Pronari i lokalit merr peng e torturon punëtorin 19 vjeç

Një 19-vjeçar nga fshati Cangonj i Devollit është marrë peng dhe torturuar për rreth 5 orë nga bashkëfshatari i tij.
Eridon Gjata u mbajt i lidhur me litar dhe u rrah nën kërcënimin e thikës, derisa prindërit e tij dhanë alarmin për të njoftuar policinë. Policia arrestoi Erind Spahiun dhe Andi Mullallin, të cilët kanë pretenduar se i riu u kishte vjedhur 200 mijë lekë. 19- vjeçari rrëfeu gjithë ngjarjen, deri në momentin e lirimit.
Eridon, si ndodhi ngjarja?
Punova për 13 ditë dhe nuk mora atë që më takonte. Shkova të nesërmen në lokalin e Erindit, me shpresën se ai do të më jepte lekët e mia, por nuk m’i dha. U largova pasi do të shkoja në Bilisht për të marrë CD e mbrëmjes së maturës, por ai më arriti rrugës. Ishte bashkë me një person tjetër. Më pyeti se ku po shkoja dhe, pasi i tregova, u ofrua i gatshëm që të më çonte pasi, siç më tha, e kishte rrugën andej. Pak minuta më vonë e gjeta veten të lidhur në një ndërtesë të vjetër. Për disa orë më rrahu dhe më kërcënonte se duhet t’i ktheja lekët që i kisha vjedhur.
Për çfarë lekësh bëhej fjalë? Pse thoshte ai se e kishe vjedhur?
Nuk di ta them, por unë i kam thënë se nuk i kisha vjedhur asgjë. Ai më kërkonte që t’i jepja 2 milionë lekë të vjetra, të cilat sipas tij i kisha marrë gjatë kohës që punova në klubin e Erindit.
Ku ju mbajti të lidhur?
Ishte një ndërtesë në afërsi të Zëmblakut. Gjatë kohës që po më rrihte, atje erdhi një burrë. Ai i tha se ishte pronari dhe se duhet të largoheshim. I foli dhe për atë që po më bënte mua, por ai ia ktheu se nuk ishte puna e tij. Më tej më mori me makinë, më detyroi që gjatë rrugës të mbaja syze dielli, pasi më ishte nxirë syri nga goditjet. Bashkë me një shokun e tij më çuan në varret e fshatit Vranisht.
Po te varret të dhunuan sërish?
Aty erdhën edhe dy persona. Njëri kishte veshur rroba ushtarake, mbante maskë dhe kishte një thikë në dorë. Ai më rrahu e torturoi.
Si arrite të shpëtosh?
Nuk u largova unë, por më lanë të lirë ata, pasi prindërit e mi ndërkohë kishin marrë në telefon dhe i kishin thënë se do të njoftonin policinë. Ai menjëherë ma bëri të qartë që të kthehesha në shtëpi dhe të përpiqesha të gjeja lekët, ndërsa më kërcënoi se, nëse u tregoja prindërve, do të më vriste. Nuk e di se si arrita ta gjeja rrugën e shtëpisë. Më kanë goditur në pjesën e kokës. Më kërkoi t’i gjeja lekët dhe prindërit t’i gënjeja sikur i kam lënë në kumar. Më bëri presion që të them se kam luajtur në 3 qendra lojërash fati në Bilisht.
PANORAMA
Add new comment