Prokuroria refuzon hetimet për trafikun e armëve nga Arben Imami

Postuar në 28 Gusht, 2013 21:14

Trafiku i armëve nga Ministria e Mbrojtjes dhe institucione të tjera nën varësinë e saj, ka qenë një ndër akuzat më forta të opozitës së djeshme ndaj ministrit në largim, Arben Imami. Për këtë arsye, deputeti socialist, Erion Braçe, kishte nisur një kërkesë në Prokurorinë e Përgjithshme për nisjen e hetimeve.

Por, pas pesë muajsh, Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje refuzuese, duke thënë se raportin duhet ta shqyrtojë njëherë Kuvendi.

Braçe shprehet se shpresa në këtë vend venitet, pikërisht për faktin se zyrtarët e lartë mund të bëjnë çfarëdo krimi dhe nuk përgjigjen para drejtësisë.

I trishtuar dhe, për herë të parë me fare pak shpresë!

Në prill të këtij viti ju drejtova Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës me kërkesën: “Nisjen e hetimeve kryesisht lidhur me një rrjet shtetëror të trafikut të armëve në thyerje të embargove të OKB”.

Kërkesën për hetim kryesisht, e shoqërova me Raportin e Panelit të Inspektimit të OKB-së, një hetim i plotë mbi këtë trafik.

Hetim i shtrirë në disa shtete, përfshirë Shqipërinë ku rezultojnë të përfshirë: Ministria e Mbrojtjes, AKSHE, MEICO, Autoriteti i Aviacionit Civil, ANTA etj.

Pas 5 muajsh heshtje, më vjen letra e që shihni ku dëshmohet se as ka nisur hetim, por kërkohet: “Raportin ta shqyrtojë njëherë Kuvendi, pastaj, nëse Kuvendi e sheh të arsyeshme, t’ja çojë Prokurorit shoqëruar me kallëzim!”

Pas kësaj një pyetje kam: Në cilin ligj shkruhet kjo? Ç’lidhje ka nisja e hetimit kryesisht bazuar në fakte të OKB-së, me shqyrtimin nga Kuvendi?

Ja pse shpresa venitet në këtë vend.

Ja pse zyrtarët e lartë në këtë vend bëjnë çdo krim dhe nuk kanë frikë kurrë se do të përgjigjen”, shprehet deputeti socialist.

Akuzat e trafikut të armëve kanë të bëjnë me konfliktin në Libi, ku OKB-ja kishte vendosur embargo për të mos u shitur armë në këtë vend. Por, pavarësisht embargos të vendosur nga OKB, ka dyshime të forta se Shqipëria ka shitur armë në këtë vend.

Në prill Asscociated Press raportonte se Shqipëria ka thyer embargon e vendosur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke dërguar armatim në Libi.

Paneli i OKB ka dokumentuar një rast të dërgimit të municioneve në Libi, ku përfshihet Shqipëria.

Nuk dihet me saktësi se kur është bërë dërgesa, por ajo është në shkelje të embargos së OKB-së.

   DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.