PS çon në Kushtetuese çështjen e mandateve: Ndarja, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor

Postuar në 13 Shkurt, 2013 14:38

 

Partia Socialiste ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të marrë në shqyrtim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë që lidhet me ndarjen e mandateve.

Në kërkesën prej 30 faqe ekspertët e PS-së sjellin argumentet e tyre se përse votimi i datës 31.01.2013 është jo kushtetues.

“Shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.Pezullimin e zbatimit të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.

Në këtë kërkesë Partia Socialiste argumenton gjithashtu se Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha mundësitë t’i japë prioritet kësaj çështjeje për marrjen në shqyrtim, për vetë aktualitetin dhe rëndësinë që përbën. Mbi cenimin e parimit të barazisë së votës në kërkesën e PS-së thuhet se në jurisprudencën e saj Gjykata Kushtetuese ka pasur rastin të elaborojë dhe të shprehet edhe në lidhje me parimin barazisë së votës dhe komponentët përbërës të tij.

Ajo është shprehur se:“E drejta e zgjedhjes është një ndër të drejtat kushtetuese të shtetasve që luan një rol kryesor në procesin zgjedhor. Kjo e drejtë që sanksionohet në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë njihet si e drejtë e votës së barabartë dhe si barazi e shtetasve në zgjedhje. Si barazia e votës, ashtu dhe barazia e konkurruesve në zgjedhje, që është konkretizimi i shanseve politike të barabarta, janë të domosdoshme për realizimin e një procesi zgjedhor të drejtë.
Deputeti Damian Gjiknuri, sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS shpjegon se çfarë synohet të arrihet përmes Gjykatës Kushtetuese.

“Prandaj ky vendim është kambanë alarmi për shtetin ligjor dhe jo më kot dhe në kërkimet tona kemi përmendur se edhe diktaturat në vende si Gjermania naziste kështu janë vendosur, kur Parlamenti me interesa të caktuara politike ka shpërfillur totalisht institucionet e tjera dhe në qoftë se këto padrejtësi do të shkojnë të pakontrolluara dhe duke mos pasur një reagim nga institucionet Kushtetuese apo Gjykatat Kushtetuese të këtij vendi, këto do të kthehen në një precedent të rrezikshëm që do të kërcënojnë demokracinë shqiptare në të ardhmen. Unë them, një nga qëllimet është pikërisht për t’i treguar shqiptarëve dhe kujtdo që padrejtësive do t’i shkojmë deri në fund”, – tha Gjiknuri.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.