Programi i qeverisë, vijon debati maratonë

Pas disa orësh ndërprerje, Kuvendi i Shqipërisë rinisi rreth orës 9:30 punimet duke vijuar me diskutimet për programin e qeverisë "Rama".Punimet e një dite më parë zgjatën rreth 15 orë dhe seanca e të dielës pritet të kulmojë me votimin e Qeverisë së re.
Në orët e para të paradites po e marrin fjalën vetëm deputetë të djathtë, çka tregon se deputetët e majtë nuk do të flasin para Kuvendit, me qëllim për të arritur sa më parë drejt fundit të kësaj seance maratonë.
Sipas burimeve të gazetës "Shqip" lista e gjatë e diskutantëve që kishin depozituar kërkesat për të folur në Kuvend një ditë më parë kishte të bënte me qëllimin e demokratëve për të penguar daljen e Ramës përpara zyrtarëve dhe deputetëve të Parlamentit Europian si kryeministër i votëbesuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Në fjalën e tij, të dielën, deputeti i PD-së Genc Ruli ka deklaruar se programi i cili është prezantuar në Parlament nga mazhoranca e majtë nuk është gjë tjetër përveçse një manifest që nuk paraqet realitetin.
Sipas është një program i mirëfilltë pasi në të nuk përmenden shifra dhe nuk thuhet se ku do të gjenden fondet e nevojshme për ta realizuar atë.
Ndërsa deputeti Eduard Selami deklaroi se ka mospërputhje mes premtimeve elektorale të Partisë Socialiste dhe programit të qeverisë së re.
“Më vjen mirë që kryeministri i ri mban shënime. Ka disa premtime të fushatës që nuk janë në program. Në fushatë u premtua përgjysmimi i TVSH ndërsa në program nuk flitet më për përgjysmin por vetëm për reduktim. Në program nuk gjendet një detajim për taksën progresive ku u prekën shtresat e rëndësishme sociale siç janë edhe arsimtarët” theksoi Selami.
Ai ka shtuar se opozita do të mbështesë çdo nismë që do shërbejë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Berisha: Gati për betejë
Në orët e pasdites së shtunës në këtë seance kanë marrë fjalën edhe ish-Kryeministri Sali Berisha që me konsensusin e dy grupeve parlamentare nuk është kushtëzuar në kohën për të folur.
"Në zgjedhjet, të cilat u fituan me premtime antiglobaliste të tipit 'alla-Papandreu', në zgjedhje të cilat u përdorën shuma marramendëse të parave të pista, ne demokratët e vendit njohëm rezultatin. Në përputhje me një kod moral të politikës dhashë dorëheqjen, ndonëse dhjetëra mijëra demokratë kërkonin të mos bëja atë gjest. Por një thirrje më eprore se sa zëri i tyre ishte thirrja e dinjitetit njerëzor. Kreu i maxhorancës, i cili është unik në rajon e në botë lexoi pamfletin e urrejtjes ndaj opozitës. Demokrate dhe demokratë, ju e dëgjuat, ai shpalli këtu epokën e rrënimit, epokën tuaj, epokën e Shqipërisë demokratike. Ai krahasoi 22 qershorin, me 22 marsin. Gabohesh ti që mendon se ne jemi të dërrmuar, ne jemi parti e vlerave! Edhe paraardhësit tuaj e kanë menduar një gjë të tillë, por ua kemi faktuar sa të dërrmuar kemi qenë ne. Ne ndërtojmë vlera, ne besojmë në parime. Ne jemi lokomotiva e integrimit të këtij vendi dhe asgjë nuk na pengon ne në rrugën tonë. Kur ky që kryeson sot maxhorancën dhe mendon se çeli epokën e etërve të tij, fuste në mënyrën më të turpshme bilbila-bori në këtë sallë, vetëm për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe asnjë nga trumpexhijtë nuk është sot ministër...Ti vjen sot me një kabinet më të pabesuarin në historinë e vendit, më nepotikun në historinë e vendit. Më thoni se në cilin kabinet, që nga koha e Adil Carcanit ka patur tre ministra nga e njëjta familje. Nëqoftëse u ke marrë votën duke i mashtruar, i bindur të jesh se nuk do të lemë betejë pa zhvilluar për të cuar në piedestal dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë. Përgatitu! Beteja është e fortë!", u shpreh Berisha
Rama: Nuk do t’ju ngjajmë
Pas fjalës së Berishës është përgjigjur Kryeministri i dekretuar Edi Rama, i cili premtoi se me programin e saj qeveria do t'ia ngrejë kokën Shqipërisë.
"Kur ha 1 milion shuplaka, o të vijnë, o mendjet ikin aq larg sa duhen vite për t'i kapur! Jo unë, jo ne, dikush tjetër i njohur si krahu i armatosur me shifra dhe të dhëna të rreme të qeverisë së ikur, INSTAT-i dora vetë, sapo e ka publikuar një dokument shumë interesant për këtë diskutim për programin. Dokumenti thotë se në katër vitet e fundit, varfëria nuk është tkurrur, por është shtrirë më tutje, duke përfshirë nën hijen e saj më shumë familje të zakonshme shqiptare. Ju ikët nga salla pa e dëgjuar paraqitjen time të programit qeverisës, fatmirësisht jo të gjithë dhe gjej këtu rastin t'i falenderoj ata që nuk e ndoqën atë vijë të kërrusur sjelljeje. Ikët duke sharë dhe duke bërtitur dhe vijuat jashtë duke u ankuar para popullit për gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës së opozitës. Por përmbajtja e fjalëve që dëgjuar dhe do të dëgjoni nga unë në këtë sallë nuk ka të bëjë as më urrejtjen ndaj jush, as me dhunën mbi ju. Përmbajtja e fjalëve të mia është e vërteta ime mbi të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Unë nuk ju jam zgjedhur që t'ju pëlqej juve kur flas, as që idetë e mia të gëzojnë medoemos pëlqimin tuaj dhe as qeveria që unë drejtoj t'i ngjajë qeverisë tuaj. Mos o Zot! Sa më parë ta fshini nga mendja iluzionin se unë do t'ju kursej në këtë foltore për të pabërat e lebetitshme që ka bërë kjo qeverisja juaj, aq më të lehtë do ta keni të ngjiteni në nivelin e minimumit jetik të mirësjelljes së njerëzve këtu në mes të Europës. Ne jemi këtu për t'i ngritur kokën Shqipërisë, jo për të gjetur kokën tuaj dhe do t'ia ngremë kokën Shqipërisë me programin tonë", tha Rama.
Top Channel
Add new comment