Prokuroria, “bashkëpunëtor” në Ministrinë e Punës

Lihen në burg dy ish-zyrtarë. Ish-vartësit e Kserës, kundër njëri-tjetrit
Sokol Çobo
Kleves Bitro & Spiro Ksera
Prokuroria siguron dëshmi të rëndësishme për abuzimet me fondet në Ministrinë e Punës, gjatë kohës që drejtohej nga demokrati Spiro Ksera. Burime nga akuza qendrore thanë se një pjesë e abuzimeve është siguruar edhe nga një “bashkëpunëtor” që ka treguar të gjithë skemën, ku në krye të saj, nga ana organizative, qëndronte shefi i kabinetit, Kleves Bitro. Në fakt, ky person ka qenë njeriu më i besuar i ish-ministrit, tashmë person nën hetim. “Kemi siguruar dëshmi të rëndësishme të abuzimeve në Ministrinë e Punës. Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të këtij dikasteri kanë treguar me detaje mënyrën e funksionimit të abuzimeve me çdo aktivitet, ku në krye të tyre ka qëndruar kupola e ministrisë. Të gjithë drejtorët e rëndësishëm në këtë ministri janë marrë të pandehur. Deri më tani, janë tetë persona, por nuk përjashtohet mundësia që të pandehurit të shtohen. Dokumentet e dorëzuara nga KLSH-ja, por edhe sekuestrimet e fundit, kanë zbardhur pjesërisht abuzimet. Dëshmitë e zyrtarëve të tjerë kanë treguar se drejtorët, me dijeninë e ministrit, kryenin abuzime”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Sipas burimeve të gazetës, hetimet do të shtrohen edhe për aktivitete të tjera të organizuara nga Ministria e Punës më parë, përveç spotit të “1 Majit”.
Akuza ka arritur që të marrë në pyetje disa persona të hetuar dhe çuditërisht ata janë vendosur kundër njëri-tjetrit. “Disa nga dëshmitë kanë qenë të ndryshme. Madje, dikush ka pranuar se vetëm ka zbatuar urdhrat e eprorëve dhe të tjerët kanë deklaruar se gjithçka ishte në rregull”, pohojnë burimet nga akuza qendrore.
Ndërkohë, dje në mëngjes, është bërë masa e sigurisë për zyrtarët e Ministrisë së Punës. Gjykata e Tiranës ka vendosur masat e arrestit me burg për dy zyrtarë. Të vetmit që dolën para gjykatës kanë qenë ish–shefi i financës, Ilir Ibrahimi, dhe ish-sekretari i përgjithshëm, Besnik Dema. Mësohet se Ibrahimi nuk pranoi të flasë, ndërkohë që avokati kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, çka u kundërshtua nga prokurori. Ndërsa Dema kërkoi të lirohet, duke pretenduar se procedurat e tenderit janë në zbatim të ligjit dhe rregullores.
Dy të akuzuarit e tjerë janë shpallur në kërkim. Ata janë Kleves Bitro, ish-drejtori i kabinetit dhe Murat Mehmeti. Sipas prokurorisë, zyrtarët e ministrisë akuzohen për “falsifikim të dokumenteve”, pasi kanë paracaktuar një tender prej 20 milionë lekësh për një spot televiziv, i cili nuk është realizuar asnjëherë.
