PS: Berisha dështoi me demokracinë dhe pavarësinë e institucioneve

Postuar në 12 Prill, 2013 14:43

 

Partia Socialiste vazhdoi të numërojë dështimet e qeverisjes, duke listuar kësaj radhe ndoshta dështimin më të rëndë të Sali Berishës.

Nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Bledi Çuçi, tha se Berisha ka dështuar me demokracinë dhe pavarësinë e institucioneve.

“72 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët do të largojnë me votën e tyre të bashkuar Sali Berishën, kryeministrin e rrënimit të vendit.

Sali Berisha mashtroi të gjithë shqiptarët dhe në 2005 dhe në 2009, kur u përbetua se do të forconte demokracinë, do të garantonte të drejtat themelore dhe do të respektonte pavarësinë e institucioneve. Për ne socialistët, ky dështim është në vazhdën e mendësisë së tij totalitare dhe autokrate.

Premtoi demokraci funksionale, por uzurpoi të gjitha pushtetet dhe instaloi frikën nëpërmjet modelit që vret dhe dhunon.

Sipas raporteve të Freedom House vit pas viti Shqipëria ka humbur pikë lidhur me vlerësimin e demokracisë, duke na klasifikuar si një vend me demokraci hibride, një vend pjesërisht i lirë; një vend ku të drejtat politike dhe liritë nuk respektohen plotësisht; një vend që vuan si pasojë e korrupsionit, mungesës të shtetit të së drejtës dhe ku forca politike të veçanta kërkojnë të dhunojnë ekuilibrat institucionalë në dëm të pluralizmit dhe të demokratizimi të jetës së vendit. Kjo ka ndodhur në Shqipëri në këto 8 vite të qeverisjes të Sali Berishës,” tha zyrtari i PS.

“Premtoi mbrojtjen e fjalës së lirë, por iu la vetëm dy mundësi, mediave, intelektualëve dhe shoqërisë civile. Këto dy mundësi janë: ose të bëhen preh e përbaltosjes dhe shtypjes nga mekanizmat e pushtetit, ose të bëhen shërbëtorë të tij.

Raportet e përsëritura të Komisionit Europian, Departamentit të Shtetit, Reporterëve Pa Kufi, vlerësojnë me shqetësimin cenimin e fjalës së lirë dhe presionet ekstreme ndaj medias në Shqipëri.

Premtoi pavarësinë e institucioneve, por bëri gjithshka për t’i vënë ato nën kontroll.

Premtoi zgjedhje të lira e të drejta, por dha shfaqjet më të shëmtuara të manipulimit të rezultatit në vitin 2009, apo të ndryshimit të tij në tavolinë, në vitin 2011.

Sali Berisha vazhdon të premtojë se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë më të lirat dhe më të ndershmet që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Por shihni ç’po ndodh sot me KQZ-në!

Pas 23 qershorit me Rilindjen Shqiptare do të rilindë  institucioni i votës së lirë dhe do garantohet pavarësia e institucioneve kushtetuese,” vijoi Çuçi./ep

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.