Projektet e mëdha në Tiranë, Basha: Ne flasim me vepra

Më në fund daullet po bien për Tiranën. Ajo do të marrë pamjen e një kryeqyteti modern me një Terminal për transportin e brendshëm, me ndërtimin e Bulevardit të ri dhe me Tramin, projekte të premtuara në fushatë nga kryetari i Bashkisë Lulzim Basha. Ka ardhur koha që këto projekte të shohin dritën e diellit dhe vetë Basha premtoi sot se së shpejti do të nisë puna për Terminalin dhe Bulevardin. Kryebashkiaku ishte i pranishëm në ceremoninë e përfundimit të punimeve të rrugës “Pandi Stillu”, ku i është përgjigjur interesit të mediave Duke iu referuar rrugës së sapo përfunduar Basha tha se “është tregues i qartë se ne flasim me vepra dhe jo me fjalë, i mbajmë premtimet tona. Premtim pas premtimi, rrugë pas rruge, cilësia e jetës në qytetin e Tiranës po ndryshon”.
Ndërkohë Basha ka bërë të ditur se gjatë javës lidhet kontrata me firmën fituese, për ndërtimin e bulevardit të ri. “Nesër, qeveria do të kalojë aktet e nevojshme për shpronësimin dhe po kështu gjatë javës do të lidhet kontrata me firmën fituese, pasi të merren edhe aprovimet e nevojshme nga organizatat që bëjnë financimin, në këtë rast Fondi i Zhvillimit të Abu-Dhabit”.
Më tej ai tha se “një tjetër projekt i rëndësishëm, realizimi i të cilit pritet të shndërrohet së shpejti në realitet, është ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve”. Kryebashkiaku Basha tha se terminali i jep zgjidhje problematikës së trashëguar prej vitesh, vendqëndrimit të mjeteve të transportit publik dhe sjell një standard të ri të munguar në kryeqytet.
Ai foli dhe për investime të tjera siç është përfundimi i Unazës së re dhe investime të tjera rrugore, që sipas tij do të sjelljen “një shfryrje të trafikut me të paktën 50%, në raport me situatën e sotme”.
MAPO
Add new comment