Letra
Ish-shefi i kabinetit akuzon Leskajn: Donte të fuste gruan në punë
Kleves Bitro nga arratia: Zbatova urdhrin e ministrit, spoti i “1 Majit” me VKM
“Marr shkas nga zhvillimet e ditëve të fundit për të ngritur disa pyetje dhe më pas të jap edhe disa sqarime. Si është e mundur që një ngjarje e ndodhur në vitin 2010 të shfaqet tani në skenën e përditshme? A është Ministria e Punës ajo që duhet të bëhet e para kokë turku në fushatën e gjoja antikorrupsionit? Pse z. Bujar Leskaj ka vendosur që t’i shërbejë nën hijen e mazhorancës së re dhe çfarë merite pati një nga inspektoret e tij që u emërua zëvendësministre e Mjedisit në qeverinë Rama? Cili është roli i prokurorisë dhe a ka ushtruar z. Leskaj presion mbi atë dhe prokurorët që të dënohen njerëz të pafajshëm? Po kryeprokurori, z. Llalla, a ka pasur diçka për të thënë apo thjesht do të thotë se tani çdo gjë nuk varet nga ai dhe problemi është i gjykatës? Po dëshmitarja që ka prokuroria e që është vajza e Llambi Bakos, ish-kreut të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, a garanton hetim të qetë e të paanshëm? Gjithsesi sqaroj si më poshtë:
Duke iu referuar kallëzimit penal të KLSH-së ndaj ministrisë, vërej se: Si asnjëherë më parë, kabineti qeveritar i drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, me vendim kolegjial të të gjitha institucioneve të ekzekutivit (VKM e prillit të vitit 2010) i besoi Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme në organizimin e ngjarjes tejet të rëndësishme të 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. (Fondi i deleguar me vendim të KM ishte 19 800 000 lekë). Ky event, të cilin KLSH-ja me atribute të organit të akuzës, (prokurorisë) e rikontrolloi për të disatën herë brenda një afati kohor disamujor, ishte i mirëpërcaktuar dhe konform çdo ligji për arritjen e objektivit shumë të rëndësishëm të qeverisë në atë kohë. Objekti, së bashku me fondin limit, u përcaktuan me një vendim të Këshillit të Ministrave, pikërisht për rëndësinë e veçantë që kishte ngjarja që u organizua. Sidoqoftë, shqetësimi i vazhdueshëm që kohët e fundit Ministria e Punës ka pasur nga KLSH-ja, dëshmon se kemi të bëjmë me një plan të kalkuluar dhe të dirigjuar për interesa jo më të ngushta personale (siç akuzohem në procesverbalin e datës 19 prill, të firmosur nga z. Bajram Lame dhe z. Fadil Dekovi), por krejtësisht familjare të urdhëruesit të kontrollit të përsëritur në muajt mars-prill të vitit 2012. (Bashkëshortja e kryetarit aktual të KLSH-së, Bujar Leskaj, kërkoi të vendosej drejtoreshë e drejtorisë së marrëdhënieve me jashtë dhe integrimit në Ministrinë e Punës, por kërkesa e saj nuk u pranua nga ministri Spiro Ksera. Ky është momenti kur z. Leskaj nisi një sërë veprimesh hakmarrëse ndaj institucionit ku unë punoj dhe ndaj meje për të arritur te titullari i Ministrisë së Punës.) Tejkalimi i dukshëm i kompetencave të inspektorëve të KLSH-së për të bërë komente fyese dhe të pabaza ndaj punonjësve të Ministrisë së Punës, ngritja e akuzës penale ndaj individëve të veçantë brenda kabinetit ministror, marrja e kompetencave të institucioneve të tjera, i motivuar nga interesa që janë tërësisht dhe tmerrësisht familjare të urdhëruesve të tij, dëshmojnë për drejtësinë e veprimeve të kryera nga ministria për të përmbushur vendimin e Këshillit të Ministrave.
…Janë zgjuar ziliqarët, zullumqarët, si dhe kundërshtarët politikë për të fashitur dhe stopuar arritjet e një ministrie. Personalisht mendoj se në mënyrë të padrejtë jam kthyer në shënjestrën e gjuetisë së shtrigave të KLSH-së dhe organeve të tjera që u është bërë presion i madh për të çuar në gijotinën e egos personale njerëz të nderuar e familjarë shembullorë.
Asnjë shkelje nuk ka për sa i përket procesit, sikundër asnjë fakt nuk ka (sipas meje) nga inspektorët firmëtarë të kontrollit për gjoja “interesat e ngushta personale” të zyrtarëve të Ministrisë të Punës.
Përse duhet të njolloset ngjarja e 1 majit 2010? Nuk ka ndonjë gjë shumë të çuditshme në fakt, pasi është rasti i Rrugës së Kombit, është rasti i festës së 8 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, është rasti i festimeve për pranimin në NATO dhe padyshim rasti i rehabilitimit të sheshit qendror në Tiranë dhe në fund edhe zgjatimi i bulevardit të kryeqytetit. Janë procese që i kanë nxjerrë zbuluar të gjitha ato forca që kanë ndihmuar dhe investuar për t’i kthyer në “casus beli” të politikës. Kësaj here duket se është radha e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Ministria e Punës dhe njerëzit që kanë punuar me mua dhe me titullarin dhe zyrtarë të tjerë të lartë duhet të jenë krenarë, pasi në katër vitet e fundit arritëm të ngremë imazhin e shtetit dhe qeverisë, duke u gjendur pranë shtresave në nevojë. Ajo që mbetet të thuhet pas gjithë kësaj, është se interesat e ngushta personale, institucioni i KLSH-së, duhet t’i shohë në vend tjetër dhe të mos ngatërrojë eventet sociale me ngjarje si ndonjë shitblerje autobusësh apo biznese lavazhesh e të tilla si këto, që disa prej inspektorëve brenda KLSH-së mund t’i dinë më mirë. Gjithashtu, për asnjë moment nuk mund të pranohet dhe nuk do të pranohet ngatërrimi i çështjeve familjare, sado i fortë qoftë motivi, të ndërhyjnë për të bërë presion mbi mua.
