PS aleancë me PBDNJ-në

Kreu PBDNJ-së Vangjel Dule ngjiti shkallët e selisë rozë për t'i thënë 'Po' ftesës së Edi Ramës për të qënë edhe ai pjesë e koalicionit të majtë.
Pas takimit qe zgjati rreth 40 minuta, Rama dhe Dule dolën në një deklaratë për median ku pohuan dakortësinë e bashkëpunimit dhe qe lideri i opozites e quajti, Aleanca për Shqipërinë Europiane. As Rama dhe as Dule nuk dhanë detaje se çfarë specifikash përfshihen në paktin e arritur mes tyre.
"Unë jam shumë i kënaqur, që me mikun tim, me kolegun Vangjel Dule, me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kemi dakortësuar që të hymë së bashku në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane", tha Rama.
"Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka nisur rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurtë. Eshtë momenti më kulmor, që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët, të realizohet rrotacioni i shumëdëshiruar, një rrotacion, jo si qëllim në vetvete, por për t'i hapur vendit perspektivën e integrimit në familjen europiane. Ky bashkëpunim, besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e këtij objektivi madhor", tha Dule.
Burime nga Partisë Socialiste i thanë Top Channel se gjatë ditës së martë pritet finalizimi i një marrëveshjeje mes Partisë Socialiste dhe Skënder Gjinushit të Partisë Socialdemokrate së bashku Paskal Milon nga Demokracia Sociale.
Mbetet i paqartë për momentin, pozicionimi AK-së së Kreshnik Spahiut, nëse edhe ai do t'i bashkohet koalicionit të majtë apo do të garojë i vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit.
Sot Rama nënshkruan me Metën
Në qytetin e Shkodrës do të nisë Konferenca e Partive Socialiste Europiane. Në fund të kësaj konference Kryetari i PS-së Edi Rama dhe ai i LSI-së Ilir Meta do të hedhin firmat e tyre në një marrëveshje në kuadër të bashkëpunimit në atë që eshte pagëzuar sot si “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
Konferencën do ta hapë presidenti i Internacionales Socialiste Sergeri Stanishev nëpërmjet një videokonference nga Brukseli.
Firmosja e marrëveshjes do të kryhet rreth orës 17:30 minuta. Marrëveshja Rama Meta do nëshkruhet në prezencë të eurodeputetëvë të majtë Tanja Fajon, Kristia Vigenning, Richard Howid dhe Knut Flekenshtein.
PS dhe LSI janë tejet të rezervuar në dhënien e informacionit se cfarë përmban marrëveshja, e cila në bazë të saj është ndërtuar në frymën e vlerave socialdemokrate europiane të cilat do të reflektojnë në programin qeverisës.
TOP CHANNEL
Add new comment