive të qarkut Shkodër.
MAPO
Add new comment