…Për sa u përket akuzave të KLSH-së të pasqyruara në faqen 4 të materialit të dorëzuar në prokurori, se unë kam shmangur personat përgjegjës dhe kam përgatitur dokumente fiktive dhe pa firmë të kryetarit të komisionit, pohoj se: Vendimi i komisionit është miratuar te titullari i institucionit, i cili ka nënshkruar kontratën me firmën fituese MC, dhe ky është dokument zyrtar i njohur.
… Është titullari i institucionit, i cili referuar raportit të komisionit të vlerësimit, ka vendosur lidhjen e kontratës me firmën M.C.
…Si përfundim, pohoj se: Asnjë njeri i logjikshëm nuk mund të pranojë përfundimet e një kontrolli të stisur dhe të paravendosur që nuk merr për bazë as dokumentet e treguara dhe as të hulumtojë apo kërkojë më shumë. Ajo që thotë ky kontroll arrin në absurditet, pasi ngarkon me përgjegjësi penale dhe më pas financiare (në fakt përgjegjësia penale i takon organit të akuzës) një individ të vetëm, që për interesat e veta paska ndikuar te Kryeministri për të nxjerrë një VKM, më pas të ndikojë te ministrat që të përcaktojë një fond të caktuar dhe për më tepër të ndikojë fort që fondi t’i jepet ministrisë ku ai punon e më pas i shtyrë po nga këto interesa të manipulojë dhe të hartojë dokumentacion fiktiv apo të rremë (sipas përcaktimeve të inspektorëve), me qëllim përvetësimin e jo pak, por gati 50% të fondit të dhënë nga KM për Ministrinë e Punës. Kuptohet që këto marrëzira të tilla nuk mund t’i rrokë mendja normale. Ky përcaktim i KLSH-së është tendencioz, i pabazuar, i pafaktuar dhe dashakeq.
Për sa i takon kallëzimit që më është bërë nga shtetasja Migena Bako, ish-punonjëse e Ministrisë së Punës, pohoj se: Nuk kam pasur asnjë tagër ligjor që të emëroj apo të shkarkoj cilindo punonjës të Ministrisë së Punës. Akuzat se unë kam qenë nxitësi kryesor që organizoi largimin nga puna të shtetases Migena Bako apo shtetasve të tjerë, nuk i pranoj. Akuzat që më bëhen janë hamendësime. Është njëlloj si unë të them se Migena Bako u përzgjodh për të punuar pranë Ministrisë së Punës, për shkak se daja i vet ndërhyri te ministri Ksera meqenëse është gjirokastrit dhe ky i fundit për të bërë nder e mori në punë znj. Bako. Pra, duke vazhduar logjikën e kundërt, të them se edhe konkursi i znj. Bako u bë fiktivisht, u falsifikua dhe ajo hyri në ministri jo se fitoi vërtet, por se kështu duhej të ndodhte. Sado që unë mund të pretendoj se kështu mund të ketë ndodhur, nuk kam të drejtë që mendimet dhe besimin personal ta bëj publik dhe më keq akoma të akuzoj pa asnjë kriter cilindo.
Nuk e kam thirrur znj. Bako për të ushtruar asnjë presion mbi të dhe aq më pak në kohën kur përmend ajo, pasi referuar dokumenteve pagesa në Thesar është kaluar rreth një javë më parë (me sa di në dt. 20 maj 2010) dhe procedurat atje janë strikte dhe nuk mundet kurrsesi të shkojë për pagesë një praktikë e pambyllur, pra, në rastin tim, praktikë pa komision dhe pa firma të qarta. Të gjithë sa merren me çështjet e pagesave në Thesar e dinë praktikën dhe mund ta konfirmojnë.
Për sa i takon VKM-së që delegon fondin te zëri “Shpenzime operative” të ministrisë dhe se kërkohet më pas për këtë fond zbatimi i ligjit të prokurimit publik dhe jo procedura e përzgjedhjes së tre operatorëve, kujtoj se vendimi i Këshillit të Ministrave ka dalë posaçërisht për ngjarjen e 1 Majit dhe ngjarja nuk ka qenë as ndërtim i ri, as rehabilitim i ndërtesës, as edhe një gjë tjetër që lidhet me praktikat e njohura. Për më tepër, në këtë proces duhet mbajtur parasysh parashikimi buxhetor i një viti më parë për investimet dhe ligji i buxhetit të shtetit që nuk lejon aplikacione të rastësishme e të paplanifikuara më parë në zërin e investimeve dhe “shpenzimeve operative””.
SHQIP
Add new comment