PS: Braktisja e emigrantëve, tjetër dështim i turpshëm i Berishës

Postuar në 31 Mars, 2013 15:00

 

Partia Socialiste ka paraqitur ditën e sotme një tjetër arsye pse Berisha nuk duhet të votohet më 23 qershor dhe ajo është pikërisht braktisja e emigrantëve.

“Edhe pse emigrantët përfaqësojnë së paku ¼ e qytetarëve të Shqipërisë dhe kanë dhënë një kontribut shumë herë më të madh se ai i vetë qeverisë në zhvillimin e vendit, Sali Berisha nuk ka bërë absolutisht asgjë për të adresuar çështjet që i shqetësojnë, apo qoftë edhe për t’u treguar se shteti shqiptar i konsideron ende emigrantët si qytetarë të këtij vendi.
Sali Berisha ka provuar se nuk i sheh emigrantët si një grupim që kërkon vëmendje të veçantë nga qeveria dhe kjo në një kohë kur ata janë ndër kontribuesit më të mëdhenj nëpërmjet dërgesave në ekonominë e Shqipërisë. Dërgesat e emigrantëve shqiptarë, që sot, edhe pse me një rënie të ndjeshme, vlerësohen në 7 deri 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë si një ndihmesë e jashtëzakonshme për uljen e varfërisë, rritjen ekonomike, por edhe për ruajtjen e stabilitetit ekonomiko-financiar të vendit”, tha anëtarja e PS-së, Milena Harito.

“Komunitetet e emigrantëve shqiptarë përballen sot me më shumë vështirësi se kurrë në vendet ku jetojnë e punojnë, veçanërisht në Greqi e Itali, por Sali Berisha, edhe pse i paralajmëruar nga PS që në vitin 2008 për rrezikun që u kanosej emigrantëve e rrjedhimisht shtetit shqiptar si pasojë e krizës, nuk ka ndërmarrë asnjë politikë, madje as nuk ka folur, për ata dhjetëra shqiptarë që humbja e vendit të punës po i detyron të kthehen në atdhe.

Ç’është më e turpshmja, edhe pse gjeti kohën, vullnetin dhe dëshirën për të falur me shpejtësinë e dritës 300 kilometra katror det, Sali Berisha në këto 8 vjet nuk gjeti kurrën as kohën e as dëshirën për të negociuar me Greqinë e Italinë fqinjë një marrëveshje për pensionet e emigrantëve.

Braktisja e emigrantëve nga qeveria e Sali Berishës duket qartë qoftë tek mënyra sesi ka mashtruar me premtimet e tij për asistencë në hapjen e qendrave kulturore e gjuhësore, qoftë në mbushjen e ambasadave e konsullatave shqiptare me militantë, vëllezër, kunetër e nipër të pushtetarëve që i kanë kthyer në çerdhe korrupsioni të ngjashme me zyrat e tjera të këtij shtetit, dhe mbi të gjitha, në refuzimin e tij të vazhdueshëm për t’u dhënë këtyre qytetarëve shqiptarë të drejtën më themelore që gëzon çdo shtetas shqiptar: të drejtën e votës”, thuhet në deklaratën e PS.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.