PS: Berisha po riciklon premtimet e 2009-s. Premton 250 mijë vende pune, pa folur për 160 mijë vendet e pahapura

Postuar në 25 Mars, 2013 12:57

 

Partia Socialiste, në kuadër të fushatës “100 arsye për të mos votuar Berishën”, e ka akuzuar këtë të fundit se po riciklon premtimet e bëra gjatë fushatës së kaluar. Ekspertja për programin në PS, Milena Harito, u shpreh se Berisha nuk ka më asnjë ide dhe tashmë po tallet me shqiptarët.

Sipas Haritos, Berisha premton se do të hapë 250 mijë vende punë, por nuk jep shpjegime për 160 mijë vendet e punës që premtoi më 2009-n dhe që nuk i hapi.

“Në fakt, aq rëndë është Sali Berisha, aq e ka humbur fillin kryeministri, sa kur nuk është duke kopjuar programin e Partisë Socialiste, u riciklon shqiptarëve premtimet e fushatës së vitit 2009.

Vetëm një javë më parë në Gramsh Sali Berisha u bë gazi i  botës kur u premtoi qytetarëve se do fillojë punimet për “Kaskadën e Devollit”  nga e cila sipas tij do të hapen 8 mijë vende pune.

Ishte po ky kryeministër që në 9 qershor 2009 kur inauguroi për herë të parë fillimin e punimeve në Kaskadën e Devollit u pati premtuar banorëve të Gramshit krijimin e 8 000 vendeve të punës. As kaskada nuk filloi e as vendet e punës nuk u krijuan ndonjëherë,” tha Harito.

“Dje në një takim me përfaqësuesit e turizmit Sali Berisha përsëriti dy premtime të tjera parealizuara të fushatës së vitit 2009.

Premtoi ndërtimin e landfilleve, zgjidhjen e problemit të kanalizimeve dhe ujërave të zeza për zonat bregdetare, por dhe përfundimin e një masterplani për zhvillimin e turizmit malor.

Në 2009 po Sali Berisha deklaronte me të madhe se “Brenda vitit 2011 do të përfundojnë të gjitha impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, kanalizimet dhe landërfillet për mbetjet e ngurta, në të gjithë zonën bregdetare të vendit” dhe se “Brenda vitit 2011 do të përfundojë masterplani i zhvillimit të turizmit të zonave malore”.

As landfillet s’u ndërtuan, as problemi i kanalizimeve nuk u zgjidh e as strategjia për turizmin malor nuk u hartua kurrë.

Lista e mashtrimeve dhe premtimeve të ricikluara sa për të marrë ca vota është mjaft e gjatë. Mund të përmendet këtu punësimi ku Saliu premton 250 000 vende të reja pune, por nuk na ka shpjeguar ende se ç’u bë me ato 160 000 vendet e punës që premtoi në 2009 apo me ato 51 000 vendet e punës që kanë humbur në këto katër vite,” vijoi Harito./ b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.