Projektbuxheti, debate në Konferencën e Kryetarëve. Paloka: Keni shkelur afatet. Cani:Qeveria e kaluar nuk ka respektuar afatet që ka pasur

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate mes deputetëve të opozitës dhe të mazhorancës sa i përket projektbuxhetit të shtetit.Deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë se ka shkelur rregulloren dhe ligjin duke sjellë me vonesë draftin në Parlament.
Kryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka ka theksuar se projektbuxheti vjen sot në Konferencë në shkelje totale të ligjit, pasi duhet të ishte dorëzuar me kohë. “Sipas nenit 79 për të përcaktuar kalendarin për projektbuxhetin duhet që kryetari i komisionit për ekonominë së bashku me relatorin, t’i paraqesin kryetarit të Kuvendit projekt kalendarin” tha Paloka, duke shtuar se nëse një telefon quhet mbledhje, atëherë është tjetër gjë. Çdo gjë bëhet që t`i mbahet e fshehtë shqiptarëve se çfarë do të ndodhe me këtë buxhet, çfarë do të ndodhë me ta, taksat dhe paratë e tyre”, u shpreh Paloka.
Ndërsa deputetja e PD-së Majlinda Bregu ka akuzuar qeverinë se nuk po tregohet transparente sa i përket projektbuxhetit. “Ne nuk dimë çfarë do ndodhë me këtë buxhet. Ka mungesë transparence. Prej 15 vitesh ky proces ka qenë i tëri transparent duke i dhënë hapësirë dhe grupeve të interesit. Shqetësimi ynë, është mungesa e transparences dhe shkelja e ligjit” tha ajo.
Por kryetari i Kuvendit Ilir Meta argumentoi se shkak për vonesën janë bërë negociatat që qeveria ka pasur me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Eshtë e vërtetë që nuk jemi në afatet e përcaktuara, por qeveria ka qenë në negociata me FMN dhe institucione të tjera ndërkombëtare, pasi ka qënë e domsdoshme që të binim dakord për disa politika fiskale. Kjo ka qenë arsyeja, që sipas mendimit tim ka qenë objektive” tha Meta.
Ai gjithashtu theksoi se pretendimet e opozitës për vonesën e sjelljes së projektbuxhetit në Parlament janë pretekse dhe se ajo nuk do të bashkëpunojë me mazhorancën.
“Ju nuk keni vullnet, po flisni për afate kalendarike që nuk janë më kryesoret dhe nuk po lini ministrin të flasë. Doni ta ktheni konferencën e kryetarëve në seancë plenare” ka theksuar ai.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani duke iu referuar ardhjes me vonesë të pr/ligjit tha se përgjegjëse për këtë është edhe ish-qeveria pasi nuk iu përmbajt afateve të caktuara.
“FMN nuk mund të kalohet ashtu siç duam ne,sepse të gjithë deputetët e dinë që FMN-ja dhe Banka Botërore janë mbështetëse për pagesat e vonuara nga ju dhe unë do ju them se shkak për vonesën kur ta bëjmë analizën do shihni se është edhe ish qeveria. Ish-qeveria nuk ka respektuar afatet që ka pasur. Kemi vonesa të rrjedhura nga qeveria pasi siç e dimë hartimi i buxhetit nis shumë herët në vitin që jemi dhe duhej të ishin bërë nga ajo. Unë do të doja të thoja që ta quajmë vit elektoral dhe të themi që janë vonesa të rrjedhura nga viti elektoral” tha Cani.
Ministri i Financave, ka theksuar më tej se projekt buxheti është ndërtuar mbi bazën e politikave të reja fiskale. Cani sqaroi se në zbatim të programit të qeverisë, është hequr tatimi i sheshtë, paketa ka në funksion stabilitetin ekonomik, gjenerojmë jo më pak se 18 miliardë lekë të ardhura nga tatimet dhe doganat. “Tatim progresiv mbi pagat në tre shkallë, 0-300 mijë lekë të vjetra taksa është zero, ka qenë dy muajt e fundit për qëllime elektorale, 300-1300 ka 13% tatim por në dallim nga e vjetra do t’i zbritet diferenca prej 300 mijë. Asnjë individ që merr këtë pagë nuk do të tatohet më shumë nga çfarë ka qenë tatuar, por të gjithë individët e kësaj page do të tatohen më pak nga çfarë kanë qenë tatuar, dhe nga kjo përfitojnë 97% e pagëmarrësve”,- tha Cani.
Ai ka shtuar se me paketën e re fiskale ulja e çmimeve të barnave do të jetë jo më pak se 10%, si dhe do të paguhen me pak kontribute shëndetësore.
Shqip
Add new comment