Projekti i PS, taksa progresive, pagat rriten mbi 3 mijë lekë në muaj

Postuar në 28 Mars, 2013 08:19

 

Pagat në arsim, shëndetësi dhe polici do të rriten mbi 3 mijë lekë të reja në muaj, nëse Partia Socialiste fiton në zgjedhjet e 23 qershorit. Një ngaekspertet më të rëndësishme të PS në fushën e financave, deputetja Mimi Kodheli ka zbardhur dje për opinionin skemën e re të tatimit progresiv mbi pagat bashkë me përfitimet përkatëse për secilën kategori të punonjësve.

 

Përfitimet

Sipas Kodhelit, 95 % e shqiptarëve do paguajnë më pak taksa me qeverinë e PS-së, ndërsa kryeministri, ministrat dhe deputetët do paguajnë më shumë. Një infermiere, sipas propozimit të PS, do të marrë në fund të vitit plot 378 mijë lekë më tepër, ose e thënë ndryshe nuk do të marrë më 12 rroga në vit, por 13 rroga e gjysmë në vit, pra një rrogë e gjysmë më shumë në vit. Një polic do marrë në fund të vitit 408 mijë lekë më shumë, ose e thënë ndryshe, nuk do të marrë më 12 paga në vit, por 13 paga e gjysmë në vit, pra një rrogë e gjysmë më shumë në vit. Një mësues do të marrë në fund të vitit 507 mijë lekë më shumë, ose e thënë ndryshe, nuk do të marrë më 12 rroga në vit, por 13 paga e gjysmë, pra një rrogë e gjysmë më shumë në fund të vitit. Një mjek në fund të vitit do të marrë 536 mijë lekë më shumë, pra nuk do të marrë më 12 paga në vit, por 13 paga në vit, pra një pagë më shumë në fund të vitit. Ndërsa kryeministri, deputetët dhe ministrat do të paguajnë më shumë taksa se paguajnë sot, në ndryshim nga 95% e shqiptarëve që do të paguajnë më pak dhe do të fitojnë më shumë. Ajo tha se pas 23 qershorit, Edi Rama kryeministër do të paguajë 2 milionë lekë taksa më shumë çdo vit, sesa paguan sot Sali Berisha.

 

Reagon Bode

Ministri i Financave, Ridvan Bode reagoi dje për modelin e PS të taksimit, duke e cilësuar një gënjeshtër të Ramës. Duke shpërndarë një tabelë krahasimore të pagave sot me pagat e 2005-ës, Bode tregon se ato janë dyfishuar. Bode sqaron se infermierët, mësuesit, policët dhe të gjithë punonjësit e administratës më mirë se kushdo e kanë provuar rritjen e fortë të pagave në këto 8 vite. “Rama përditë gënjen kur del në publik. Gënjeshtra, ky ves i keq për disa, që në të shumtën përdoret për t’ia hedhur kur dikush ndodhet keq, për Ramën është kthyer në tiparin e tij publik”, reagoi dje ministri Bode nëpër profilin e tij në Facebook. Ky Rama, shton Bode, “duke dashur t’ia hedhë paq, i bën gënjeshtrat aq të mëdha sa e lënë në baltë”. Por Partia Socialiste ftoi dje Sali Berishën dhe mazhorancën ta mbështesin propozimin e PS, pasi prej tij do të përfitonin pjesa dërrmuese e shqiptarëve. “Por pavarësisht vendimit që do të marrë shumica ditën e enjte, pas 23 qershorit taksa e sheshtë e Saliut do të zëvendësohet me propozimin tonë”, lajmëroi dje Kodheli.

 

 

2

Milionë lekë në vit më shumë taksa do të paguajë kryeministri pas 23 qershorit, më shumë se kryeministri aktual.

 

 

13

Paga në vit do të marrë një mësues nga 12 që merr aktualisht.

 

95

Për qind e shqiptarëve do të lehtësohen nga taksa e pagës dhe pjesa tjetër prej 5 për qind do të rëndohet.

 

 

Fullani: 2013 ka nisur me rritje të dobët ekonomike

 

Të dhënat e pakta të disponueshme konfirmojnë një ecuri të plogësht të ekonomisë shqiptare edhe gjatë muajve të parë të vitit 2013. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani tha dje se rritja ekonomike vlerësohet nën potenciale, ndërsa kërkesa agregate po vuan nga pasiguria, rritja e dobët e të ardhurave të disponueshme dhe nga oferta e shtrënguar për kredi bankare.  Megjithatë, ekonomia ka gjetur një lloj mbështetje te rritja e eksporteve dhe e shpenzimeve fiskale. i pyetur nga Tv Scan, Guvernatori u shpreh optimist se kriza qipriote do të mbyllet pozitivisht dhe nuk do të sjellë pasoja të drejtpërdrejta apo të tërthorta për sistemin financiar në Shqipëri dhe vendet e tjera të Rajonit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti sot të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.75%. Gjithashtu sot u miratuan zyrtarisht edhe ndryshimet rregullatore të prezantuara në fillim të muajit Mars dhe që pritet t’ju japin bankave më shumë hapësira dhe nxitje për të rritur kreditimin.

 

 

Miratohet heqja e TVSH për bujqësinë

 

Përjashtimi nga TVSH-ja brenda vendit dhe në import i makinerive, si dhe lëndëve të para që përdoren në bujqësi dhe të kafshëve të racës, pritet të ulë koston  e prodhimit. Nëpërmjet projektligjit për heqjen e TVSH, propozuar nga qeveria dhe që u miratua nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë do të përfitojnë rreth 150 mijë ferma, ndërsa efekti financiar në buxhet do të jetë 1.3 miliard lekë. Por, kjo është konsideruar nga deputetët e opozitës si një masë elektorale, që do të ndikojë negativisht në buxhetin e shtetit. Sipas Arben Malajt, qeveria po fsheh impaktin real në buxhet, duke iu referuar dhe të dhënave të fundit për të ardhurat buxhetore nga TVSH-ja. Gjithashtu, Komisioni i Ekonomisë miratoi një shtesë të marrëveshjes së koncesionit për projektin e kaskadës së lumit Devoll, ku kompania austriake ENV AG i ka shitur norvegjezes STATKRAFT AS 50% të aksioneve.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.